Kryeministri tha se për Tiranën fillon një epokë e re të cilën qytetarët e meritojnë plotësisht, e cila lë pas periudhën kur fondet e dhëna nga qeveria u përdorën nga ish Kryetari i Bashkisë për shndërrimin e saj në sipërmarrjen e Partisë Socialiste. “Rama iu ankua qytetarëve se qeveria nuk i dha fonde dhe unë dua ti informoj qytetarët se qeveria i dha fonde tre herë më shumë se qeveria e tij dhe këtë e bëmë për Tiranën se ishte normale që duhet ta bënim, por fondet u bënë rroga, u bënë firma të paguara nga ai famozi nënkryetar që firmoste nga Nënkryetar Bashkie në emër të PS, pagesa për firma të ndryshme të marrëdhënieve publike të zotit Rama dhe rrugët nuk u rregulluan”,- u shpreh kryeministri.
Kryeministri gjithashtu veçoi nga rendi i ditës disa vendime për dhënien me koncesion të disa HEC-ve si dhe vendimin “Për ngritjen e memorialit “Ushtarët amerikanë të rënë në luftë” në Republikën e Shqipërisë.
Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave , Berisha kërkoi gjithashtu përgjysmim e të gjitha detyrimeve fiskalë të industrisë turistike. Duke e vlerësuar atë si një degë kryesore të ekonomisë, kryeministri theksoi duhet bërë gjithçka për nxitjen, inkurajimin e tij gjithnjë e më të madh.“Përgjysmimi i çdo detyrimi fiskal në industrinë turistike, do të jetë një nga masat e fuqishme nxitëse për këtë industri dhe për zhvillimin e mëtejshëm”,- u shpreh kryeministri./en.ko/