Të pathënat për shkollën

Shkolla_e_Mesme_Qemal_StafaAfrim Krasniqi
Dikur ishte 1 shtator. Tani në ndryshim nga shumica e vendeve evropiane, 1 shtatorin e bëjmë si të duam, herë 10 shtator, herë 12 shtator, këtë herë 14 shtator.
Nisja e shkollës? Një praktikë rutinë për zyrtarët dhe mësuesit, por një ditë e veçantë për ata që hyjnë për herë të parë! Secili prej nesh ka kujtimet e veta! Siç jemi mësuar që ditën e parë të shkollës politika, kamerat e TV dhe fjalimet plot retorika shabllone dhe premtime të jenë të pranishme aty, si për tu kujtuar nxënësve se fati i tyre, shkollimi i tyre, jeta e tyre varet e do varet nga politika dhe vullneti i saj! Bëhen shumë foto, veshjet e zyrtarëve janë nga më luksozet, mësueset marrin lule dhe brezat më të rritur me siguri bëjnë paradën e modeleve të fundit të telefonave! Tej emocioneve apo paradave Shqipëria meriton të mendojë sot për të paktën katër “detaje” me rëndësi për arsimin dhe edukimin e brezave të ardhshëm:
Së pari, Kushtetuta dhe ligji përcaktojnë arsimin 8-9 vjeçar “të detyrueshëm”. Detyrimi lidhet jo vetëm me ata që kanë moshën e nxënësit, për prindërit e tyre, për shkollën, por edhe për vetë shtetin, – që të krijojë politika e kushte për përmbushjen e këtij qëllimi. Aktualisht çdo vit rritet numri i nxënësve që nuk arrijnë të mbarojë periudhën e “detyrueshme” të shkollës, e braktisin ose detyrohen ta braktisin atë. Një zyrtar i lartë i MAS ka cituar më shumë se 150 mijë të rinj në 7-8 vitet e fundit! Ky alarm i madh në një vend ku çdo ditë publikohen skandale politike e financiare, nuk dëgjohet, dhe për pasojë, pakkush mendon për zgjidhjen e tij. Ja p.sh, sot, patë ndonjë politikan e shtetar të takojë një fëmijë që nuk ka mundur të shkojë në shkollë ose e ka braktisur atë? Jo, jo dhe jo!
Së dyti, cilësia e mësimit. Vetë MAS pranon se ngarkesa informuese e nxënësve tanë është shumë e lartë, sikundër nuk arrihet sa e si duhet nxitja e vetëveprimit të nxënësve në procesin e të nxënit. Kjo vjen nga raporti jo i drejtë mes ngarkesës mësimore dhe kohës mësimore në IA në dispozicion të nxënësve. Sipas vetë MAS Shqipëria mbetet mbrapa vendeve si Bullgaria, Rumania dhe Serbia dhe rreth dy vjet e gjysëm shkollorë (rreth100 pikë PVNN) pas mesatares së OECD-së” dhe se formimi gjuhësor, matematikor dhe shkencor i nxënësve është dukshëm nën nivelin mesatar të formimit të nxënësve të vendeve të tjera.
Së treti, buxhetimi shtetëror për arsimin. Kur disa ministra e zyrtarë të lartë të sotëm ishin në opozitë bënin protestë e kërkonin rritjen në 7% të PBB për arsimin! Sot ata nuk dëgjohen më, sepse janë vendimmarrës. Aktualisht të dhëna për buxhetet për periudhën 2009-2015 tregojnë se ndodhemi në kuotën 4%, më e ulët sesa 6-7-8 vite më parë! KLSH raporton çdo vit se humbjet (abuzimet) në shtet janë dy herë më të larta sesa buxheti që shteti ynë harxhon për arsimimin e brezit të ri! Pa koment!
Së katërti, eksperimentet pa fund në strukturën arsimore. Fillimisht u hapën shkolla publike e private, më pas u ndryshua sistemi i mësimit nga 8 në 9 vjet, nga 1-4 në 5-9, nga 1-5 në 6-8, nga 5-8 në 6-8, provime mature dhe pa provime, etj, etj, shifra që shpesh krijojnë konfuzion por që kanë kosto në miliona euro për familjet shqiptare. Ata që eksperimentuan dhe eksperimentojnë kanë qenë e janë bashkë në parlament, pra janë shpërblyer për dështimin, asnjë nuk mbajti përgjegjësi dhe askush nuk kërkoi falje për aventurat që u bënë e po bëhen në emër të “reformës”. Ka shkolla private jashtë kontrollit, që nuk njihen nga shteti, që tregtojnë gjithçka, siç ka shkolla publike jashtë çdo standardi shtetëror e ligjor. Luftë informalitetit të berberëve? Ok. Po, përse jo duke nisur nga arsimi, tregu i dijes?
Së pesti, mund të kemi probleme me numrin e nxënësve (shumë më tepër sesa duhet për një klasë), mund të kemi probleme me mjedisin shkollor (sistemi me dy turne për shkak të mjediseve të kufizuara), mund të kemi probleme me ambientet e mësimit (mungesë laboratori, mjedise sportive, teknologjive të reja, etj).
Disa varen nga rrethanat, koha dhe mjedisi, por ne kemi dy probleme të tjera që i krijojmë vetë dhe mbrojmë me fanatizëm çdo vit dhe që kanë ndikim thelbësor në sistemin arsimor: librat dhe personeli. Librat janë e mbeten eksperimentale, abuzuese dhe larg standardit profesional. Personeli? Partitë në pushtet, të majta e të djathta, i përdorin shkollat si burime punësimi për milintatët. Ka qenë dhe është. Ju kujtohen konkurset? Bëhen pas çdo rotacioni politik dhe gjithnjë fitojnë ata që kanë teserën e partisë në pushtet! Dhe quhet “reformë, meritokraci”. Shikimi i arsimit si burim financimi e punësimi për militantët, deformon gjithçka çfarë fjala “arsim” përmban, thotë dhe përfaqëson.
Së fundi, sistemi ynë shkollor është deformuar edhe në një standard tjetër: kemi shkolla për qytetarët/publikun/popullin dhe shkolla për fëmijët e atyre që kanë pushtet/para/ndikim vendimmarrës/lidhjet e duhura. Tek të parat edhe ka mësim, tek të dytat investohet gjithçka.
Merrni deputetët dhe ministrat! Shumica i kanë fëmijët e tyre në shkollat private më të shtrenjta, në ndonjë shkollë publike ku gjithë shteti investon apo një pjesë e madhe e tyre i ka nisur në shkollat private jashtë shtetit! Mjafton kjo për të kuptuar se shkollën tonë ata e duan vetëm për ditën e parë të shkollës, që të mbajnë fjalime e bëjnë foto, si dhe për të punësuar mbështetësit e tyre politikë që të sjellin vota njëherë në 4 vjet! Për asgjë më shumë! Dhe ky është lajm i trishtë!
A ka shenja shprese? Po, ka pasur dhe ka. Janë mijëra, mijëra të rinj, vajza e djem të mrekullueshëm që kanë pasion librin dhe shkollën, dhe që me pak mbështetje, mund të jenë Shqipëria e nesërme! Jane mijera familja qe investojne gjithcka kane tek shkollimi i femijeve te tyre. Jane ne borxh financiar me te tjeret, por jo me dijen, jo me arsimimin. Problemet e sistemit shkollor i pengojnë, por nuk i ndalojnë dot. Askush, në asnjë rast, për asnjë arsye nuk ka forcë e pushtet të pengojë lidhjen e njeriut me dijen, me librin, me pasionin!

