Banda e tritolit, Prokuroria hetime për nxjerrjen e sekretit hetimor

53

arme atentateProkuroria e Përgjithshme njofton se ka nisur procedimin penal për nxjerrje të sekretit hetimor, për funksionarët publikë, të cilët kanë publikuar informacione JOZYRTARE, lidhur me operacionin dhe hetimet, në kuadër të të cilave janë arrestuar disa persona të dyshuar si të përfshirë në vepra të rënda penale, ndër të tjera edhe vrasje me pagesë.

Procedimi në këtë rast bazohet në nenet 122 dhe 294 të Kodit Penal, si edhe në nenet 103, 104 dhe 279 i Kodit të Procedurës Penale.

Deri më tani konstatohet se nga burime, për të cilat po punohet për t’i identifikuar, i janë ofruar medias të dhëna, të cilat rrezikojnë hetimin dhe, për më tepër, jetën e personave të përfshirë në këtë çështje.

Gjithashtu, organi i prokurorisë do të vijojë të ndjekë me vëmendje çdo informacion JOZYRTAR që do të publikohet për këtë çështje dhe do të vijojë me procedimet penale për çdo person që ka për detyrë të ruajë sekretin, duke pasur parasysh se hetimi për këtë çështje është në fazat e para të tij.