Ambasada Britanike: “Crown Agents” serioze, akuzat politike të rreme

54

ambasada-britanike_554402Pas akuzave të njëpasnjëshme të opozitës në lidhje me kontratën që qeveria ka bërë me kompaninë “Crown Agents”, vjen reagimi i ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar, në Tiranë.

Ambasada Britanike, përmes një njoftimi për shtyp, bën të ditur se kompania britanike “Crown Agents” i ka propozuar qeverisë së Shqipërisë një projekt për të përmirësuar menaxhimin dhe performancën e shërbimit doganor dhe thekson se akuzat ndaj kësaj kompanie janë të rreme.

“Në Shqipëri për disa kohë ka pasur probleme me mbledhjen e taksave dhe të ardhurave doganore. Ka një nevojë të menjëhershme dhe serioze për të rritur të ardhurat nga doganat dhe taksat, në mënyrë që qeveria e Shqipërisë mund të sigurojë shërbimet dhe projektet që janë të kërkuara nga qytetarët e vendit. Kompania britanike Crown Agents i ka propozuar qeverisë së Shqipërisë një projekt për të përmirësuar menaxhimin dhe performancën e shërbimit doganor. Vendimi për këtë projekt të propozuar varet tërësisht nga qeveria e Shqipërisë dhe parlamenti shqiptar. Kontrata e plotë ka qenë dorëzuar në kuvend në mënyrë që të informohen për përmbajtjen e saj”, -thuhet në njoftimin për shtyp.

Ambasada Britanike në Tiranë thekson se kjo kompani është e respektuar në Mbretërinë e Bashkuar dhe se vepron në përputhje me legjislacionin britanik.

 “Është e rëndësishme të merret në konsideratë se Crown Agents është një kompani shumë e respektuar në Mbretërinë e Bashkuar. Ajo ka qenë e përfshirë në më shumë se njëqind vende të botës, dhe ka punuar gjerësisht në projekte për qeveritë e Mbretërisë se Bashkuar, Shteteve te Bashkuara dhe Japonisë. Aktivitetet e Crown Agents janë plotësisht në përputhje me ligjet dhe procedurat e Bashkimit Evropian, dhe mbështetës te procesit të anëtarësimit evropian të Shqipërisë”.

Ambasada Britanike i ka cilësuar të rreme akuzat e bëra nga qarqet politike shqiptare lidhur me kompaninë Crown Agents.

“Disa individë në qarqet politike shqiptare dhe në media kanë bërë akuza të rreme për korrupsion dhe praktika të pandershme biznesi kundër Crown Agents.  Ata që merren me shqyrtimin dhe diskutimin e projekt-propozimit duhet të jenë të vetëdijshëm se këto pohime janë të keqinformuara dhe krejtësisht pa baza”, -thuhet në njoftim.