Vdekja e 16-vjecares Kostandina Anagnosti, 4 mjek në prokurori.

kostShoqata e Avokatëve Antikorrupsion të Shqiperisë në Tiranë ka denoncuar në Prokurorinë e Tiranës 4 mjek të Institutit të Mjeksisë Ligjore për fshehje të provave dhe sipas tyre nëntorin e kaluar 16-vjecarja ka ndërruar  jetë nga shkaqe natyrale. Kjo ka ardhur si pasojë e dyshimeve te familjarëve dhe shoqatës së avokatëve.

Mësohet se tre ditë më parë, shoqata e Avokatëve i është drejtuar prokurisë së qytetit duke kë  precedencë penale për katër mjek të IML.

Mjekët më masakruan vajzën për të fshehur shkakun e vdekjes”, kështu rrëfehet babai i 16-vjeçares së ndjerë Kostandina Anagnosti, ndërsa depoziton kallëzimin.

Për vdekjen e Kostandinës, e cila ndërroi jetë në spitalin e Sarandës më 15 tetor të vitit të shkuar, nga shkaku i hemoragjisë cerebrale, sikur thanë mjekët, babai i saj, akuzon 4 ekspertë të Mjekësisë Ligjore, për heqjen dhe zhdukjen e organeve të vajzës së tij, me qëllim fshehjen e shkakut të vërtet të vdekjes.

Raporti i autopsisë në Greqi, konfirmon se vajzës i janë hequr disa organe, duke e bërë të pamundur përcaktimin e shkaqeve të vdekjes.

Këto dokumente që hedhin dyshime të forta, i janë përcjell edhe Mjekësisë Ligjore në Tiranë, pasi 4 mjekë të saj, janë vënë nën akuzë.

Mbi katër mjekët e akuzuar, që janë, A.S., Z.I., SH.E., dhe F.H., akuzohen për shpërdorim dertyure, dhunim kufome, akt-ekspërtim i rrem dhe fshehje provash.

Kallëzimi penal ndaj tyre tashmë është depozituar në Prokurorinë e Tiranës, ku argumentohet përgjegjësia e tyre jo vetëm në shkakun manipuluar të vdekjes, por edhe në zhdukjen e disa organeve, ku sipas mjekëve grekë e bëjnë të pa mundur shkakun e vdekjes së 16-vjeçares nga Saranda.

Greqi, mbyten përsëri 34 emigrantë

ina34 emigrante jane  mbytur sot pranë brigjeve të ishullit grek, Farmakonis në tentativë për të mbërritur në breg.

Gati gjysma e viktimave nga tragjedia e orëve të fundit me refugjatë që vijnë nga brigjet turke drejt tokës greke janë fëmijë, më sakt 14 prej tyre . Prej orëve të para të mëngjesit të ditës se sotme shpëtimit kanë mundur të shpëtojnë 68 prej tyre, rreth 25 kanë arritur me not në brigjet e ishullit Farmakonisi, ndërsa 34 janë mbytur. Midis viktimave janë katër foshnja të mitura dhe dhjetë fëmijë. Disa prej tyre janë gjetur në hambarin e varkës së mbytur.Pamjet me refugjatët që mbajnë në kamerdare fëmijë të vegjël dhe nëotojnë drejt tokës greke vazhdojnë përsëri të bëjnë xhiron e botës. Ndërsa vazhdojnë kërkimet për të gjetur edhe persona të tjerë që konsiderohen të humbur, pritet që numri i viktimave të rritet.

