Imami do të jetë i pari, i cili do të përballet me drejtësinë për serinë e skandaleve dhe aferave të konsumuara gjatë ushtrimit të detyrës si ish-Ministër i Mbrojtjes.
Sipas Sot, lajmi është konfirmuar nga deputetët të PS-së. Deputeti Qefalia ka deklaruar se aktualisht janë duke u bërë verifikime dhe se për individët që kanë abuzuar me ligjin dosja do të shkojë në prokurori. Ndërkohë deputeti Piro Lutaj ka pohuar se, po verifikohet veprimtaria e Imamit, pasi ai e shndërroi ushtrinë në bandë private. Edhe deputeti Sterkaj ka pohuar se, Imami do përgjigjet për shitjen e pronave dhe armëve të Ushtrisë. Ndërkohë deputeti Gjoni është shprehur, se Imami duhet të hetohet për të gjithë skandalet dhe se PS ka katër vite që kërkon hetimin e tij. Por, gjithsesi sipas Gjonit, kjo do të varet nga vullneti politik i qeverisë së re.
Imami është akuzuar publikisht mbi shumë abuzime dhe shkelje të rënda ligjore, si: Kontratat për ambientet e Spitalit Ushtarak; Përvetësimi i SHQUP; Përgjimi i opozitës dhe ambasadorëve; Tjetërsimi i 670 pronave të Ushtrisë; Skandali me ish-klubin Partizani; Shmangia e Presidentit në emërime; Trafiku i armëve dhe raporti-akuzë i OKB; 1 miliard lekë të Ushtrisë shkuan për fushatën e PD; Angazhimi i Ushtrisë në zgjedhje; Shitja e 14 avionëve luftarakë; Devijimi nga axhenda e NATO; Skandali me taksat e helikopterit; 700 mijë dollarë reklama tek Klani; Abuzimet me gradat në Ushtri; Skandali me afatet e demontimit të armëve.