Altin Arapi: “Ja si Shqipëria ka mashtruar Gjykatën e Strasburgut”

220

Altin Arapi- photoAurora Allushaj

Një personazh krejt ndryshe nga çfarë më ishte servirur. I qetë, elokuent, me një shikim të mprehtë pas syzeve optike. Takohemi në banesën e tij, në një prej lagjeve të Brukselit. Sapo hyjmë, bie menjëherë në sy ambienti i stërmbushur me libra në gjuhë të ndryshme. Bashkëshortja e Arapit, pas prezantimit tërhiqet me finesë duke na krijuar ambientin e nevojshëm për bashkëbisedim të lirë. Në këtë intervistë ekskluzive për Shqiptarja.com, Altin Arapi, i akuzuari si një nga anëtarët e organizatës së ashtuquajtur “Hakmarrja për Drejtësi” rrëfehet mbi vendimin e fundit të Gjykatës së Strasburgut dhe hedh dritë mbi disa fakte të panjohura deri tani.

Kam kontaktuar disa herë me ju, por keni refuzuar të më jepni intervistë. Arsyeja ?

Nuk e kam qëllim në vetvete ekspozimin. Mendoj se, sa herë kam reaguar kam qenë në rrethana detyruese për shkak të presionit të lartë politik, që ushtrohet. Presion, që ka deformuar dhe vazhdon të deformojë vullnetet juridike. Sigurisht brenda lirisë së kufizuar, që ato gëzojnë.

Si e pritët vendimin e Gjykatës së Strasburgut ?

Nuk kisha arsye të habitesha. Prej kohësh avokati im belg, është paralajmëruar pikërisht për këtë ndërhyrje, që mund të ndodhte. Në këtë kuadër, i është përcjellë në kohë reale emërimi i personave përkatës me ardhjen në pushtet të Berishës, roli, funksioni, si edhe lidhjet e tyre të afërta me kreun e qeverisë dhe kryetaren e Parlamentit. Sigurisht, është e vështirë për një kabinet të huaj avokatie, që të konsiderojë probabilitetin e një ndërhyrje reale, ndaj Gjykatës së Strasburgut. Por, ja që ndodhi.

Janë 5 vendime, që nuk më përkasin mua, të dërguara nga autoritetet shqiptare, të cilat nuk mbartin thjesht rolin e një ngatërrese, por kanë shërbyer për të mbyllur dhe rrëzuar pikën më të ndjeshme të juridiksionit të Strasburgut, “prezumimin e pafajësisë”. Në fq. 17 të vendimit nëpërmjet paragrafëve 86-89, GJEDNJ përligj dhunimin e prezumimit të pafajësisë, të kryer nga ish- Prokurori i Përgjithshëm Sollaku, ku nëpërmjet shkresave, që i dërgonte Belgjikës për ekstradimin tim, më konsideronte fajtor përpara se të isha shpallur i tillë.Citoj: “Altin ARAPI, është një kriminel i njohur, i kërkuar tashmë për shumë vrasje, grabitje bankash, rrëmbime dhe akte terroriste. ARAPI është kreu i një grupi kriminal të quajtur “Hakmarrja e Drejtësisë” ( dok. i dërguar nga Prokuroria e Përgjithshme Shqiptare, firmosur nga Sollaku, n°108/10, dt. 30 tetor 2003).

Bazuar sërish në këto dokumente GJEDNJ, ka përligjur edhe deklaratat publike fajësuese të Sali Berishës dhe Bujar Nishanit, ky i fundit në rolin e zëdhënësit të PD-së. Janë këto 5 dokumente, qe kanë ndikuar gjithashtu në formësimin e një paragjykimi në shqyrtimin e kësaj çështje. (Ilustrim- vendimi faqe 1+2 dhe faqja 17. paragrafi 86-89 + koka e vendimit me gjeneralitetet e Altin Ibrahim Arapi)

Nuk mendoni se, është thjesht një gabim ?

Me sa duket, përzgjedhja e këtij modeli manipulimi është bërë me kujdes, që në një rast zbulimi të merrte alibinë e “ngatërresës”, ashtu siç nxituan ta përdorin këtë alibi edhe në media. Por, së pari nuk duhet të harroni se, kjo çështje nisi me “ngatërresa” të tilla, ku akuzat e provuara shkencërisht,(gjurmë gishtërinjsh, etj), se vrasja ishte kryer nga Orik Shyti, u transferuan tek Altin Arapi. Dhe kjo u shit gjerësisht në opinionin publik, si një ngatërresë njerëzore. Një ngatërresë, që për gjyqësorin në Shqipëri nuk shkakton asnjë lloj përshtypje, por që për gjyqësorin në Belgjikë është shenja kryesore e manipulimit. Diferenca mes dy vendeve dhe drejtësive respektive, nuk ka vend për t’u komentuar.

