AI: 10 mënyra për t’i mbyllur gojën një gazetari

66
foto press freedom
foto press freedom

Sipas Amnesty International, qeveritë dhe organizma të tjerë në mbarë botën, kanë perfeksionuar teknikat e destinuara ndaj gazetarëve, që kërkojnë të ekspozojnë shkeljen dhe dhunimin e të drejtave të njeriut. Akuza të rreme, heqje e lejeve të punës, vrasje, etj.

Ja kush janë 10 mënyrat për t’ia mbyllur gojën një gazetari :

Sulmet fizike

Në disa vende si Siri, Turkmenistan dhe Somali, qeveritë, forcat ushtarake dhe grupet e armatosura, sulmojnë dhe arrijnë dhe të vrasin gazetarë që janë kritikë, përballë politikave dhe praktikave të tyre.

Në muajin nëntor të vitit të kaluar, kameramani Hussam Salameh dhe gazetari Mahmoud al Koumi, dy palestinian të televizionit Al Aqsa TV (që i përket Hamasit), janë ekzekutuar nga një raketë izraelite që shënjestroi veturën e tyre në qytetin e Gazës. Për Amnesty International, viktimat ishin civilë, edhe pse autoritetet ushtarake izraelite kishin konfirmuar, se këto dy persona ishin agjentë të Hamasit.

Në maj të 2012, një snajper ekzekutoi Abd al Ghani Kaake, një gazetar 18-vjeçar, ndërkohë që ai filmonte një manifestim në Alep të Sirisë. Grupe të opozitës, të armatosur, kanë sulmuar dhe vrarë po ashtu gazetarë.

Gazetari Miguel Ángel López Velasco, gruaja dhe djali i tyre, janë rrahur në shtëpinë e tyre në Verakruz, në Meksikë, nga njerëz të armatosur, të paidentifikuar, në qershor 2011. Ato kishin marrë edhe kërcënime me vdekje.

Abdihared Osman Aden, nga Somalia, është rrahur nga të panjohur, ndërkohë që po kthehej nga puna më 19 janar 2013. Ai është një nga 23 gazetarët e vrarë në vend, që prej 2011.

Kërcënimet me burg

Gazetarët rrezikojnë gjithashtu të akuzohen në kuadrin e një legjislacioni, që penalizon shprehjen paqësore të opinioneve, ose elementëve të fabrikuara për synime politike, me synim pengimin e lirisë së shprehjes.

Më 12 mars Avaz Zeynal, u deklarua fajtor për korrupsion, kërcënim, refuzim të aplikimit të një vendimi drejtësie dhe për evazion fiskal. Ai u dënua me 9 vite burg në Ajzerbaxhan. Ky gazetar mbulonte çështjet e korrupsionit dhe kritikonte shtypjen e presidentit mbi mediet dhe militantët.

Në Iran, 18 gazetarë janë arrestuar që prej janarit 2013 dhe akuzuar për bashkëpunim me mediet ‘antirevolucionare’ të bazuara jashtë shtetit. Me dhjetëra gazetarë dhe blogues, janë pas hekurave aktualisht në Iran.

Më 5 shkurt 2013, Abdiaziz Abdnur Ibrahim, është dënuar me një vit burg në Mogadiscio, në Somali, pasi kishte ‘fyer’ një institucion kombëtar, pas intervistimit të një gruaje, e cila kishte deklaruar se, ishte përdhunuar nga forcat qeveritare. Gjykata Supreme e anuloi çështjen në mars.

Në janar 2012, gazetarët Reyot Alemu dhe Woubshet Taye,  u shpallën fajtorë për aktivitete terroriste në Etiopi. Përgjatë këtij procesi, ndërhyrja e avokatëve ishte e kufizuar, të akuzuarit nuk kishin të drejtë për një interpretim adekuat dhe elementët e provës, që ishin marrë nën shtrëngesa, ishin konsideruar si të vlefshme.

Kërcënimet

Shumë qeveri vlerësojnë, se të kërcënosh gazetarët ose anëtarë të familjeve të tyre, mundëson krijimin e heshtjes. 

Të afërm të gazetarit Negar Mohammadi (Zëri i Amerikës) u është ndaluar të udhëtojnë dhe pasaporta e njërit prej tyre është konfiskuar, në shkurt 2012.

Në Jemen, Abdul Karim al Khaiwani,  pësoi kërcënime që prej fillimit të vitit 2013, pasi kishte shkruar artikuj mbi qendrat e mbajtjes sekrete dhe torturës nga Divizioni i Parë i Blinduar. Është qëlluar dy herë mbi shtëpinë e tij. Ai, ka marrë gjithashtu telefonata kërcënuese anonime, duke e pyetur, nëse i dëgjonte të shtënat.