Ndërkohë që vala e refugjatëve që vijnë nga brigjet turke drejt ishujve grekë është e pandalshme, kryeministrja e qeverisë së përkohshme të Greqisë, Vassiliki Thanou, që ka vizituar ishullin e Lesbos, ka deklaruar krijimin e dy qendrave të pritjes për qindra emigrantë në Athinë dhe Selanik.

Në një mbledhje të kabinetit, ajo u është përgjigjur edhe zërave të veçuar në Europë që kritikojnë Greqinë për sa i përket kufijve të saj.

 

Pas largimit të më shumë se 20.000 refugjatëve nga Lesbos, me përpjekjet e qeverisë provizore, situata në ishullin grek, që ishte pothuajse në gjendje të jashtëzakonshme, është përmirësuar disi.

 

Kush e harroi Gërdecin?

Aurora A.Aurora Allushaj
Sot është dita e parë e muajit shtator. Muajit të planifikuar, në nxehtësinë e vapës së korrikut dhe gushtit, për aksione të mëdha në Shqipëri. Bashkia e Tiranës nëpërmjet kreut të sapo zgjedhur Erion Veliaj e deklaroi shtatorin si muajin e luftës kundër zhulit, ndërsa qeveria si atë të betejës kundër informalitetit dhe pastrimit të drejtësisë. Kjo e fundit në fakt ka vite e vite që përflitet ndërkohë që drejtësia sa vjen edhe më tepër dekompozohet për të mos thënë që aktorët e saj, e sidomos ata që e ndiejnë veten të zhytur sa më thellë në rrugën e korrupsionit kanë filluar të mos e besojnë as vetë se diçka e tillë do të arrihet të realizohet ndonjëherë. Shteti në Shqipëri ka vrarë disa herë. Dy rastet më flagrante e më të bujshme ishin ’21 janari’ dhe ‘Gërdeci’. Ne të gjithë pritëm drejtësi, kërkuam që e vërteta të triumfonte, në fakt ishte e domosdoshme diçka e tillë në Shqipërinë e sfilitur. Por gjithçka mbeti ne heshtje, e nën këtë qetësi dosjeve iu dha rruga ‘ligjore’, d.m.th mbyllja e tyre pa bërë zë. Ndryshimi i kahut politik, shtoi shpresën për sjellje ndryshe të politikës karshi drejtësisë, por këto dy vitet e të majtës në pushtet ishin veçse vite pritjeje. ’21 janari’ e ‘Gërdeci’ iu shtuan në radhë krimeve të komunizmit, hapjes së dosjeve, e mjaft padrejtësive të tjera. Nëse do ktheheshim shtatë vite më parë, kur shpërthimi i mijëra tonëve municione shkaktoi një tragjedi të vërtet në fshatin Gërdec vetëm pak kilometër nga kryeqyteti. Nga ky incident humben jetën 26 persona dhe shumë të tjerë u plagosen. Feedbacku u duk sikur qe i menjëhershëm, pozita e atëhershme mori përsipër të zbardhte ngjarjen deri në detajet më të vogla, premtim ky i thërrmuar ende pa u dhënë. Tragjedia u shoqërua me ngjarje të tjera politike. Ministri i mbrojtjes Fatmir Mediu, do të jepte dorëheqjen pak ditë mbas tragjedisë (një javë më pas). Ai nuk pranoi se kishte përgjegjësi për shpërthimin ose ndonjë lidhje korruptive në tregtinë e armëve dhe u shpreh se dorëheqja nga posti ministror ishte një “…përgjegjësi morale.”. Edhe pse në fillim, grupet opozitare do të qëndronin pasive ndaj ngjarjes (si shenjë solidariteti për tragjedinë), më pas ata do të akuzonin drejtpërdrejtë qeverinë si shkaktare të tragjedisë. Ngjarja la një shije të hidhur në opinionin publik, por do të ishte artikulli i gazetës së New York Times ai që do të shkaktonte debate të ashpra politike në Parlament. Artikulli “Supplier Under Scrutiny on Arms for Afghans” i shkruar nga C. J. Chivers, Eric Schmitt dhe Nicholas Wood (i shtypur nga Mr. Chivers.), i publikuar më 27 mars të vitit 2008, nuk u mor parasysh nga qeveria, madje kryeministri Sali Berisha e quajti gazetën “…letër higjienike”. Kurse më 21 janar të 2011-ës Berisha ndërroi komplet kah. Jo vetëm që nuk u ndje përgjegjës për ekzekutimin e 4 qytetarëve, por shkoi edhe më tej duke mbrojtur paturpësisht e ballëlart vrasësit. Shtatori erdhi. Tani të shpresojmë që do të nisë puna për vënien e drejtësisë në vend. Dhe kjo drejtësi natyrisht që nuk mund të kalojë nga të emëruarit e ‘politikës’ apo togat e zeza të babëzitur për para, që prodhojnë histori të tilla si vëllezërit Frroku, nga politika në burg dhe tjetri nga burgu në politikë.

Harresa e Gërdecit vazhdon të mos të ketë një mea culpa, siç jemi mësuar tashmë çdo histori zvenitet pa u hedhur kurrë dritë mbi të. Por le të shpresojmë, nuk na ngelet gjë tjetër.

Ti i çuditshmi populli im!

kuciOriola Kuçi
Mos me lexo se do me urresh! Ti i cuditshmi populli im!

Ti qe me ngre nervat, me merr frymen, me cingeris sa hap syte e derisa i dorezohem gjumit.

Pse kaq pa karakter o i imi popull? Pse kaq i influencuar ti? Cfare lloji je ti qe gjithe jetes, as pushtuesi, as liria, as diktatura e as perendimi s’pati kellqe te te ndryshonin?

Ti qe urren veten .

