BE vë nën kontroll gjithë bankat kombëtare

64

bankParlamenti Europian votoi këtë të mërkurë paketën legjislative, që synon vënien në jetë të një sistemi europian mbikëqyrje bankare. Sipas kësaj pakete, Banka Qendrore Europiane (BQE) do të kontrollojë direkt bankat më të mëdha të zonës euro dhe do të prononcohet gjithashtu mbi mbikëqyrjen e bankave të tjera. Gjithsesi Parlamenti do të japë akordin e tij final, në një moment të mëvonshëm me synim dhënien e kohës së duhur negocimeve paralele me Bankën Qendrore Europiane, mbi dispozitat në fushën e kontrollit demokratik.

Për deputetët që janë marrë me këto propozime legjislative, rregullat që kanë të bëjnë me kontrollin demokratik duhet të korrespondojnë me pushtetet e mbikëqyrjes të krijuara ose të transferuara në nivel Europian. BQE, si autoritet kontrolli, duhet të jetë paraprakisht e hapur dhe përgjegjëse, për sa i përket fushës së politikës monetare.

Transferimi i pushteteve në nivel kombëtar duhet të shkojë paralelisht me krijimin e një kontrolli demokratik të përshtatshëm në nivel evropian”, -ka deklaruar Marianne Thyssen raportuesja mbi tekstin, që i akordon pushtetin e survejimit, BQE-së.

Për Sven Giegold, raportuesin e tekstit që modifikon rolin e Autoritetit Bankar Europian: “BQE nuk ka reputacionin e të qenurit djepi i demokracisë. Por, ajo duhet të mësohet me këtë funksion….Anëtarët e Parlamenteve Kombëtare presin që ne, deputetët europianë të garantojmë një kontroll demokratik të përshtatshëm për BQE’’.

Fushat kyçe për të cilat Parlamenti ka parashtruar ndryshimet :

–       Kontroll demokratik paraprak të autoritetit të supervizimit, duke përfshirë miratimin nga Parlamenti të Presidentit dhe të Zv. Presidentit të Këshillit të Survejimit dhe dorëheqjet e tyre të mundshme.

–       Një rol në rritje të parlamenteve kombëtare, duke përfshirë organizimin e audicioneve me Presidentin dhe anëtarët e Këshillit të Administratës dhe kërkesën e përgjigjeve të shkruara të BQE.

–       Një akses më i mirë ndaj dokumenteve, si për autoritetin europian të survejimit përballë bankave, po ashtu edhe për Parlamentin Europian dhe parlamentet kombëtarë përballë autoriteteve europiane të survejimit.

–       Kushte pjesëmarrje tërheqëse për vendet jashtë zonës euro me synim inkurajimin sa më shpejt të jetë e mundur në pjesëmarrje, duke limituar në këtë mënyrë rrezikun e segmentimit të tregut unik.

–       Një ndarje strikte e personelit të BQE-së në funksion të rolit të saj në fushën e politikës monetare dhe të survejimit, me synim lejimin e një kontrolli demokratik të degës së saj të supervizimit.

–       Një përforcim i Autoritetit bankar Europian, në raport me BQE dhe një përmirësim i kapacitetit të saj për të realizuar teste rezistuese dhe për të marrë informacione nga bankat dhe autoritetet kombëtare të survejimit. Autoriteti Bankar Europian (ABE) do të jetë gjithashtu i ngarkuar të zhvillojë këto praktika përputhjeje midis instancave kombëtare të supervizimit, duke respektuar shumëllojshmërinë e sektorit bankar në BE.

Sipas komunikimit për shtyp, PE duhet të aprovojë së afërmi, marrëveshjen finale. Ndërkohë parlamentet kombëtare duhet të shprehin pozicionet e tyre dhe Parlamenti së bashku me BQE duhet të kryejnë një marrëveshje ndërinstitucionale, mbi kontrollin demokratik dhe rregullat e transparencës. Për arsye juridike, detajet që kanë lidhje me pushtetet e kontrollit të Parlamentit mbi BQE si supervizuese, do të hartohen përmes një marrëveshje ndërinstitucionale.

Këto masa vijnë në një kuadër propozimesh për mbikëqyrje në nivel evropian duke pasur parasysh avancimin e krizës brenda vendeve të BE-së dhe për të krijuar një mekanizëm mbrojtje me synim mbikëqyrjen dhe parandalimin e problemeve, të cilat mund të shkaktojnë një efekt zinxhir në zonë.