Atentati ndaj biznesmenit të ndërtimit në Durrës, shoqërohen 25 persona

68

atentat eksplozivPolicia e Durrësit ka shoqëruar rreth 25 persona të cilët do të merren në pyetje në lidhje me ngjarjen e djeshme ku automjeti i një biznesmeni ndërtimi shpërtheu pas vendosjes së një sasie tritoli.

Ngjarja ndodhi mesditën e djeshme në rrugën Plazh-Plepa ku Xhemal Çela, është hedhur në erë me makinën e tij dhe vetëm fati i ka shpëtuar jetën, megjithëse gjendja e tij shëndetësore është kritike.

Biznesmeni po ecte me makinën e tij dhe papritur është gjendur i përfshirë nga flakët shoqëruar me një shpërthim të fuqishëm.

Sipas dëshmitarëve në vendngjarje drejtuesi i automjetit ka kuptuar se në automjetin e tij po ndodhte diçka, pasi pak sekonda para shpërthimit ai ka frenuar dhe ka tentuar të dalë menjëherë nga makina.

Banorë të zonës kanë ndihmuar 45-vjeçarin që të dalë nga autovetura që kishte marrë flakë gjithandej.

Pas mjekimeve të para në spitalin e Durrësit, 45-vjeçari është përcjellë në Tirane, ku po i nënshtrohet ndërhyrjeve të specializuara kirurgjikale dhe mjekët theksojnë se ai ka dëmtime të rënda në gjymtyrët e poshtëm.

Ndërkohë një nga pistat kryesore të hetimit të policisë është konfliktet që biznesmeni Xhemal Çela mund të ketë pasur në fushën e ndërtimit, por nuk përjashtohen edhe pista të tjera.

Ndërkohë shpërthimet me tritol janë kthyer në ngjarje të ditës. Vetëm pak ditë më parë u hodh në erë automjeti I kreut të komunës Qendër në Vlorë Fredo Berberi ndërsa autorët ende nuk janë gjetur nga policia.