AK, Pashaj jep dorëheqjen

55

Sekretari-i-pergjithshem-i-Aleances-Kuq-e-Zi-Myslym-Pashaj-320x214Numri dy i Aleancës Kuq e Zi, Myslym Pashaj ka dorëzuar sot në mesditë dorëheqjen e parevokueshme nga posti i Sekretarit të përgjithshëm të AK-së.

Koloneli, profesori i hartografisë, njeriu i cili mundi të ngrinte në këmbë Shqipërinë për të kuptuar se me paktin detar me Greqinë po i vidhej integriteti territorial, një prej themeluesve dhe një prej figurave më të shquara dhe më aktive të Aleancës Kuq e Zi konfirmoi për gazetaren e TV A1 REPORT dorëheqjen e parevokueshme.

“Sot në 12:00 dorëzova dorëheqjen e parevokueshme nga Sekretar i Përgjithshëm. Nuk kam rënë dakord për çështje parimore me kreun e AK”- konfirmoi në një lidhje telefonike TVA1 Report.

Pyetjes a do përfshihet në ndonjë parti tjetër politike Pashaj u përgjigj me “Jo”. Ai nuk pranoi të vërë në dispozicion të medias një kopje të dokumentit ku shpjegonte arsyet e dorëheqjes duke e argumentuar se është “dokument konfidencial mes meje dhe strukturave të AK”

Distancimi i Pashajt nga AK ndodhi pas dështimit të negociatave për koalicionet parazgjedhore dhe publikimit të listës për depute, ku Pashaj nuk figuronte në listë.

Dorëheqja e Myslym Pashajt është në vazhdën e largimeve të drejtuesve të rëndësishëm të kësaj partie por dhe të shkrirjes së strukturave në qytete të ndryshme, si Vlorë e Gjirokastër.

Një ditë më parë Pashaj komentonte në facebook përdorimin e emrit të tij nga Kreshnik Spahiu në mitingun e Fierit

“Kreshnik ! Ju flet Pashai!

Ti ke axhendën tënde. Para saj nuk të ndal kush. “ Hap Krahun! “ është një slogan rutinor i joti. Të vaftë mbarë! Në Fier, shkove me ritmin dhe marrshimin tënd “ pa ta bërë tërr syri” . Unë s’mund të vija sepse ti e kishe kryer, tanimë veprën tëndë, me përdorjen e aq shumtë të asaj që mbahet përmendsh “ “ Ja tani do të dalë në skenë për të folur ai që mundi dy shtete…” sikur unë të isha një farë “Bajlozi” apo “Katallani” për t’i shtuar jetë përrallës tënde!

Keshnik! Ju flet Pashai!

Ti prezanton deputetë të ardhshëm me pasion fitimtari, dhe sërish thërret atë njeriun që e kishe në krahë, e në mungesë të tij, prapë e nxjerr nga xhepi i karizmës tënde duke ia hedhur ndër duar, simpatizantëve tanë të Qarkut të Fierit, në Teatrin “Bylis”. Ata duartrokitën dhe shqyen sytë, të më kërkonin se ku isha, pse s’kisha ardhur. Mirpo ti e kishe refrenin e keqpërdorur dhe e solle prapë në treg, se të duhej, medoemos.

Mos Kreshnik, se të mallkon Kombëtarizmi im.

Unë isha në Fier tek bashkësia jonë idealiste dhe kombëtariste, por jo tek Ti!
Kreshnik ! Ju flet Pashai !

Po ç’mund të jetë vallë ajo histeri !? “ për të ndjekur, me mallkim e kërcënim ata tradhëtorët, që mund të largohen…‘” “ T’i ndjekim hap pas hapi, në brimë të miut, t’i kapim, t’i pështyjmë…” duke keqpërdorur aq turpshëm vargun e himnit të flamurit: “ Nga Lufta veç ai largohet . Që është i lindur tradhëtor ! ” Nga cilat tribu vjen kjo histeri që nuk ka lidhje me dashurinë dhe mbrothësinë që dëshiron të sjellë Kombëtarizmi ynë ?
Kreshnik ! Ju flet Pashaj!”/ shqiptarja.com/