Ankthi i jetës me vdekjen nëpër këmbë

22

Esmeralda Marinaj rrëfen për gazetën Dielli betejën për jetën në sallat e reanimacionit në Milano, Itali, intervistë dhënë gazetarit Sokol Paja

Në sytë e pacientëve që luftojnë me vdekjen, punonjësit e shëndetësisë janë “engjëjt” e tyre. Përveç Zotit qiellor, këta njerëz të jashtëzakonshëm janë forca, besimi dhe shpesa e pacientëve për ringritje nga krevati i vdekjes. Përkushtimi i këtyre “engjëjve” dhe asistimi në çdo moment në përballjen me armikun vdekjeprurës, i jep çdo pacienti një forcë të madhe në këtë luftë të tmerrshme ku vdekja kërcënon në çdo cast. Mbështetja e personelit shëndetësor është burim i jashtëzakonshëm qëndrueshmërie e mos dorëzimi. Këta “engjëj” janë dëshmitarët e fundit të pacienteve në kacafytjen e jetës mbi vdekjen. Një betejë kjo sa e egër, sa e dhimbshme por aq dhe krenare. Këta s’janë vetëm heronj por edhe dëshmitarë të gjallë se sa e sa përpjekje u bënë çdo ditë për jetën, për shpirtin, për njeriun.
Ankthi se mos vdekja ka goditur gjatë natës ndonjë jetë, e bën mëngjesin e Esmeraldes të frikshëm, të trishtueshëm, të padurueshëm. Sapo del nga shpija duke vrapuar nëpër rrugicat e Milanos deri në spitalin e mirenjohur “H.P”, mëngjesi i Esmeraldës është plot ankth. Mezi pret të shohë gjëndjen e pacientëve që luftojnë me vdekjen. Mëngjeset fillojnë me lutjen e shpresës se lufta do mbarojë shpejt e jetët në rrezik do të shpëtohen e vdekja do ikë duar thatë.
“Andra tutto bene” është bërë moto e jetës për të mposhtur vdekjen në çdo spital italian. Një ngushëllim i dyfishtë i cili përmban brënda shumë mister, përshpirtshmëri, lutje dhe shpresë. Një “Padre Nostro” urata që çdo ditë shoqëronte Esmeralden për në punën e saj si punonjëse e vijës se parë të luftës në Milano, muajt e fundit ka marë një tetër kuptim. E stërmunduar por kurrë e dorëzuar nga ditët e ngarkuara me betejën jeta-vdekje, te lutja e “Ati Ynë” ajo merr forcën për të gjetur një tjetër ditë motivuese në kalendarin e tmerrit covid-19. Kufoma, njerëz që përpëliten në oksigjen, çaste lamtumire e vetmie, sirena policie e ambulancash çdo ditë në rrugët e Milanos të kujtojnë një kohë apokalipsi. Shpresa se të intubuarit do bëhen më mirë dhe se shpirtrat në koma do kthehen prapë në jetë, i jep Esmeraldës forcën e arsyes për të besuar se mrekullitë ndodhin dhe se për ata që besojnë në Zot, s’ka asgjë të pamundur. Edhe kur vdekja godet pabesisht, edhe kur fiken përpjekjet, besimi në Zot, burimi i shpresës dhe forca e sentencës “andra tutto bene” duket sikur i jep çdo personeli shëndetësor pak oksigjen, pak shtysë, pak kohë, pak frymë dhe pak kurajo për mos dorëzim. “Do shkojë gjithçka mirë, do ia dalim së bashku të gjithë” është momenti kur fjala ka një peshë të jashtëzakonshme, edhe më shumë se te Ungjilli i Gjonit Apostull. Pacientët kanë të frikë të flënë, të mbyllin sytë se mbase s’do zgjohen më kurrë. I vetmi çast që sdo doja kurrë të isha prezente rrëfen Esmeralda është lamtumira on line e pacientit me familjen. Një çast teknologjik që shkëput jetën prej vdekjes. Një videocall që skalitet përgjithmonë në memorien tënde. Të gjendur në “intubacione respiratore” pacientët që luftojnë fisnikërisht me vdekjen shihen në “vidiochiamate” me të dashurit e zemrës, nga ku japin shpesh lamtumirën e fundit, një pikëllim on line, një trishtim i paimagjinueshëm, një ndarje e pabesë, një dëshmi e fundit jete përpara dorëzimit përfundimtar.
Besimi dhe lutja se një ditë të afërt s’do të shohë më jetë të humbura, vdekje të trishta njerëzish të vetmuar, i jep Esmeraldës dhe kolegëve të saj kurajon dhe forcën të punojë pa u ndalur.
Nuk ka mission më të shenjtë sesa të mbash jetën gjallë në sallat e vdekjes.
Esmeralda Marinaj jeton me familjen dhe nga tmerri se mund të sjellë virusin vdekjeprurës në shtëpi, ajo izolohet në një dhomë të posaçme. Tragjizmi i jetës rrefen Esmeralda është të luftosh me vdekjen në spital dhe më pas të të ngjitet vdekja pabesisht deri në shtëpinë tënde. Një ankth i dyfishtë i një jete me vdekjen nëpër këmbë.
Vdekja është ngjarja më e pabesë në jetën e njeriut.
Motivi për të shpëtuar jetë, e mposhtë frikën për për të vdekur.
Pas çdo përpjekjeje, rrëfen Esmeralda, pas çdo luftë, pas çdo beteje, me dëshirën që jeta të fitojë mbi vdekjen edhe kur gjunjët na dridhen, prapë se prapë nuk dorëzohemi dhe besojmë fort: “andra tutto bene”.