Berisha: të shkulim çdo shkurre për të mbjellë një ulli apo një vresht

58

May-11-15-58-06Kryeministri Berisha inspektoi plantacionin e ullirit  në Komunën Vig Mnelë. I zoti i plantacionit kishte mbjelle mbi 1000 rrënjë ullinj dhe kishte përfituar nga subvencionet e qeverisë. Duke e falenderuar kryeministrin Berisha për ndihmën dhe mbështetjen që qeveria ka dhënë, ai shprehu dhe nevojën për mbështetje për sistemin e vaditjes me pika. Kryeministri  Berisha vlerësoi  punën e bërë nga ai dhe fermerët e tjerë për mbjelljen e ullinjve dhe premtoi se qeveria do të bëjë gjithçka, si për sistemin e vaditjes me pika ashtu dhe për subvencionimin në këtë zonë të një fabrike për përpunimin e vajit të ullirit me qëllim që kjo zonë, pas verës së Kallmetit të  njihet edhe për përpunimin e ullinjve. Kryeministri theksoi gjithashtu edhe domosdoshmërinë për hartimin e një projekti për të disiplinuar lumin Gjader, në mënyrë që të mos dëmtojë vreshtat dhe të mbjellat e fermerëve.

Kryeministri Berisha kërkoi nga fermerët, që ti kushtojnë një vëmendje të veçantë tokës, “ të shkulim çdo shkurre për të mbjellë  një ulli apo një vresht, ne nuk kemi  tokë për shkurre dhe shkurret ti kthejmë në dru frutore”.  Kryeministri Berisha premtoi  se, qeveria do të trefishojë ndihmën gjatë mandatit të ri për fermerët, ndërsa fermerët me punën e tyre të trefishojnë prodhimin.

Në qarkun e Shkodrës mbjelljet e reja dhe futja e teknologjive të reja e bashkëkohore në bujqësi kanë ecur me ritme të larta. Gjatë këtyre viteve vetëm nga skemat mbështetëse të Ministrisë së Bujqësisë për këtë qark kanë përfituar plot 1990 fermerë me një shumë prej mbi 520 milion lekë. Vetëm me këto grante në këtë qark janë mbjellë 638 ha ullishte si dhe 153 ha me vreshta.

Në Komunën Vig Mnellë janë mbjellë plot 30.000 rrënjë të reja me ullinj. Por suksesi me këtë kulturë është evident dhe fermerët kanë filluar që të prodhojnë vaj ulliri cilësor. Krahas subvencioneve për mbjelljet e reja, po mbështetet edhe ujitja me pika në këto ullishte (deri më sot janë mbështetur mbi  5 ha). Fermerët vazhdojnë të investojnë në mbjelljet e reja me ullinj, por gjithashtu kanë mbjellë edhe arra.

Kryeministri Berisha u ndal edhe në komunën Hajmel, zone në të cilën fermerët janë përqendruar kryesisht në kultivimin e vreshtave dhe të ullirit. Kryeministri vizitoi plantacionin me mbi 100 ha me vreshta ku pothuajse e gjithë sipërfaqja është e varietet autokton “Kallmet”, prej të cilave mbi 30 ha janë të mbështetura me grantet e qeverisë. Kryeministri u ndal në Shoqatën e Bashkëpunimit Vreshtor, një kooperativë kjo e krijuar nga fermerët dhe vreshtarët e zonës, të cilët kultivojnë dhe prodhojnë verën tipike të Kallmetit në kantinën me një kapacitet prej 500 Hl.

Nën shoqërinë e një gote vere Kallmeti autokton të prodhuar nga vreshtarët e zonës, kryeministri Berisha  u ndal dhe zhvilloi një bashkëbisedim ta.

Kryeministri Berisha përgëzoi për punën e bëre dhe shprehu kënaqësinë për përpjekjen e madhe të fermereve shqiptarë për të organizuar fermat e tyre mbi bazën e tregut, e prodhimit, e shitjes, e leverdisë dhe jo të  vetmjatimit.  “I tërë qëllimi ynë është që tu mbështesim”, theksoi kryeministri.

Kryeministri theksoi se qeveria ka dhënë  42 mijë grande. Ai siguroi se gjatë katër viteve që vijnë qeveria do të trefishojë investimet nga 5 milion dollarë dhe do të kalojë  në 165 milion dollarë.