Pse o popull im i ri me kaq drama e kaq depresione ne lule te rinise?

Ti qe ne moshen 20-35 vjecare ke nevoje te drogohesh sepse je i depresionuar nga koka jote boshe dhe nga jeta jote e vaket, bash ne kohen qe duhet te shperthesh nga dashuira, nga seksi, nga te qeshurat, nga idete per te ndryshuar vendin, nga kenaqesia per te thene : heeeeeejjjjj…..une jam ky, kjo eshte jeta ime, ky eshte vendi im dhe ne me ne fund do rritemi bashke!

Pse je nje zhgenjim i cdo ditshem? Pse?

Po mo po … ti.

Ti shoqja, shoku, kusherira, e gjithshkaja ne perditshmerine time.

Ti qe dreqi te mori, me bere te te shkruaj me po aq mllef sa ti me nis diten, me ke bere te mbyll e ta rihap kontaktin me boten…Ti qe kur je me mua, je tjeter njeri, dhe botes i shitesh ndryshe.

Karakteristike jotja tashme. Si individ dhe si shoqeri po edhe si shtet te hengert dreqi!

Ti, kur vdiqen cifti çek ( zoti i tyre u kujdeste per ta) mohove vendin, shtetin, shoqerine e vlerat, fute veten dhe mua e nab ere te gjitheve kriminele. Pate edhe kurajon ti coje letra “ Turpi”

Kush? Ti? Ti qe tallesh me injorancen e populli tend kur vret gruan, e rreh ate apo femijen nga injoranca dhe nje zot e di se sa te kollajte e ke te emertosh menjehere vendin e origjines dhe te thuash “ normal, ne male apo zgeqe eshte rritur, u be ai e donte te vinte ne qytet…aty te rrinte!”

Ti qe kur u vrane gazetaret ne mes te Parisit, u indinjove shume, se te fyen qytetarine dhe karakterin fluturak te lirise.

Kush? Ti? Ti qe e harrove menjehere 21 Janarin kur tu vra populli ne sy e nder duar…po ate nuk e quajte liri…ate e emertove “ pune militantesh…he mo se e beri vete Rama, packa se qeveriste Berisha ” mentalitet qe as dreqi s”ta kupton ku ma ke konceptin e lirise e te qyteterimit!

Ti, poston dhe ben ndarje te fotove e videove nga vende ku me te pyt ku jane, ( edhe ma ler dialektin tani ) as vete nuk i di, duke na tregu se nje femije po vuan nga X semundje, apo edukatroja apo dado po e rreh…. na cmend diten me makabritete, se normal, ti je shum njeri i ndjeshem….po po sigurisht…

Kush? Ti? Sa koncerte bamiresie, levizje qytetare, ku vetem une mund te te citoj dy, nga Zemra ime, Ti, ku ti as qe more mundimin te vije ne Teatrin e Kukullave te shihje pjesen qe u vu per femijet e tu, se normal “ he mo moooo hajt pime i got e bejme gorlliqe, se vari trapin, kush shko n’teater kalamojsh”

Ti po indinjohesh shume, duke na postuar foto makabre ( qe sigurisht jane per te vene ulerimen) se do te na sensibilizosh, po po, patjeter mor zoteri, se ne e kemi shume ne dore a kupto’?….

Kush? Ti? Ty qe te vdiqen femijet duke cmontuar armet ne Gerdec dhe jo vetem e harrove, po as te plasi fare per te gjetur kohe e per ti rene qeverise, asaj qe iku, qe si guxoi ta bente, dhe kesaj qe eshte qe si guxon qe hesht….

Ti Populli im, sado pa karakter qofsh, I perket jetes time, dites e mbi te gjith vendit tim!

Me je bere si politikat qe shan nga mengjesi deri ne darke…

Une Bashkise se qytetit nje cerdhe nuk ja adoptoj dot, se paguaj taxa, jam super korrekte, dhe kam nje familje per te mbajtur, ama….po I rris dy qytetare te denje per kete qytet, qe jane femijet e mi!

Une ty o popull, nuk te ndryshoj dot, se kam mjaftueshem pergjegjesi me te shtrenjta per te bere, ama, do te te bie sapo te me jepet rasti!

Une mund te hesht para politikave nderplanetare, mund te hesht para ekonomive apo formave te ndryshme qe me kane kornizuar dhe vendosur si me duhet te marr fryme, kur dhe cfare te ha, cfare te blej dhe si te marr nje diplome per te treguar se jam nje ushtare e mire e kavies qe bota ka vene ne kete planet, po me ty???

Me ty nuk hesht se te kam hap, kafe, pune, calvados, marredhenie, buzeqeshje e ne fund te fundit jete!

Pije nje gote, e ne mos e dac, bej dashni, e ne mos pac, gjeje, e ne mos mundsh lexo nje liber, e ne pac harruar si behet, bej nje ecje, e ne pertofsh, rri ne shtepi, e nese trashesh, fli…vetem te lutem mos na prish jeten !

AS ZOTI E AS DREQI NUK E KA IDENE ME TE VOGEL SE SA PLASTELINE JE ENDE O SHQIPE!