Por, le të marrim versionin e preferuar të manipuluesve, “ngatërresën njerëzore”. Nëse ajo e ka burimin nga zyrat e Avokaturës së Shtetit, kjo ngatërresë është provë e papërgjegjshmërisë dhe mungesës së lartë të profesionalizmit, që hetimi administrativ dhe penal duhet detyrimisht ta zbardhë.

Ju e përjashtoni mundësinë që kjo ngatërresë të ketë ndodhur nga vetë Gjykata e Strasburgut ?

Nëse, kjo “ngatërresë” është kryer në Gjykatën e Strasburgut, barra e përgjegjësisë profesionale dhe morale bie mbi trupin gjykues të kryesuar nga gjyqtari italian, Guido Raimondi. Siç thotë edhe avokati im belg “Si është e mundur që një trup gjykuesish profesionistë, të dhunojnë parimet elementare të së drejtës, siç janë detyrimi për saktësi, principi i kujdesit, parimi i proporcionalitetit. Mos harrojmë se, Gjykata e Strasburgut është gardiania absolute e së drejtës për një gjykim të drejtë. Dhe kur kjo Gjykatë dhunon haptazi këtë të drejtë, këtu tronditet besimi, që vetë qytetarët e vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, duhet të kenë ndaj këtij institucioni”.

Ku bazohej ankimi juaj në Strasburg ?

Kryesisht në dhunimin e së drejtës për një gjykim të drejtë, të dhunimit të prezumimit të pafajësisë,të drejtës për liri dhe siguri,e drejta për një proces të rregullt,etj.

Mendoni se keni qenë pjesë e një procesi të padrejtë ?

Faktet flasin vetë. Po ju rikujtoj vendimin e Ministres së Drejtësisë belge, që tek akuzonte autoritet shqiptare se kishin tentuar të përdorin dhe manipulojnë policinë belge u shkruante ndër të tjera, se “Gjurmët e gishtërinjve, të dërguara nga autoritetet shqiptare, që duhet të tregonin se Arapi, ishte në vendin e ngjarjes kur Genci Sina u vra, por se këto elementë nuk u dërguan veçse pasi autoritetet belge, i kishin dërguar autoriteteve shqiptare gjurmët e gishtërinjve të Arapit”. Dhe bëhet fjalë pikërisht për dyshimin se këto gjurmë ishin manipuluar. Se, eksperti daktiloskopik i këtyre gjurmëve Orest Afezolli, ishte tashmë një person me precedent për kryerjen e falsifikimit të shumë ekspertizave. Dhe se, i njëjti ekspert kishte kryer një ekspertizë të shpallur të pavlefshme nga Gjykata e Shkallës së Parë, më 12 shkurt 2003, në lidhje me çështjen “Hakmarrja për Drejtësi”.

Asnjë dëshmitar nuk tha në sallën e gjyqit, që vrasësi është Altin Arapi. I vetëm dëshmitar, që deklaroi se vrasësi isha unë, me një detajim përshkrues mahnitës,për çdo vesh gjyqtari dhe ku i kishte ngelur pa përmendur vetëm adresa e shtëpisë sime, ishte gruaja e Sollakut, Zengjinja. E cila gënjeu, paturpësisht, nga fillimi deri në fund! Kjo ishte arsyeja, që e larguan dëshmitarin kyç të çështjes, shoferin A.T i cili deklaron se vrasësi ishte me flokë gështenjë. Bazuar në këtë nevojë, kërcënuan me arrest dhe e dënuan me një vit e gjysmë burg, dëshmitarin tjetër B.D që deklaroi po të njëjtën gjë, se vrasësi ishte thuajse biond. Dhe shokët dhe kolegët e Zengjines, po ashtu paturpësisht tek shkruanin vendimin e tyre, vulosnin se, “siç u vërtetua nga dëshmitarët, se vrasësi është Arapi”. Ripërsëris, se i vetmi dëshmitar që tha se vrasësi isha unë, ishte gruaja e atij, që kërcënoi publikisht gjyqtarët, që pushuan çështjen e “Hakmarrjes për Drejtësi” në vitin 2003, Theodhori Sollaku.

Mos harrojmë, se për një vit e gjysmë rresht tek e mbanin në paraburgim të fejuarën time, prokurorët e çështjes, kur ajo kërkonte sipas ligjit të njihej me provat e akuzës i deklaronin se: ” Imelda, po nuk ka parë gjë gruaja e Sollakut, se perdet e makinës ishin të mbyllura…”. Çka e detyroi atë, të bënte një deklaratë publike për thirrje të dëshmitarëve okularë. Dhe Sollaku mashtroi,duke marrë dhe gruan e tij prej dore drejt këtij mashtrimi !

