Berisha nga Orikumi: nuk e fal Ramën që zgjodhi Vlorën

59

berisha-vloreKryeministri Berisha ka qenë prezent sot në Vlorë, në qytetin e Orikumit me rastin e përurimit të fillimit të punimeve për Impiantin e ujërave të ndotura.

Gjatë kësaj vizite, inauguruese Berisha ka komentuar gjithashtu dhe disa momente përzgjedhjeje, që i përkasin listave të selisë rozë. Berisha ka pretenduar, se nuk ndërhyn në punët e brendshme të Partisë Socialiste, por ka ndërhyrë pikërisht në politikat e brendshme të partisë Socialiste, duke u revoltuar me faktin që Rama ka zgjedhur pikërisht Vlorën për të kandiduar.

Berisha theksoi, se do të kishte dëshiruar, që Rama të kandidonte në Tiranë, sepse atje ai ka selinë e tij, pa shpjeguar se përse ai vetë, që e ka pasur selinë në Tiranë që prej viteve ‘91 ka qenë gjithmonë kandidat i Kavajës. I njëjti paralelizëm vlen edhe për Kryetarin e Partisë Demokratike të rrethit Tiranë, Aldo Bumçi, i cili megjithëse selinë e ka po në Tiranë, është caktuar të kandidojë në Lezhë.

Berisha ka komentuar edhe përcaktimin e kandidaturës së Koço Kokëdhimës në Vlorë, të cilën e ka cilësuar si të pafalshme, duke e akuzuar Kokëdhimën për akte korrupsioni, nga Orikumi, pavarësisht ritheksimit, se nuk ndërhyn në çështjet e brendshme të PS-së.

Duke i qëndruar sërish linjës së mosndërhyrjes në punët e brendshme të Partisë Socialiste, Berisha ka theksuar, se Kokëdhima është Kryetari i Ramës.

Kryetari e ka selinë në Tiranë, duhej të kandidonte në Tiranë, por unë nuk ndërhyj në punët e brendshme të PS-së….Në Vlorë nuk erdhi Rama, erdhi Koçua. Një gjë ju them, t’ju sjellë Koçon ështe e pafalshme. Koçua njihet si njeriu që fitonte çdo tender rruge. Shkollave të Koços, u prishej tavani. Koçua i detyrohet Bashkisë së Tiranës, miliona euro. Në Himarë për Koço Kokëdhimën këndohet një këngë që thotë : Kush t’i lidhi sytë, Koçua ynë, se ia ka zënë sytë Himarës me pallate. Koçua ështe Kryetari i zotit Rama…”,- ka theksuar lideri i PD-së Berisha. /al.bl/