Basha: Qeveria fillim jo të mbarë, duam transparencë

40

lulzim bashaPartia Demokratike unifikon qëndrimin për të përdorur gjitha mjetet demokratike ndaj qeverisë ‘Rama’, për të mos lejuar mungesën e transparencës dhe llogaridhënies si dhe kontrollit parlamentar.

“Komunikimi konfliktual dhe refuzimi për transparencë është shenje e keqe dhe fillim jo i mbarë i mazhorancës. I japim mundësinë ta korrigjojë këtë gabim dhe i themi të tërhiqet nga ky akt që buron nga mungesa e seriozitet dhe përpjekja për të zhdukur transparencën. Nëse nuk reflektojnë opozita do të mbajë qëndrimin e unifikuar dhe të prerë për këtë akt të papranueshëm. Përgjegjësia është e mazhorancës. Bëjmë thirrje të shmangin konfliktualitetin dhe provokimet dhe ti kthehen normalitetit duke i siguruar kohën e nevojshme me kohën që kjo opozitë i ka dhënë opozitës që tashmë është në mazhorancë me qëllim që të kemi debat transparent. Qëndrim i unifikuar do thotë se ne jemi gati të marrim cdo hap për të mbrojtur parimet e shenjta të transparencës dhe llogaridhënies si dhe kontrollit parlamentar”, deklaroi Basha në një konferencë për shtyp, pas takimit me dyer të mbyllura me aleatët e PD-së.

Numri 1 i demokratëve theksoi se mazhoranca përdori sot gjuhën e konfliktualitetit me opozitën, e cila kërkoi kohë për tu njohur me programin dhe për të përgatitur pyetjet në lidhje me premtimet që socialistët i kanë bërë shqiptarëve. Basha i bëri thirrje qeverisë “Rama’ të tërhiqet nga vendimi përndryshe do të përballet me reagimin e opozitës.

“Sjellja arrogante e përfaqësuesve të mazhorancës, refuzimi për të kryer detyrimin në raport me Kushtetutën dhe qytetarëve shqiptarë është një problem i cdo qytetari shqiptar, ne konstatojmë mungesë të theksuar serioziteti tek kryeministri i dekretuar i cili për më shumë se një muaj ka marrë kohë publike për të njoftuar lloj-lloj emërimesh të këshilltarëve, seminare dhe konferenca të kabinetit në pritje pa bërë transparencën e programit. Sot u përdor gjuha konfliktuale me opozitën, në një kohë që kërkuam kohën e nevojshme për tu njohur me programin dhe për të përgatitur pyetjet në raport me premtimet. Shpresojmë që kjo opozitë të mos shtyhet në vendimmarrje nga mungesa e tolerancës dhe fryma e konfliktualitetit”, tha Basha.