Në pranga ka përfunduar 32 vjeçari, Besmir Lupi, ndaj të cilit rëndojnë dy akuza, ajo e pjesëmarrjes në një grup të strukturuar kriminal si dhe për përfshirje në trafikun e drogës.
Ndaj Lupit, Gjykata e Krimeve të Rënda ka lëshuar urdhrin e arrestit më 11 maj 2018, për trafik droge në bashkëpunim dhe për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal.
Policia e Vlorës informon: “Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda Tiranë ka dërguar urdhërin për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Krimeve të Rënda Tiranë Nr.96 datë 11.05.2018, e cila i ka caktuar masën e sigurimit personal ‘Arrest me burg’, për veprën penale të “Trafikimit të narkotikëve”. Në kuadër të këtij operacioni është arrestuar më parë nga Policia turke edhe kreu i grupit të strukturuar kriminal Met Kanani”.
Policia e Shtetit bënte me dije në maj se 32 vjeçari nga Vlora kishte rolin e transportuesit të drogës me anë të skafeve.
Ndërkohë, burime nga policia bëjnë me dije se janë shoqëruar edhe dy persona të tjerë pjesëtarë të grupit kriminal.
Operacioni në maj -Policia shqiptare bëri me dije më 11 maj goditjen e një grupi që kishte kryer trafikun e sasive të mëdha të drogës drejt vendeve të BE-së.
Në krye të grupit sipas policisë ishte Met Kanani, ndërsa u arrestuan edhe 4 financuesit, 8 ndërmjetësuesit, transportuesit dhe magazinieri.
Në kuadër të këtij operacioni të koduar “Precizioni” të nisur në shtator 2017, janë arrestuar gjithsej 66 persona si dhe janë sekuestruar 8.4 ton drogë.
Në Shqipëri u ekzekutuan urdhër-arrestet ndaj 13 personave dhe disa të tjerë u shpallën në kërkim përfshirë edhe 32 vjeçarin nga Vlora i arrestuar sot (13 shtator).
Arrestimet u kryen në Tiranë, Elbasan, Fier, Vlorë, Lezhë, Korçë dhe Shkodër.
Ndërkohë, disa pjesëtarë të këtij grupi të strukturuar kriminal që operonte në disa shtete për trafikimin e drogave, ndodhen tashmë në burg në Maqedoni dhe në Turqi ku është i arrestuar edhe Met Kanani.