Arberianews.com

Londra e Parisi plan të përbashkët masash për klandestinët

innenminister-gb-frSekretarja e brendshme britanike Theresa May dhe Ministri i Brendshëm francez Bernard Cazeneuve vizituan Eurotunelin në Calais, për të zbuluar një plan të përbashkët veprimi për të mos lejuar hyrjen në Eurotunel të emigrantëve të papajisur me dokumenta.
Britania dhe Franca do të shtojnë burimet policore duke krijuar një qendër të përbashkët komande dhe kontrolli, që do të ngrihet në Kale. Kjo qendër do të ketë për synim shkatërrimin e rrjetet kriminale që trafikojnë emigrantë.
“Ne kemi ndërmarrë tashmë disa hapa që kanë filluar të përmirësojnë situatën këtu lidhur me numrin e personave që përpiqen të hyjnë në tunel dhe numrin e personave që përpiqen të depërtojnë në Mbretërinë e Bashkuar”- u shpreh sekretarja britanike.
Ndërsa ministri i brendshëm francez tha se janë arrestuar disa grupe trafikantësh të emigrantëve që po përballen me drejtësinë, mes tyre edhe 7 banda shqiptare.
“Trafikantët të cilët janë pjesë e organizatave ndërkombëtare kriminale, duhet të ndiqen penalisht dhe organizatat e tyre të çmontohen. Duhet të dërgojmë një sinjal shumë të fuqishëm nga qyteti Calais, se ju nuk mund ta shkelni kufirin që ne ndajmë së bashku” tha ministri francez.
Ky bashkëpunim përfshin shtimin e numrit të forcave policore franceze, ngritjen e gardheve për të penguar kalimin e emigrantëve, financuar nga Britania, vendosjen e një sistemi më të madh vëzhgimi me kamera dhe pajisje të tjera të sigurisë, për të mbrojtur hyrjen në tunelin nëndetar.

Mos u besoni politikanëve, që luajnë “komedi si të virgjër”!

fugaArtan Fuga
Për një gazetari kritike, jo raportim thjesht deskriptiv, tre raste në edicionet e lajmeve sot në mëngjes:

Rasti i parë:

Thuhet se statistikat europiane a gjermane theksojnë se azilkërkuesit nga Ballkani ja kalojnë atyre nga Siria në Gjermani e Europë. Se azilkërkuesit shqiptarë vijnë në vend të dytë pas atyre sirianë.

Ore dinë të bëjnë statistika ata apo krahasojnë numrin e lopëve me të deleve???

Është njësoj si të thuash se kjo shtyllë tensioni e lartë vjen e dyta pas një grumbulli me rërë.

Por, këto janë dy fakte pa asnjë bazë krahasueshmerie thelbësore more statisticienë europianë… Shqiptarët ikin për arsye të një jetë më të mirë ekonomike, duke përfituar nga liberalizimi i vizave dhe nga tradita e tyre e këtij brezi. Kurse sirianët ikin nga lufta more… Se ashtu krahasoni azilantët edhe me turistët, edhe me krahun e punës të ligjshëm. Mos ua fusni statistikave kot se ne naivët i hamë ato si lopa kashtën dhe i përsërisim pa kritikë në çdo emision lajmesh…

Rasti i dytë,

Shumë mirë që këta kryebashkiakët e rinj socialistë a demokratë, meshkuj a femra, kërkojnë të bëjnë më shumë për qytetet e tyre. Por, kur luajnë komedinë sikur janë të virgjër dhe se historia fillon me ta dhe nisin të thonë se qyteti përmbytet për shkak të politikave të gabuara të atyre që kanë zëvendësuar në detyrë, kjo të hap barkun.

Po çfarë ke o derëbardhë që na tregon se fajin e ka ai që nuk është më, kryebashkiaku që iku???

Në ka faj çoje përpara drejtësisë, hiç mos hezito, nëse nuk e ka fajin ai, mos kalo gjysmën e mandatit duke na treguar se fajin për vuajtjet tona urbane, përmbytjet, plehrat, mungesën e ujit e ka ai që nuk është më, si bëri sot kryetari i Bashkisë së Vlorës. Nuk është as burrëri, as ndonjë teknikë e mirë për t’i ngopur qytetarët me lugë të zbrazur. Ke ardhur për të punuar or mik jo për t’u justifikuar me gjendjen e Vlorës qe kurse Ana Komnena dëshmonte pushtimin e Vlorës me anije e me lopata nga Anzhuinët që vinin nga deti.

Mos i lini o gazetarë të livadhisin kështu se ju bëjnë budallenj. Kritikojini sepse kemi njëzetepesë vjet që po kalojmë dorë më dorë duke vuajtur katër vjet me idenë se po korrigjojmë katër vjetët që ikën e kështu pafundësisht.

Rasti i tretë :

Shumë mirë që Bashkia në Tiranë kërkon të çlirojë hapësirat publike, por interesohuni pak o gazetarë se çfarë do të thotë deklarata se bashkia nuk kërkoka veçse dy metra hapësirë të çlirohet nga çdo biznes, sa për të kaluar pensionistët dhe gratë me barrë.

Vetëm dy gisht trotuar na jepni ju lutemi…

Çfarë është kjo deklaratë, kush ka frikë nga zënësit e hapësirave publike që u thotë na ktheni së paku dy metra. Të gjitha metrat t’i kthejnë se ato janë tonat, të qytetarëve, jo një shteg dhije sa për të kaluar njerëzit.

Dhe mos u merrni me ata kioskistët që kanë zënë cepin e ndonjë trotuari se ata me një karroce dore i rikthen andej nga kanë ardhur. Po sheshet që na i kane zënë pa leje dhe jashtë planit urbanistik pallatet shumë e shumë katëshe a do të na i ktheni???

Ato duam ne e u themi pastaj bravo. Jo këto shtigjet dymetroshe…Janë shumë pak.

Mos u vendosni dinamitin atyre përbindshave pa leje, por gjoba shumë të majme dhe paratë le t’i përdori komuniteti i zonës ose i lagjes si dëmshpërblim e jo të ikin nëpër xhepa që bëhen reklama birre.

