Berisha Ramës: Mos lëndo shqiptarët

64

berisha taksatLideri i selisë blu e ka përmbyllur aktivitetin e tij elektoral në qytetin e Kuçovës, ku dhe ka prezantuar kandidatët për deputetë për qarkun e Beratit. Berisha u shpreh se uragani madhështor i Kuçovës është një mesazh i qartë për një fitore të thellë në 23 qershor.

“Mirënjohje për këtë uragan madhështor, uragan të fitores që përcjell në zemrat e mbarë shqiptarëve mesazh të madh të Kucovës, Beratit, të të gjithë qarkut për fitimtarë me shumicë në 23 qershor. Sot jam tek ju për tu dhënë fjalën se katër vitet që vinë me deputetin tuaj do bëjmë gjithcka për të ndërtuar në Kucovë infrastrukturën më moderne. Në pak vite u bëmë anëtarë të NATO-s, aleancës më të fuqishme të kohërave, sëbashku me përpjekje të mëdha firmosëm me BE kontratën historike të stabilizim asocimit, së bashku me punën tonë, përkushtimin tonë ne ia dolëm të bindim mbarë Europën se meritonim plotësisht të lëvizim të lirë. Së bashku ia dolëm të meritojmë statusin e kandidatit, ndaj le të vazhdojmë përpara për statusin, hapjen e negociatave, Shqipërinë e integruar në BE. Të vazhdojmë përpara përpjekjen tonë fisnike për të liberalizuar vizat me vendin mik të Shqipërisë, SHBA. Në këtë vend ne kemi miqtë më të mëdhenj, që na duan, respektojnë dhe punojnë për ne, që të lëvizim të lirë në vendin e tyre” tha ai.

Duke rikujtuar investimet e bëra në këtë qark, Berisha u ka premtuar banorëve të kësaj zone investime të mëtejshme në infrastrukturë, shërbime, si dhe në zhvillimin e turizmit.

“Në të katër anët e Beratit kemi ndërtuar dhe rindërtuar qindra km rrugë. Së bashku ndërtuam dhe rindërtuar në Berat rreth 78 shkolla, të vazhdojmë përpara për të ndërtuar dhe rindërtuar cdo shkollë, të shtrijmë internetin në cdo klasë. Në pak vite ia dolëm të rrisim si asnjë vend tjetër rrogat dhe pensionet. Ia dolëm të rrisim pothajse dy herë bizneset e vogla. Reformat tona kanë funksionuar dhe funksionojnë, ulëm taksat dhe morëm në katër vite mbi 4 mln dollarë investime. Katër vitet që vinë do ti clirojmë bizneset nga cdo taksë për makineritë dhe cdo gjë tjetër që do përdorin për prodhimet e tyre, fermerëve do tu kompensojmë akcizën e naftës, TVSH për produktet bujqësore. Kucova, Berati kanë pasuri përrallore, kanë trashëgiminë kulturore ndër më të cmuarat e kësaj toke. Në këto vite Berati që merrte 30 000 turistë dhe vizitorë ka marrë 300 000, ju garantoj se katër vitet që vinë do marrin 900 000” u shpreh Berisha.

Kryeministri nuk ka kursyer sulmet ndaj kampit kundërshtar, sloganit Rilindje, dhe kandidatëve për deputetë të PS për Beratin.

“Nga Kucova, qarku i Beratit do ti kërkoj zotit Rama të mos fyejë qyetarët shqiptarë kudo që janë brenda dhe jashtë kufirit. Ke ngritur në autobusin mavi një bandë dhe e krahason atë me rilindasit. Do tu paraqesësh Beratit ti Fidelin. Mos lëndo shqiptarët. Cfarë e lidh Kokëdhimën me Naim Frashërin, Tom Doshin me Ndre Mjedën? Këtë emërtim mund ta bësh vetëm ti për shkak të trashëgimisë sate, etërit tuaj urrenin rilindjen. Ti kërkon ti poshtërosh për së vdekuri ata” tha më tej ai.

Në përfundim të takimit në Kuçovë, Berisha ka lëshuar dhe një thirrje për beratasit dhe gjithë shqiptarët nga veriu në jug:

“Thirrja ime është për cdo qyetar shqiptar, zotëria, shoku me rilindjen e bllokut hoxhist nënkupton rilindjen e etërve të tij, por ajo është një e shkuar që nuk kthehet më. 23 qershori do jetë Vaterloja e tyre. Ju ftoj të shkojmë shumicë, fitimtar në zgjedhjet e 23 qershorit. Të votojmë për rrugën tonë drejt BE, për shqirtin tonë perëndimor, aspiratën e atyre që bënë Shqipërinë- Shqipëri, të votojmë për Kucovën dhe Beratin e zhvilluar, Kucovën dhe Beratin e projekteve gjigande, boshtin e Jugut, TAP, projekte të mëdha turistike, të votojmë për platformën tonë të punësimit të qytetarëve shqiptarë, trefishimin e granteve për fermerët, rritjen e rrogave dhe pensioneve, për një sistem modern të shëndetësisë dhe arsimit, për Shqipërinë e zhvilluar dhe europiane” përfundoi Kryeministri Berisha.