Aurora Allushaj
Benoit është nje gazetar ri, i talentuar dhe i apasionuar për vendet e Ballkanit. Prej disa vitesh lexon dhe informohet çdo ditë për trojet shqipfolëse. Ka vizituar Shqipërinë disa muaj më parë si i dërguar nga Bashkimi Europian. Në një intervistë për gazetën “Tirana Observer” dhe “Albaniaplus”, gazetari belg benoit Theunissen, tregon situatën aktuale në Shqipëri të parë nga syri i BE-së. Sipas tij Shqipëria është një vend kontradiktash. Ndër të tjera ai ka folur për disa prej çështjeve më delikate të momentit si reforma në drejtësi,azilantët dhe importi i plehrave.
Ju e njihni mirë situatën aktuale në Shqipëri (krimin e organizuar, korrupsionin etj). çfarë duhet të bëjë qeveria shqiptare për të përmirësuar gjendjen?
Jam në dijeni se është duke u bërë një reformë në politikë por edhe në drejtësi. Por, kjo nuk mjafton. Duhen të zbatohen ligje të reja dhe të çohen para drejtësisë pjestarët e organizatave kriminale. Kjo është edhe arsyeja pse Gjykata e Krimeve të Rënda është bërë operacionale në vitin 2004. Të gjitha këto reforma duhet të shoqërohen nga një vetëdije e vazhdueshme e shqiptarwve. Vetëm nëse brezi i ri është i bindur për domosdoshmërinë e këtyre reformave atëherë gjërat me të vërtetë do të ndryshojnë .
Shqipëria është konsideruar shpesh si “koshi”i Europës. Ka investigime të ndryshme që e konfirmojnë këtë. Sipas mendimit tuaj, kjo organizohet nga mafia, apo është në interesin e shteteve të tjera?
Sapo mori qeverine Edi Rama, vendosi disa rregulla shumë të rëndësishme për plehrat që importoheshin nga shetet e tjera. Ai ishtë shumë i qartë pasi vendi nuk ishte i aftë për të mbledhur dhe të ricikuar mbeturinat e prodhuara në vend e jo më ato jashtë territorit të saj. Që nga koha kur ishte në opozitë, Edi Rama e pati bërë problematike situatën e plehrave në vend. Në nëntor 2011, parlamenti votoi një ligj shumë kontradiktor, për trajtimin e mbetjeve të ngurta nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë. Ligji i cili përhapi shumë qejfmbetje dhe mërzi. Pavarësisht ndalimit të importit të mbetjeve, disa kompani shkojnë përtej ligjit duke kaluar mbeturinat e tyre si lëndëve të para. Mendoj se gjithçka organizohet nga mikro mafia, nuk ka lidhje me shtetet e tjera.
Keni qenë në Shqipëri si vëzhgues i Bashkimit Europian. Si ishte e gjetët Shqipërinë gjatë vizitës suaj?
Edhe pse Shqipëria konsiderohet si një nga vendet më të varfëra në Evropë, gazetarët evropianë të cilët ishin bashkë me mua kanë parë një zhvillim pozitiv në Shqipëri gjatë 10 viteve të fundit. Disa periferi të Tiranës janë ende në ndërtim e sipër, kryeqyteti po modernizohet gradualisht. Diçka që vura re është kontrasti social. Aty shihen për shembull rregullisht supermakina në disa lagje shumë të varfëra. Gjithashtu binte në sy udhëtimi nga aeroporti, kur ne dimë se pothuajse 20% e shqiptarëve jetojnë nën nivelin e varfërisë. Por, mbetem shumë optimist për të ardhmen e vendit tuaj. Kam takuar shumë të rinj shumë dinamike që tashmë bëjnë pjesë e qeverisjes. Unë personalisht mendoj se është brezi i ri që do të bëjë hapat e duhur për Shqipërinë.
Sipas mendimit tuaj a është Shqipëria gati për të hyrë në Bashkimin Europian?