Bëjuni kritikë o miq gazetarë, mos e lini rastin t’u ikë sepse po ju ikën audienca, detyra juaj është thelbësore, kritikoni çdo statistikë ngado që vjen, kritikoni çdo deklaratë ngado që vjen, sepse kjo është detyra juaj, jo t’u bëni fresk pushtetarëve që me freskun e bërë të mbroni pallatet pa leje të ndonjë pronari që gazetarët i përdor vetëm për lehje…, apo që lengëzohet para ndonjë thërrimeje reklame a për ndonjë tender që e pret prej muajsh e muajsh…, a për pak falje për taksat që nuk i ka paguar se për faturë tatimore as bëhet fjalë se jep…

Tentoi të përdhunojë një të mitur, arrestohet

policia2015Një 37 vjeçar është arrestuar pasi akuzohet për vepra të turpshme kundrejt një fëmijë 8 vjeçar. Policia e Vlorës informoi sot, 19 gusht 2015, se personi i arrestuar është Odhisea Kaçi, 37 vjeç, banues në Ksamil – Sarandë.
“Arrestimi i tij u krye në Ksamil, pasi më datë 04.08.2015, ky shtetas ka kryer vepra të turpshme me shtetasin e mitur me iniciale: A.G., 8 vjeç, banues në Ksamil.
Shtetasi i mësipërm, në fillim ka arritur ta gënjejë fëmijën me qëllim për t’a afruar pranë vetes dhe pastaj ka tentuar të kryeje vepra të turpshme me të, por pa arritur në marrëdhënie intime” informon policia.
Këtë të fundit e vërteton mjeku ligjor pas ekzaminimit të kryer që nga momenti kur ka ndodhur ngjarja.

Vrau prostitutën, kapet pas 15 vitesh në Belgjikë

piacenzaErjon Sejdiraj, shqiptari i dënuar për vrasjen e një prostitute ekuadoriane kishte arritur t’i fshihej për 15 vite policisë duke fshirë tatuazhin dhe duke përdorur një identitet të rremë
“Shqiptari ndodhej në provincën Geluëe të Belgjikës. Ai kishte fshirë tatuazhin e tij, një pikë loti në fytyrë dhe kishte ndryshuar emër (Erjon Ymeri). Sejdiraj ishte martuar dhe kishte tre fëmijë. Tani ndodhet në burgun e Belgjikës në pritje të ekstradimit,” tha prokurori Antoni Colonna shkruajnë mediat italiane.
Prostituta ekuadoriane u vra barbarisht përgjatë lumit Po nga tre shqiptarët Fatmir Vangjelaj, Robert Ziu dhe Erjon Sejdiraj më 9 dhjetor 1999.
Trupi i ekuadorianes u gjet më 20 shkurt të vitit 2000 dhe qysh atëherë hetimet e karabinierëve nuk kanë ndaluar kurrë.
Tre përgjegjësit e krimit humbën gjurmët e tyre në ditët në vijim, por policia italiane ishte vënë në ndjejkje deri kur në vitin 2006 arrestuan Robert Ziun të dënuar me 23 vite burg dhe më 17 gusht 2015 arrestoi Erjon Sejdirajn, me dënim të përjetshëm.

PER NJE LEXIM ME TE MIRE TE VETES E TE SHO-SHOQIT

Mustafa Nano
Mustafa Nano
Mustafa Nano

Mustafa Nano
Është e vërtetë ajo që thotë Agron Gjekmarkaj në shkrimin e djeshëm në të përditshmen “Panorama”, me titullin “Selam, o Mustafa Nano”. Më ka qëlluar në dy-tre raste që militantë të majtë, si të më kishin të tyrin, madje të tërin, më drejtohen me fjalët: Si jeni shoku Mustafa? Dhe Agronit ia kam rrëfyer vetë këtë gjë. Nuk i kam dhënë peshë këtij keqkuptimi, pasi kam vënë re si rregull, me pikëllim të madh, që shumica e atyre që më ndjekin i lexojnë në mënyrë mendjelehtë e tekanjoze qëndrimet e mia e u bëjnë një interpretim kodra pas bregut mesazheve që unë përcjell. Edhe qëndrimi i berishianëve ndaj meje është fryt i të njëjtit keqkuptim. E jam i sigurt që nuk është faji im. Është faji i tyre, e në përgjithësi i publikut (i një pjese të madhe të publikut) që marrëdhënien me mua (dhe me kolegë të tjerë) e mat, dhe e ngre, mbi bazën e marrëdhënies që ata vetë kanë me udhëheqësit politikë, e sidomos me Berishën.
E meqë jemi te Berisha, me të cilin ka nja dy vjet që nuk jam marrë hiç, nuk më la indiferent ajo që Gjekmarkaj thoshte: “Urrejta që M. Nano ka për Berishën nuk është cilësi intelektuale e admirueshme”. Ndonjëri mund të ketë menduar se Gjekmarkaj e ka tepruar në këtë pikë, duke më atribuuar mua urrejtje për Berishën, në një kohë që këtë gjë nuk e kam pranuar asnjëherë. Por ja, po e pranoj tani. Po, unë e urrej Sali Berishën. Dhe nuk besoj se kjo gjë e komprometon intelektualitetin tim. Mund të ketë plot gjëra të tjera që më komprometojnë si intelektual, por jo urrejtja. Urrejtja për dikë mund të mos jetë cilësi e admirueshme (mbi bazën e ca kritereve, që unë nuk i bëj dot të mijat), por edhe sikur të ishte kështu, nuk do të shqetësohesha kushedi se çfarë. Unë nuk jam engjëll. Për më tepër, nuk besoj fare tek engjëjt. Nuk jam as si Jorge Mario Bergoglio apo si ndonjë “çoban” tjetër grigje që, në mos për një rekuizitë të tyren shpirtërore, të paktën ex officio, nuk mund të urrejnë. Nuk kam as ndonjë simpati për ata që s’dinë të urrejnë kur është rasti që duhet urryer. Madje, kam përshtypjen se shumë njerëz, për të demonstruar një epërsi putative në planin spiritual, e fshehin faktin që urrejnë. Mirëpo, është ky stërmundim për t’i dhënë vetes faqe botës një fytyrë të dytë që i bën shpirtërisht të dobët, e që i bën të vuajnë po shpirtërisht. Është vuajtje të duash ta shprehësh një sentiment, sidozot urrejtjen, e të mos mundesh. E nuk e di pse e fshehin. Nëse janë besimtarë, Zoti ua lexon edhe kur e fshehin. Nëse nuk janë besimtarë, atëherë duhet të jenë të ndershëm me ndërgjegjen e tyre. Ka zgjyra në këtë botë që duhen urryer. Urrejtja është humane, madje aq humane sa në ndonjë rast nuk do ishte gabim që t’i bënim një modifikim “të vogël” shprehjes së njohur karteziane, dhe të thoshim: unë urrej, ergo sum. E kjo s’ka lidhje me intelektualin. Unë nuk them se të gjithë intelektualët urrejnë diçka apo dikë (nuk e di këtë), por jam i sigurt që një intelektual mund të urrejë, dhe me këtë nuk e njollos fare intelektualitetin e tij, përkundrazi, i jep pak ngjyrë e forcë.

