Avokati i Popullit kërkon iniciativë legjislative për hapjen e dosjeve

51

igli totozaniInstitucioni i Avokatit të Popullit kërkoi sot  ndërmarrjen e një iniciative legjislative me qëllim hartimin dhe miratimin e një ligji për hapjen e dosjeve.

Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e këtij institucioni, Elona Demollari, u shpreh se “Institucioni i Avokatit të Popullit, në kuadër të mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave të njeriut, nisur nga ankesa të paraqitura nga individë ish të persekutuar politikë, por edhe në një kuadër më të gjerë angazhimi institucional për krijimin e standardeve të mirëqeverisjes, ka vlerësuar dhe vlerëson se, shoqëria jonë meriton të kete një proces transparent të hapjes së dosjeve”.

“Ky proces gjykojmë se është një nga çështjet e vonuara dhe ende të pazgjidhura të shoqërisë sonë, duke kërkuar ndarjen  nga e kaluara totalitare dhe antivlerat e saj, si dhe nxjerrjen e drejtësisë historike nepermjet transparencës në jetën publike”, u shpreh Demollari.

Sipas saj, “përpjekjet e bëra deri tani në këtë drejtim kanë rezultuar të pasuksesshme në kuadër të respektimit të normave, parimeve dhe vlerave demokratike të shtetit të së drejtës”.

“Kjo gjë evidentohet që nga ligji nr.8043 datë 30.11.1995 “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik”, dhe hyrja në fuqi më pas, e ligjit nr.10034 datë 22.12.2008 “Për pastërtinë e figurës së funksionarëve të lartë të administratës publike dhe të të zgjedhurve”, i cili me vendimin e Gjykatës Kushtetuese nr.9 datë 23.03.2010, të bazuar edhe në opinionin e kërkuar të Komisionit të Venecias, u shfuqizua si i papajtueshëm me Kushtetutën. Ky proces i brendshëm, i bazuar edhe në një Rezolutë të Kuvendit të Shqipërisë, të datës 30.10.2006, “Për dënimin e krimeve të kryera nga regjimi komunist në Shqipëri”, është komplementuar paralelisht në koncept dhe ide me akte të organizmave ndërkombëtarë, anëtare e të cilave është edhe Shqipëria, sikundër Rezoluta 1096 (viti 1996), e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, apo përsëritja e saj në thelb në një formë më të zgjeruar, me Rezolutën 1481 (25 Janar 2006), por nuk ka mundur të nxjerrë një produkt të gjithëpranuar, përmes miratimit të një ligji gjithëpërfshirës e të mbështetur në parimet ekzistenciale të një shoqërie demokratike, për hapjen e dosjeve”, theksoi Demollari.

Sipas saj, “situata e krijuar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese nr.9 datë 23.03.2010, ka krijuar një ngërç institucional dhe ligjor, i cili afekton të gjithë jetën politike, sociale dhe psikologjike të shoqërisë shqiptare, për shkak të mungesës së një filtri ligjor, që përputhet me një qëndrim parimor në këtë çështje, për të ditur se cilët janë në raport me të shkuarën, individët politikëbërës, drejtues dhe vendimmarrës, apo përfaqësues”.

Avokati i Popullit, Igli Totozani

Ne, vijoi Demollari, “gjykojmë se, një ligj për hapjen e dosjeve, për më tepër pas kaq vitesh tranzicion, nuk duhet të kthehet në një ligj “represiv” ndaj individëve të caktuar, por në një mundësi reflektimi për shoqërinë në tërësi”.

“Një raport i drejtë midis të drejtës së publikut për të marrë informacionin dhe interesit publik për të ruajtur të rezervuara disa të dhëna duhet të përbëjë edhe thelbin e konceptimit të këtij ligji”, theksoi zëdhëësja e AP.

“Sa më sipër, me qëllim kryerjen e një procesi real të hapjes së dosjeve në vend, si një element i rëndësishëm i respektimit të të drejtave të njeriut, në kuadër të shtetit të së drejtës, kemi sugjeruar nevojën e realizimit të iniciativës legjislative për miratimin e një ligji për hapjen e dosjeve, sipas standardeve më të mira ndërkombëtare.Rekomandimi per ndermarrjen e kesaj inisiative u eshte derguar Kryetarit te Parlamentit, kryeministrit, kryetareve te grupeve parlamentare dhe deputeteve te pavarur. Gjithashtu Avokati i Popullit ka negociuar dhe me grupet e interesit ne lidhje me kete rekomandim kaq te rendesishem per shoqerine tone”, përfundon deklarata e Institucionit të AP.