Arvizu : Disa gjyqtarë duhet të ishin në burg

59

aleksander-arvizuAmbasadori  i SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu, tha se pavarësia e gjyqësorit mbetet sfida më e madhe për sistemin e drejtësisë. Këto deklarata ambasadori i ka bërë gjatë fjalës së tij në simpoziumin mbi etikën gjyqësore. Ai  ka bërë apel sot për përkushtim të madh për pavarësinë në gjyqësor. Sipas ambasadorit, Shqipëria nuk është e vetme në këtë rrugë, ajo ka mbështetjen e partnerëve dhe të SHBA-së për ndërtimin e shtetit ligjor.

“Nuk ka gjë më të rëndësishme në një demokraci sesa roli që luan gjyqësori i pavarur dhe pavarësia e gjyqësorit, nuk është mendimi im personal, politikë e qeverisë së SHBA për pavarësinë e gjyqësorit. Pavarësia është për të vendosur bazuar ne ligjin dhe faktet dhe jo trysninë politike, për ta mbajtur veten e pastër ndaj gjyqtarëve të pandershëm e të korruptuar” tha ambasadori.

Ambasadori Arvizu u shpreh se për të pasur një gjyqësor të pavarur duhet përkushtim nga ana e të gjithë aktorëve, duke shtuar se SHBA-ja është e gatshme për ta ndihmuar Shqipërinë në këtë drejtim.

“Ne mbështesim këtë pavarësi dhe jemi këtu për tu ndihmuar.  Gjykatësit kanë përgjegjësi të madhe, populli pret drejtësi për të trajtuar të varfrit njësoj si të pasurit, për t’u qëndruar trysnive jo vetëm të fuqishmëve politikisht, por edhe atyre që janë pranë jush”, u shpreh Arvizu.