Kthehemi te shkrimi i Agronit dhe më duhet të them se më ka ardhur keq që Agroni më ka futur te kategoria e atyre që kanë bërë tifo për Berishën, dhe më pas janë konvertuar, d.m.th janë hedhur në pozicione të forta kritike. Nuk kam qenë asnjëherë me Berishën. Mund të ketë qëlluar të kem thënë ndonjë fjalë të mirë në adresë të tij (Kush i mban mend ato kohë? Kanë kaluar një mijë vjet), por me të nuk kam qenë kurë. Nuk mund të isha. Ai i përket një bote, me të cilën unë nuk kam asnjë, asnjë, asnjë lidhje. As në planin politik, e as sidomos në planin kulturor. Dhe prej tij nuk jam ndarë në vitin 1997, por qysh në vitin 1993 kur, pasi u ktheva nga një periudhë njëvjeçare emigracioni, pashë se ai e kish shndërruar fët e fët Partinë Demokratike, në të cilën kisha “milituar” edhe unë për pak kohë, në një bandë, dhe Republikën e Shqipërisë në një “tokë të xanun”. U rifuta sërish në PD me synimin naiv e kotmëkot pretencioz për t’u bërë tok me të tjerë e për t’i vënë frerë tahmasë së Berishës, por aha, ishte e pamundur, e kishte marrë ferra uratën. Në PD kish vdekur çdo gjë. Të gjithë ndiqnin nga pas Berishën. Dhe pas vitit 1994 unë nuk pata më lidhje me këtë parti, nëse mund të thuhet se kisha pasur ndonjëherë lidhje.

Në të njëjtën mënyrë nuk mund të thuhet se nga i djathtë që kam qenë, jam bërë i majtë. Nuk kam qenë ndonjëherë i djathtë në kuptimin që thotë Gjekmarkaj. Unë u bëra pjesë e lëvizjes së madhe kundër regjimit komunist në kapërcyell të viteve ’80 e ’90, por të gjithë e dimë se ajo nuk ishte një lëvizje e djathtë. Ajo ishte një lëvizje kundër diktaturës. Kaq e thjeshtë është. Për më tepër, atëmot, të them të drejtën, unë nuk është se dija mirë se ç’ishte e djathta e ç’ishte e majta. Mund të ketë pasur njerëz që i kanë ditur, ose që i kanë ditur më mirë se unë (kjo e dyta është e sigurt), por unë vetë kam qenë pothuaj një tabula rasa atomote. Më pas kam marrë vesh se çfarë janë, e për rrjedhojë kam marrë vesh edhe se çfarë jam unë. Dhe e vërteta është se politikisht jam një gjë eklektike. Nuk jam edhe aq i majtë në qëndrimin ndaj politikave ekonomike, por jam qartësisht i majtë kur vjen puna te qëndrimi ndaj disa vlerave/realiteteve/koncepteve, konvencionale apo jo, si kombi, feja, familja, femra, ligji, shteti, lufta, të drejtat e njeriut, deri diku dhe etika, gjë që shpjegon pse s’e kam për gjë të urrej), dhe kjo është e kuptueshme sidomos në kohët e sotme, kur ideologjitë janë kokolepsur, kur demokracia liberale, në kundërshtim me çfarë ulërinte Francis Fukuyama andej nga fillimi i viteve ’90, është duke u sqaqur e ligështuar, kur moderniteti, me të gjitha prurjet e prirjet e veta, është pranuar edhe nga të djathtët (në debatin mes kandidatëve republikanë për postin e presidentit në SHBA, të zhvilluar në orët e para të mëngjesit të djeshëm, guvernatori i Ohio-s, John Kasich, konservator 24 karatësh, u shpreh se do ta mbështeste e do ta pranonte të bijën, nëse do të ishte lesbike. Para disa vjetësh një gjë e tillë ishte e pamundur të dilte nga goja e një konservatori).

