Ballkani Perëndimor, vlerësimi i sfidave 10-vjeçare

59

106153303 (1)Në Dublin të Irlandës është organizuar Konferenca me temë ‘10 vjet pas Selanikut: Një vlerësim i perspektivës së BE-së dhe sfidave në Ballkanin Perëndimor’’. Synimi i  Konferencës, ishte reflektimi mbi progresin 10 vjeçar, vështirësitë e hasura si edhe kuadri i plotësimit të projekteve, me fokus integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor. Në këtë Konferencë të nivelit të lartë, morën pjesë më shumë se 100 drejtues politikë, funksionarë të lartë dhe ekspertë, të cilët kanë kontribuar në procesin e zgjerimit.

Komisioneri për Zgjerimin dhe Politikat e Fqinjësisë Stefan Fule, i ftuar në këtë Konferencë, ka vlerësuar në fjalën e tij, arritjet dhe sfidat kryesore të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në këtë 10 vjeçar. Duke iu referuar vetvetes, Fule theksoi se 10 vite më parë, BE kishte vetëm 15 Shtete Anëtare dhe askush nuk do të kishte menduar, se një Komisioner nga një Shtet i ri Anëtar do të udhëhiqte zgjerimin, 10 vite më vonë.

Në fjalën e tij, ai iu rikthye disa çështjeve të rëndësishme, të cilat janë bërë pjesë e debatit në Parlamentin Europian, duke vlerësuar se vetëm pak ditë pas debateve në Strasburg, Serbia dhe Kosova, arritën një marrëveshje historike. Fule vlerësoi, se ky është një ndryshim loje për këto vende dhe për Ballkanin në tërësi. Ai përmendi afrimin e ditëve për hyrjen e Kroacisë në BE si vendi i 28-të, duke konsideruar gjithashtu, se dhe vendet e tjera po lëvizin drejt BE-së.

Komisioneri për Zgjerimin, parashtroi sfidat, që gjenden përpara vendeve të Ballkanit Perëndimor, nëpërmjet tre përqasjeve:

Së pari, u konsiderua perspektiva e qartë për integrim Europian, që kanë tashmë vendet e Ballkanit Perëndimor, duke u theksuar gjithashtu puna e madhe që është bërë, që prej Këshillit Europian të Dhjetorit, duke treguar se viti 2013, është viti i oportuniteteve.

Së dyti, u vlerësua fakti se vendet kandidate duhet të jenë të vëmendshme ndaj oportuniteteve dhe të përdorin tërësisht momentin, që është krijuar. Çka përkthehet në një avancim të përpjekjeve, në tre drejtime:

–      Respektim i sundimit të ligjit

–      Adresim i çështjeve bilaterale

–      Përballje me vështirësitë ekonomike

Së treti, u theksua nevoja e rajonit, për të shfaqur kurajën dhe vizionin e lënies pas, të së kaluarës së tij; promovimin e pajtimit dhe të reformave si edhe progresin drejt një të ardhme të stabilizuar, e cila është e ankoruar në Bashkimin Europian.

Komisionieri për Zgjerimin Fule, i bëri thirrje vendeve partnere, që të afrohen dhe të përfitojnë nga këto oportunitete. Ai theksoi se, eksperienca tregon se sa më i madh të jetë konsensusi në vend, mbi axhendën europiane, aq më i shpejtë është dhe progresi i vendit në rrugën e tij drejt Bashkimit Europian.

Ai vlerësoi gjithashtu, rolin e mbështetjes politike ndër partiake në lidhje me axhendën evropiane, si një nga pikat kyçe të situatës duke konsideruar rolin e një opozite konstruktive e cila nuk bojkoton parlamentin.

Në mbyllje të fjalës së tij, Komisioneri për Zgjerimin, Fule falënderoi gjithashtu Presidencën Irlandeze për rolin e saj në lidhje me zgjerimin, duke theksuar se, Kroacia u bë vend kandidat gjatë Presidencës Irlandeze të Këshillit më 2004 dhe hyrja e saj në BE, po finalizohet, po si sukses i Presidencës Irlandeze, më 2013.