Berisha inauguron Qendrën e Kontrollit dhe Menaxhimit të Trafikut Urban

58

Kryeministri Berisha inauguroi sot, Qendrën e Kontrollit dhe Menaxhimit të Trafikut Urban, në Tiranë. Ndërtimi i saj është realizuar nga një sipërmarrje e përbashkët e kompanive “Swarco Mizar” S.p.A dhe “SCAE” S.p.A Itali dhe është një investim me vlerë 2.3 milionë dollarë.

Kryeministri Berisha vlerësoi maksimalisht realizimin e këtij projekti, që synon përmirësimin e trafikut në kryeqytet, gjendja e të cilit ndikon drejtpërdrejt në shëndetin e qytetarëve. Gjithashtu, Kryeministri u shpreh se falë ndryshimeve që ka pësuar kryeqyteti në këto dy vitet e fundit, më kryesori sistemi i sheshit “Skënderbej”, është arritur të përmirësohet cilësia e ajrit.

Ndotja e ajrit në sheshin e qytetit dhe te ‘21 Dhjetori’ e tejkalonte 2-3 herë çdo lloj limiti dhe kalonte në nivelet e rrezikut edhe kërcënimit më maksimal. Kjo nuk është më sot. Këto aparatura tregojnë se sot qytetarët e Tiranës thithin ajër të atyre standardeve dhe normave si në qytetet miqësore ndaj mjedisit”, tha Kryeministri.

Kryeministri Berisha vlerësoi punën dhe angazhimin e kryetarit të Bashkisë, Lulzim Basha, i cili po bën realitet iniciativën e shpallur prej vetë atij dhe Partisë Demokratike  – Tirana një qyteti shëndetshëm.

Sot është kënaqësi e madhe për mua t’ju afirmoj se qeveria do të mbështesë vendosmërisht, si një interes kombëtar, çdo projekt të madh në këtë qytet”, tha Kryeministri Berisha. “Ne, – theksoi Kryeministri, – do të bëjmë gjithçka për të ngritur Tiranën në lartësinë e ëndrrës së qytetarëve të saj”/al.bl/