Përmenda etikën. Po rri pak këtu. Agroni thotë në shkrimin e vet se e urrej (prapë tek urrejtja) edhe korrupsionin qamet. Duke e përgëzuar Agronin për mendimin e mirë që ka për mua, e refuzoj këtë medalje, megjithatë. E vërteta është se ma shpif fakti që korrupsioni është shndërruar në një flamë. Kjo po. Por nuk më pëlqejnë më betejat etike. I kam bërë njëherë e një kohë këto beteja, dhe doja që t’i mposhtja të tjerët me armën e ndershmërisë, por ka ikur ajo kohë. Nuk kam më nerva, ndoshta as moshë, të bëj beteja të tilla. E ç’është më e rëndësishmja, nuk mendoj se e kam atë certifikatë apo ato kredenciale virgjërie që ia jepja vetes. Ia kam dhënë vetes pa të drejtë. Unë jam ushqyer qysh në krye të herës, prej gati 20 vitesh, nga ky rend i korruptuar gjërash. E dini? Ne, për një ethos/idiosinkraci tonën, jemi një popull i korruptueshëm, ndërsa në terma konkretë e aktualë jemi një popull tërësisht i korruptuar. Më është mbushur mendja se të vetmit të pakorruptuar në Shqipërinë e këtyre kohëve janë romët, lypësit, ata që gërmojnë kazanëve, kurvat dhe të gjithë ata, të cilët nuk kanë pasur se si të korruptohen, ngaqë s’kanë pasur asgjë në dorë. Ndërsa unë jo. Unë kam pasur gjëra në dorë, unë kam pasur një foltore, një karrige në një studio televizive, një hapësirë në një gazetë, një rrogë të mirë, dhe unë prandaj jam një shkërdhatë e korruptuar, si gjithë të tjerët. E nuk ka rëndësi fare se ç’pasuri kam. Unë dhe kolegë të mi, jemi të korruptuar edhe kur jemi të varfër, jemi të korruptuar qoftë edhe për faktin që nuk kemi qenë në lartësinë e përgjegjësisë që buron prej rolit të intelektualit publik, që kemi marrë përsipër të luajmë. E ky rol, përsëris, nuk ka të bëjë me faktin, nëse urrejmë apo jo. Ky rol ka të bëjë me forcën e pasionin për të mbrojtur interesin e opinionin publik, për t’u bërë zëdhënës të shqetësimeve reale që kanë njerëzit, e për të denoncuar, dhe urryer (për të mbetur te “lajtmotivi”), gjithçka që me këto shqetësime, apo me këtë interes, nuk ka të bëjë. Berishën, sidozot. Dhe “aleancën e qelbësirave”, gjithashtu.

Vetëm se, lidhur me këtë të fundit, më duhet të them që nuk jam penduar. Kam lexuar shpesh online që ma bëjnë këtë pyetje kur del në pah ndonjë zullum i këtyre që janë në pushtet: Jeni penduar që keni bërë apelin në favor të “aleancës së qelbësirave”? Jo, nuk jam penduar. Në ndryshim nga shumë të tjerë, mua nuk më kanë zhgënjyer në asgjë këta të mazhorancës. Ata janë ata që unë kam pritur që të jenë. E prandaj, nuk ka se si të bëhem pishman. Sepse të bëhesh pishman, do të thotë që të biesh dakord me idenë se duhej të mbanim Berishën akoma në pushtet, ose që ta risjellim sërish, për herë të n-të në pushtet. Jeni çmendur? Vërtet e mendoni këtë gjë?

Tani, shqiptarët çdo gjë mund të bëjnë, edhe mund ta risjellin sërish në pushtet (një popull tërësisht i korruptuar të gjitha mund t’i bëjë), por unë uroj që kjo të mos ndodhë, gjë që nuk do të thotë se jam i kënaqur me këta. Joooo! Si mund të jem i kënaqur? Kjo është dhe arsyeja që e kam hapur gojën e kam bërë kritika qysh në momentet e para, pasi kjo mazhorancë zuri të punojë. Por po e bëj të qartë: këto kritika nuk kanë të bëjnë me faktin që jam bërë pishman. Këto kritika kanë lidhje me respektin për punën që bëj, e me pritmëritë që mund të kenë për ne ata që na lexojnë e na ndjekin.

Një vërejtje thelbësore kam për Gjekmarkajn. Dhe për të tjerë të djathtë si ai. Në vend që të mbeten të pakënaqur nga shkrimet e mia kritike prej të majti për të majtën, le të përpiqen të bëjnë të njëjtën gjë nga pozitat e të djathtit për të djathtën. Në botën e së djathtës shqiptare nuk ka dalë qoftë dhe një njeri i vetëm (dhe kjo për mua është e Ç-U-D-I-T-S-H-M-E) që të vërë pikën mbi “i” pas zgjedhjeve të kaluara parlamentare e komunale. Kjo pikë mbi “i” duhej vënë me kohë, por le ta lëmë rravgimin nëpër vite, e të mbetemi në mënyrë të veçantë në kohën pas këtyre zgjedhjeve. Dhe cila është pika mbi “i”? Pika mbi “i” është të thuash që Partia Demokratike është në një gjendje si mos o Zot, që kjo parti, kështu si është, nuk i duhet as dreqit, që atje ligjin e bën vetëm Sali Berisha, se ai është problemi më i madh i kësaj partie, se ai gjithçka e bën për të mbrojtur pasuritë e familjarëve të vet e për të mbrojtur veten prej krimeve që ka bërë, dhe se Lulzim Basha është një kanakar i tij. Të gjithë atje e dinë këtë gjë, por askush nuk e thotë. U vjen më kollaj të shohin se kush e urren Sali Berishën.

Gazeta Shqip