Shqipëria është tashmë në rrugën e duhur, por duhen ende shumë përpjekje për të arritur qëllimin final. Korrupsioni dhe lufta ndaj krimit të organizuar janë përparësitë kryesore në sytë e Komisionit Evropian . Pavarësisht përpjekjeve të shumta të ngritura nga DG Enlargement Në raportin e progresit 2014 , duket se Shqipëria ende ka nevojë në reformimin e institucioneve të saj politike dhe gjyqësore. Qeverisja ekonomike nuk duhet të harrohet . Në qoftë se Shqipëria një ditë do të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian, ajo do të duhet të jetë ekonomikisht më e fortë dhe tërheqëse për investitorët e huaj. Përkundër të gjitha përpjekjeve në të kaluarën dhe të ardhmen, Komisioneri Evropian Jean- Claude Junckere ishte i qartë: nuk do të ketë zgjerim të mëtejshëm të Bashkimit Europian gjatë këtij mandati.
Në Belgjikë ka një emigracion shqiptarësh që prej viteve ’50. Si i shikoni emigrantët e Belgjikës? A janë integruar?
Emigracioni shqiptar në Belgjikë daton që në vitet 50-të, në kohën e Shqipërisë komuniste. Ndërkohë në vitet 70-të, shqiptarët e ish-jugosllavisë filluan të vinin në Belgjikë për të gjetur punë. Ka qenë lufta në ish-Jugosllavi dhe Kosovë, e cila i ka detyruar të vijnë në Belgjikë. Pra, në Belgjikë ka shqiptarë të Malit të Zi, Maqedonisë, Shqipërisë dhe Kosovës. Megjithatë, belgjit e brezit tim, të lindur në fund të 80-të ose më vonë, nuk e kuptojnë këtë emigracion në shumë aspekte. Komuniteti shqiptar në Belgjikë tani ka dhjetëra mijëra njerëz dhe është një komunitet i qetë, që nuk krijon probleme. Unë mendoj se termi "komunitet" është më i përshtatëshmi për të përshkruar shqiptarët e Belgjikës. Emigrantët shqiptarë në Belgjikë janë përfaqësuar shumë herë me deputet të tyre në parlamentin lokal. Aktualisht ka një eksod shqiptarësh në Europë të cilët kërkojnë azil. Cfarrë rrezikojnë këta persona? Rreziku me i madh është për Shqipërinë e cila humbet një masë të madhe të rinjsh në moshë pune. Gjithashtu më lejoni të theksoj se Shqipëria ka popullatën më të re në kontinentin Europian. Nëse të gjithë këta të rinj do të emigrojnë është ekonomia shqiptare që do të vuajë pasojat.
Megjithatë , forcimi i ekonomisë së vendit është një nga kushtet themelore për të hyrë në Bashkimin Evropian. Komisioni Evropian ka njoftuar disa herë autoritetet shqiptare për këtë çështje.
A trajtohen kërkesat e azilkërkuesve shqiptarë në të njëjtën mënyrë me ato të kombeve të tjera? Sa janë shanset që këta persona të marrin një përgjigje pozitive?
Shqipëria është tashmë një vend i sigurt. Ajo nuk bën pjesë në një zonë lufte. Kjo është arsyeja pse azilkërkues shqiptarë mund ta kenë më të vështirë se aplikantët e kombësive të tjera. Tashmë prioriteti qëndron tek refugjatët sirianë dhe tek ata ku emergjenca është më e madhe. Megjithatë, çdo person që kërkon azil politik apo ekonomik qoftë trajtohet si rast më vete, nuk ka një gjykim kolektiv.
Për Bashkimin Europian, Shqipëria konsiderohet si një shtet i sigurt. Përse atëhere shqiptarët vazhdojne të kërkojnë azil në Europë?
Paga mesatare në Shqipëri mbetet nën 400 euro. Për këtë shumë persona përpiqen të vendosen në vendet e Bashkimit Evropian. Për fat të keq, nuk është kaq e thjeshtë. Kostoja e jetesës është në rritje në Evropë dhe inflacioni nuk e ndihmon aspak. Disa vende evropiane ku hyn edhe Belgjika janë ende duke luftuar për tu shëruar nga kriza ekonomike. Një numër i konsiderueshëm i të diplomuarve janë ende duke luftuar për të gjetur punë të qëndrueshme dhe një qira të përballueshme. Një pjesë e madhe e të rinjve zgjedhin të kthehen përsëri për të jetuar me prindërit për arsye ekonomike. Për këto arsye shumë emigrantë shqiptarë që vijnë në Evropë zhgënjehen shumë shpejt. Nëse situata socio-ekonomike është tashmë jo e lehtë për shumicën e evropianëve, atëherë do të jetë edhe më pak për ta.