AK: 6 kushte për koalicion

68

kreshnik-spahiu-15Kryetari i Aleancës Kuq e Zi, Kreshnik Spahiu, bëri publike sot përmes një deklarate  për shtyp, gjashtë kërkesat zyrtare të forcës politike që ai drejton lidhur me koalicionet e mundshme parazgjedhore me partitë anti-qeveritare. Spahiu sqaroi gjithashtu se kërkesat e AK nuk janë pazare politike, por standarde morale, politike, etike, ligjore dhe kombëtare për të cilat AK është e vendosur të mos lëshojë.

Spahiu deklaroi gjithashtu se AK dënon ashpër të gjitha spekulimet mediatike në këtë moment vendimtar për bashkëpunimin e forcave opozitare, qëllimi i të cilave është largimi njëherë e përgjithmonë i shtetasit Berisha.

Spahiu i është drejtuar të gjitha partive politike, të cilat kërkojnë bashkëpunim me këtë lëvizje që kërkesat që AK pretendon, të kushtëzohen nga një pakt kombëtar dhe historik, i cili duhet të përmbajë :

1- Rikonfigurim të të gjithë mekanizmit elektoral, duke përfshirë kapacitetet njerëzore dhe ekspertët e propozuar nga AK në të gjitha nivelet e komisioneve zgjedhore duke filluar nga KQV, KZAZ, grupet e numërimit dhe deri në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kjo është e vetmja garanci për të siguruar votën e lirë dhe të barabartë të të gjithë shqiptarëve.

2- Marrëveshje politike dhe elektorale për hapjen e debatit mbi ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe kodit elektoral, nga sistem proporcional rajonal në sistem kombëtar ose të korrektuar.

3- Marrëveshje politike për miratimin e një strategjie dhe platforme për heqjen e kufirit dhe doganave mes dy shteteve shqiptare, Shqipëri – Kosovë, si dhe heqjen e çdo barriere tjetër që pengon unifikimin kombëtar.

4- Marrëveshje politike për të standardizuar demokracinë parlamentare apo pushtetin qendror dhe lokal nëpërmjet kufizimit të mandateve politike jo më shumë se dy mandate për çdo drejtues politik, kryeministër, kryetar partie, deputet, ministra, kryetar bashkie etj.

5- Reformë Kushtetuese në sistemim e drejtësisë duke hequr të gjitha pengesat politike për dorëzimin, kallëzimin, hetimin dhe ndëshkimin e çdo zyrtari të lartë politik duke filluar nga kryeministri aktual.

6- Marrëveshje politike për ndarjen e tre pushteteve dhe pavarësinë e tyre duke filluar nga ndarja  parlamentit me qeverinë ku asnjë ministër të mos jetë deputet.

Spahiu deklaroi gjithashtu, se AK pret partitë opozitare që t’i bashkohen asaj, në nënshkrimin e këtij pakti kombëtar, në të kundërt theksoi Spahiu, AK ka zgjedhur një aleancë tjetër, aleancën me popullin. e.k/