Basha i falenderoi deputetët e parlamentit europian për mbështetjen që ata dhe parlamenti europian i ka dhënë në vijimësi Shqipërisë.
Presidenti Svoboda falenderoi Kryetarin Basha për pritjen miqësore dhe shprehu vlerësimin për realizimin e zgjedhjeve të 23 qershorit nga ana e qeverisjes së Partisë Demokratike konform standardeve ndërkombëtare por edhe për rotacionin demokratik dhe qëndrimin dinjitoz e të vlerësuar që Partia Demokratike dëshmoi pas përfundimit të këtij procesi. Duke biseduar për zhvillimet poltike në vend, Kryetari Basha theksoi se pas shkatërrimit të paprecedent të konsensusit nga ana e mazhorancës PS-LSI, është intensifikuar sulmi ndaj administratës publike profesioniste me largime masive e kolektive nga puna dhe me zëvendësime me militantë politikë pavarësisht vendimit të Gjykatës Kushtetuese që e ka shpallur antikushtetues e për rrjedhoje pa asnjë fuqi juridike, aktin normativ të qeverisë që ndryshoi unilateralisht ligjin të nëpunësit civil.
Policia dhe organet e rendit po përjetojnë një degradim të paprecedentë gjatë këtyre 20 viteve, si pasojë emërimeve politike dhe në kundërshtim flagrant me ligjin e standardet e një policie të një vendi demokratik, përdorimit të policisë për qëllime politike e antiligjore duke reflektuar drejtpërsëdrejti në përkeqësimin dramatik të indikatorëve të krimit, trafiqeve të drogës dhe të tjera, në dobësimin e rendit e sigurisë në vend dhe rritjen e kriminalitetit që po kërcënon përditë jetën dhe pronën e qytetarëve shqiptarë. Qeveria Rama-Meta ka lancuar një sulm të papranueshëm ndaj institucioneve të pavarura si ILDKP, AMA, etj, u shpreh Basha, në shkelje të hapur të kushtetutës, si dhe po ushtron presion politik mbytës mbi institucionet e drejtësisë. Me kokëfortësi e arbitraritet, mazhoranca, Kryeministri Rama dhe qeveria nuk zbatojnë vendimet e gjykatave të pavarura, siç është vendimi për kthimin në detyrë të drejtoreshës dhe anëtarëve të bordit të INSTAT. Me një akt flagrant antikushtetues, INUK-ut i janë dhënë kompetenca në shkelje të Kushtetutës, ligjit, parimeve themelore të shtetit të së drejtës, autonomisë vendore dhe të drejtave të njeriut, duke shkatërruar pa asnjë pengesë pronat e ligjshme të shqiptarëve.
“Pas skandalit të blerjes së votave si goditje ndaj themelit të demokracisë, ka shpërthyer një tjetër skandal i tipit mafioz me ndërhyrjen e paligjshme në serverin e zyrës së Tatimeve, dhe vjedhjen e të dhënave fiskale të miliona qytetarëve shqiptarë dhe bizneseve të tyre. Kërkesës së opozitës për transparencë përmes ngritjes së komisionit të hetimit parlamentar, mazhoranca Rama-Meta iu përgjigj me një shkelje të re te nenit 77 te Kushtetutës”, informoi Basha, z.Svoboda.
Kryetari Basha theksoi se pavarësisht kësaj mësymje antidemokratike ndaj Kushtetutës, ligjit dhe shtetit të së drejtës dhe parimeve të konsensusit demokratik, Partia Demokratike dhe opozita shqiptare vijon të mbetet e palëkundur në qëndrimin e saj për mbështetje pa kushte të të gjitha hapave dhe reformave madhore të procesit të integrimit. Në përgjigje të interesimit të eurodeputeteve në lidhje me qëndrimin që duhet mbajtur përsa i përket shqetësimeve të ngritura na opozita, Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se i vetmi qëndrim që ndihmon Shqipërinë dhe shqiptarët në tërësi për të avancuar në rrugën e integrimit europian është insistimi tek standardet, moszhbërja, por çuarja e tyre përpara.
“Duke insistuar në forcimin dhe jo zhbërjen e shtetit ligjor, votën e lirë dhe jo shitblerjen e saj, respektimin e pavarësisë së institucioneve dhe jo vënien e tyre nën kontroll politik, mund të garantohet progresi i qenësishëm i Shqipërisë në rrugën e integrimit europian”, theksoi Basha. Çdo përpjekje tjetër për të fshehur të vërtetën dhe lustruar keqqeverisjen, nuk ndihmon askënd, madje as vetë dyshen Rama-Meta.