Ky hap vjen në një kohë kur niveli i kredive të këqija ka arritur në 24%, një nga më të lartët në rajonin e Ballkanit.
Kreditë që konsiderohen të humbura dhe po fshihen nga bilancet e bankave kanë arritur në gati 60% të totalit të huave të pakthyera në afat, apo rreth 440 milionë euro. Përmes fshirjes së kredive të këqija parashikohet që niveli i tyre të zbresë në 17% të totalit, duke përmirësuar situatën e sistemit dhe duke lehtësuar bankat për të kredituar më shumë individët dhe bizneset.
“Ka një efekt pozitiv psikologjik qoftë për bankat, qoftë për kredimarrësit”, thonë bankierët. Proçesi që pritet të zgjasë për një periudhë njëvjeçare do të mundësojë fshirjen e kredive të këqija nga bilancet e bankave, duke i lehtësuar ato nga pagesat e detyrimeve tatimore për këto shuma, si dhe lehtësimin nga niveli i lartë i kredive të këqija. Bankierët theksojnë se i gjithë ky është një proçes thjesht kontabilizimi bankar dhe nuk ka asnjë efekt tek individët, të cilët në asnjë mënyrë nuk duhet të presin për një falje të kredive që nuk i kanë kthyer bankave.
Ky proçes mendohet si i nevojshëm, pasi do të pastronte bilancet e bankave nga kreditë me probleme të bartura nga e kaluara, për të cilat është i panevojshëm pasqyrimi i tyre. Fshirja e tyre në asnjë rast nuk nënkupton heqjen e detyrimit të kredimarrësit për të shlyer detyrimet e tij, apo amnistinë për to. Edhe pas fshirjes së kredisë nga bilanci, detyrimi i kredimarrësit mbetet në librat e bankës si një llogari ekstra kontabël, si dhe në Regjistrin e Kredive në Bankën e Shqipërisë.