Basha: Krim elektoral në Korçë nën bekimin e Ramës

53

Lulzim-Basha-PD-deklaron1-565x413Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha me anë të një deklarate për mediat ka akuzuar Partinë Socialiste se ka shkatërruar zgjedhjet e pjesshme të mbajtura të dielën. Sipas Bashës, para të mafies janë hedhur për të blerë pushtetin e Bashkisë së Korçës.

“Partia Socialiste e Edi Ramës damkosi dhe shkatërroi me paratë e pista zgjedhjet e mbajtura ditën e dielë  në  qytetin e Korçës. Emisoni investigativ “ Fiks Fare” i televizionit “Top Channel”, kapi me presh në duar një  prej bandave të  rrjetit kriminal,  organizuar me regjistra, me kompjutera  dhe para të thata për të blerë votën e qytetarëve  korçarë në bazë të një plani  të detajuar, të përgatitur  me kujdes në zyrat e PS. Banda e kapur nga kamerat e “Fiksit”  dhe simotrat e saj të vendosura në pika të ndryshme të qytetit  për të  blerë  vota, për të blerë abstenimin e zgjedhësve,  e ushtruan  veprimtarinë e tyre kriminale  nën hundën dhe me bekimin e Edi Ramës.

Në Korçë Rama dhe të tijtë bënë të dielën një provë të përqendruar të kësaj metode të përdorur edhe në zgjedhjet politike të 23 qershorit, me planin për ta përdorur gjerësisht në zgjedhjet e ardhshme. Ky është shpjegimi i arbitraritet dhe paligjshmërisë që po ngrenë me shpejtësi në sistem në qeverisjen e tyre:  eliminimi i zgjedhjeve të lira, eliminimi nëpërmjet  blerjes së votës i gjykimit të  drejtë popullor. Partia Demokratike denoncon fuqishëm këtë krim të rëndë jo vetëm ndaj qytetarisë së Korçës, por ndaj gjithë shqiptarëve pa dallime politike. Blerja e votës është vrasja e demokracisë. I kërkojmë prokurorisë që në mënyrë urgjente të kryejë sekuestrimin e të gjitha materialeve në të gjitha zyrat e Partisë Socialiste në Korçë. Te kryejë një hetim të shpejtë, të plotë dhe të gjithanshëm të ekzekutorëve që blenë votat në shkëmbim të parave por mbi të gjitha te organizatorëve që përdoren para te mafias për të blerë pushtetin e bashkisë së Korçës”, u shpreh Basha.