Dhimitër Pojanaku akuzohet se ka marrë ryshfet rreth 500 mijë lekë për të mos nisur një proces gjyqësor. Pojanaku është arrestuar në kushtet e flagrancës dhe në këtë rast nuk nevojitet më parë miratimi i KLD-së. Ndërkaq policia bën me dije se vijon operacioni policor për kapjen e personave të tjerë.
Dhimitër Pojanaku është një emër i njohur në qytetin e Pogradecit, pasi përveç punës si gjyqtar ai është edhe poet. Ai ka botuar disa vëllime poetike si: “Shiu lexon trishtimin tim”, “Mëngjes dhe pak natë”, “Xhindët kapërcejnë polka” etj. Në vitin 2002 ka marrë edhe çmimin “Penda e argjendtë”. Dhimitër Pojanaku është shpallur “Qytetar Nderi” në Pogradec.
Ndërkohë Prokurori i Përgjithshëm, në bazë të nenit 137, pika 4 e Kushtetutës, njofton menjëherë Këshillin e Lartë të Drejtësisë për arrestimin e shtetasit Dhimitër Pojanaku, me funksion gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Pogradec, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, parashikuar nga neni 319/ç i Kodit Penal.
Arrestimi i shtetasit Pojanaku është kryer me urdhër të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, e cila ka kryer veprime të shpejta hetimore, pas kallëzimit nga ana e një shtetase. Në bazë të veprimeve hetimore është dokumentuar fakti që ai ka marrë para nga shtetasja kallëzuese, në këmbim të heqjes dorë nga një çështje në gjykim, për të cilën ishte e interesuar drejtpërdrejtë ajo.