Berisha në Shkodër: Ju jap fjalën e nderit se do t’i shtoj investimet

58

jozefina-topalli-dhe-berisha-ne-shkoder-2Kryeministri Berisha mori pjesë sot në inaugurimin e rikonstruksionit të rrugës Ura Gjader – Mnele. Një rrugë me vlerë 198 milion lekë, gjatësi  7.2 km  dhe gjerësi  4.5 m. Nga rikonstruksioni i kësaj rruge përfitojnë mbi  5.000 banorë.  Rruga Ura Gjader – Mnel  lidh 3 fshatrat e komunës jo vetëm me njëra- tjetrën, por dhe me rrugën Lezhë – Vau i Dejës. Rruga krijon mundësi që këto zona të lidhen më shpejt  me Shkodrën dhe Lezhën. Rruga e re është e asfaltuar është e pajisur me të gjithë elementet e nevojshëm të infrastrukturës.

Në zonat e banuara rruga është e pajisur me trotuare për kalimin e këmbësorëve. Gjithashtu është sistemuar e asfaltuar sheshi komunës ku gjenden shkolla, qendra shëndetësore, zyrat e komunës, kisha e fshatit..etj. Nga rikonstruksioni i rrugës, punësimi dhe rritja e aksesit në tregun e punës janë një përfitim real i banorëve të kësaj zone. Rikonstruksioni i rrugës ndihmon në tendencën e rikthimit të banorëve të ikur këto 20 vjet. Gjithashtu infrastruktura do  të  nxisë zhvillimin e bujqësisë. Rruga do të bëjë të mundur zhvillimin e turizmit dhe zbulimin e trashëgimisë kulturore të kësaj zone. Kishat e vjetra dhe kalaja 400 vjeçare që tashmë janë lehtësisht të arritshme falë ndërtimit të kësaj rruge.

Kryeministri Berisha pas inaugurimit të rrugës u shpreh se ndihej i kënaqur që ndodhet aty së bashku me banorët e zonës për të ndarë gëzimin e inaugurimit të kësaj rruge, e cila lidh tre fshatra të komunë dhe lidh komunën me aksin kombëtarë të vendit, shkurton në mënyrë të ndjeshme distancën me Shkodrën dhe qendra e tjera, zëvendëson  një rrugë, e cila pothuajse ishte bërë  e pakalueshme.

Kryeministri Berisha premtoi shtim të investimeve në katër vitet që vijnë në Shkodër dhe në gjithë Shqipërinë duke mbyllur përfundimisht investimet në  infrastrukturë dhe duke kthyer vëmendjen nga sektori i bujqësisë.

Më tej kryeministri u shpreh – “Ne vijmë tek ju, si forca politike që së bashku me ju ndërtuam autostrada dhe aeroporte ndër më modernet. Ndërtuam një sistem shkollor  ndër më modernet me mbi 1300 shkolla. Ne vijmë tek ju, që së bashku me ju kemi mbështetur 42 mijë ferma dhe fermerë, por  vijmë para së gjithash tek ju se katër vitet që vijnë, ne duam të bëjmë shumë më tepër për ju dhe për shqiptarët. Me këto që së bashku kemi realizuar, ne kemi fituar besim të madh, se mund të realizojmë shumë më tepër. Nëse dikush i hedh sytë mandatit të parë me mandatin e dytë, çdo njëri do të gjejë se mandati i dytë  i ka realizimet për qytetarët shqiptarë dy herë më të mëdha se mandati i parë. Unë ju jap fjalën e nderit se mandati i tretë do ti ketë ndryshimet, do ti ketë përmirësimet, tre herë më të mëdha se mandati i dytë”.