Ku i kanë hedhur dëshmitë e dëshmitarëve okularë, të Bulevardit të madh të Tiranës? Thonë se vrasja u krye në mes të bulevardit? Asnjë logjikë nuk mund të pranojë, se këto dëshmitarë nuk janë pyetur. Ku i kanë çuar dëshmitë e kamerierëve, që e thonë me bindje në dokumentet e tyre, se i kanë shërbyer vrasësit mbrëmjen e vrasjes ? Ku i kanë çuar ekspertizat e gjurmëve të gishtërinjve të kryera në tavolinë ku paskërka pirë edhe ngrënë vrasësi? Sigurisht që në kosh, pasi ato thonë, që vrasësi nuk është Arapi. Duke eliminuar të gjithë dëshmitarët,dhe provat që provonin pafajësinë time, ngeli e vetme dhe e pakontestueshme, me një dëshmi mbresëlënëse vetë gruaja e Theodhoriut, ish shërbëtorit të Berishës, që pasi e shfrytëzoi, e shtrydhi si një limon dhe pasi s’kishte ç’të nxirrte më nga ai, e hodhi në koshin, ku ka hedhur shumë të tjerë.

Mendoni se ish Prokurori i Përgjithshëm ka manipuluar dosjen, për ç’arsye ?

Arsyeja bazike është mbulimi i vrasjes së shoferit të tij. Pse ? Më mirë se ai dhe gruaja e tij, nuk i di kush arsyet. Faktet flasin vetë. Këto fakte ua shkroi dhe komunikoi edhe Brukseli. Por, kam edhe një mesazh për të: “Duhet të reshtësh me veprimet e tua kriminale ndaj meje dhe bashkëshortes sime. Çdo veprim që ke kryer, me ndihmën e “dhëndërushit” belg të Shkodrës, jo vetëm na është transmetuar në kohë reale, por edhe siç duhet të të kenë njoftuar është denoncuar tek autoritet e drejtësisë së Brukselit. U është shpjeguar në detaje ku keni ndërhyrë, shtyrë, manipuluar, mashtruar dhe dezinformuar me synim inkriminimi. Zmbrapsu! Jepi fund tentativa të tua dhe përpiqu të gjesh paqen shpirtërore në familjen tënde!”

Në fakt, sipas informacioneve që unë kam, dhe nuk mund ta mohoj se burojnë nga prokuroria ju konsideroheni si krijuesi i platformës, ideatori i skemës bazë të organizimit dhe formave të rekrutimit, hartuesi i vetë emërtesës “Hakmarrja e Drejtësisë”. Të njëjtat burime thonë se, rrezikshmëria juaj është e lartë dhe për shkak të formimit ushtarak, që keni pasur ?

Nuk e di në duhet t’jua marr si kompliment përcaktimet mbi inteligjencën e lartë individuale të atij niveli, që mund të krahasohet me ato të strukturave të shërbimeve sekrete të një shteti, apo duhet ta konsiderojë si dozë të një humor të zi, bjerraditës, që vazhdon ende të kryejë efektet e një bari hipnotik. Gjykata shqiptare e ka pranuar falsifikimin, se modeli i shkrimit tim është marrë dhe shfrytëzuar, për të hartuar gjithçka ju përmendni më sipër.

Pra, nuk keni pasur si qëllim të vrisnit, ish-Presidentin Sali Berisha, të rrëzonit qeverinë demokratike dhe të sillnit klikën komuniste në pushtet ?

(qesh) Jam më se i sigurt, se kam një sistem të mirë të menaxhimit të anktheve dhe shqetësimeve të mia, por dyshoj nëse pala në fjalë arrin të menaxhojë dëshirat, ëndrrat dhe iluzionet personale, për t’u shndërruar në hero të demokracisë dhe martir të kombit shqiptar. Disa lloj ëndrrash, janë të vështira për t’u bërë realitet !

Çfarë prisni nga Strasburgu ?

Pas vendimit të shpallur më 30 korrik 2015, është depozituar nga avokati belg, një ankim në urgjencë në Gjykatën e Strasburgut ku kërkohet Korrigjimi dhe Rishikimi i vendimit të dhënë, rithirrja e të njëjtit trup gjykues, dhe pas korrigjimit ankimi të deklarohet i pranueshëm dhe i bazuar. Avokati belg ka denoncuar rastin edhe në Këshillin e Evropës, ku ndër të tjera kërkohet mbikëqyrja e Korrigjimit dhe Rishikimit nga GJEDNJ. Ndërsa avokati shqiptar, i është drejtuar Ministrit të Drejtësisë shqiptare, Nasip Naço me një letër ku kërkohet nisja e një hetimi administrativ dhe penal mbi çështjen në fjalë.

Botuar ne Shqiptarja.com