Shërbimet e Sigurisë kanë ndaluar Musa Mohammad Auwal në shtëpinë e tij në Kaduna, në Nigeri, në shkurtin e kaluar. I mbajtur për rreth 8 ditë, ai është pyetur në lidhje me organin e tij të shtypit dhe për situatën e redaktorit të gazetës ( i cili kishte kaluar në ilegalitet për shkak të frikës ndaj jetës). Ai u lirua me kusht.

Survejimi

Në vendet si Kuba dhe Kina, militantët dhe gazetarët pohojnë, se është veçanërisht e vështirë mbulimi i çështjeve, që kanë lidhje me të drejtat e njeriut, pasi komunikimet e tyre mund të survejohen nga funksionarët e shtetit.

Në mars 2012, bloguesja dhe gazetarja kubaneze, Yoani Sànchez, nuk ka mundur të marrë sms, apo thirrje telefonike gjatë vizitës së papës në vend.

Në Kinë, shumë persona janë dënuar më burg më 2012 për arsye blogimi apo dërgesash informacionesh të gjykuara si ‘të ndjeshme’

Në mars 2013, autoritetet e Arabisë Saudite kishin kërcënuar se do bllokonin hyrjen në Skype, WhatsApp, Viber et Line, nëse ndërmarrjet e telekomunikimit përkatëse nuk lejonin survejimin e komunikimeve të kriptuara.

Ndalimi i hyrjes në Internet

Disa regjime shtypëse, kërkojnë të kontrollojnë hyrjen në internet, me synim, survejimin e aktiviteteve të gazetarëve.

Autoritetet kineze, kanë bllokuar përkohësisht hyrjen në sitet e New York Times dhe Bloomberg, kryesisht pasi New York Times  kishte publikuar disa informacione mbi aktivitetet financiare të disa drejtuesve të lartë kinez.

Përdorimi i tepruar i ligjeve ndaj shpifjes 

Ligjet mbi shpifjen mund të përdoren për pengimin e gazetarëve, që kritikojnë përgjegjësit qeveritarë apo personat që gjenden në pushtet.

Në Timorin Lindor, Oscar Maria Salsinha dhe Raimundo Oki,  janë akuzuar për ‘ denoncime shpifëse’ pasi kishin publikuar artikuj mbi një prokuror distrikti, i cili kishte marrë një ryshfet, në një çështje aksidenti rrugor, i ndodhur më 18 tetor 2011.

Më gusht 2012, Islam Affifi,  kryeredaktor i gazetës egjiptiane Al Dostour, u thirr para drejtësisë për publikim të informacioneve të rreme ‘ fyese për presidentin’. Procesi është në vazhdim.

Forcat e sigurisë së Autoritetit Palestinez në Cisjordani dhe Sigurimi i Brendshëm i Hamasit në Rripin e Gazës, janë të njohur për pyetjen dhe kërcënimet ndaj gazetarëve. Në mars 2013, palestinezi Mamdouh Hamamreh, është dënuar me një vit burg për ‘shpifje’ kundrejt presidentit Mahmoud Abbas. Ai u lirua pas faljes së presidentit.

Heqja e vizave dhe lejeve të punës

Në disa vende, si Siria, qeveritë refuzojnë t’i akordojnë viza gazetarëve të huaj, për ti penguar në hetimin mbi shkeljet e të drejtave njerëzore. Gazetarët kombëtarë përballen me të njëjtin rrezik, për sa u përket lejeve të punës.

Më 2012, leja e punës e Ayad Shabi u hoq në Siri, pasi ai nuk ishte konform direktiva zyrtare të Ministrisë së Informacionit mbi mënyrën, se si raportonte mbi manifestimet.

Andrei Poczobout,  po vuan dënimin prej tre vitesh burg, të shpallur më 5 korrik 2011 për ‘shpifje ndaj presidentit’ pasi kishte publikuar artikuj mbi të burgosurit e opinionit, në Bjellorusi. Ai nuk mund të lerë vendin dhe duhet të prezantohet rregullisht në një rajon policor.

Në muajin gusht të vitit të kaluar, një gazetar i BBC-së i cili kishte udhëtuar në Gambia, për të mbuluar rifillimin e ekzekutimeve, u ndalua në aeroport dhe u detyrua të lerë vendin, ndërkohë që kishte leje për të qëndruar.

Në maj të 2012, Al Jazira në anglisht, mbylli zyrën e saj në Pekin, pasi autoritetet kishin refuzuar të rinovonin vizën e Melissa Chan, artikujt e së cilës kishin të bënin me burgjet sekrete dhe abortimet e detyruara.

Mungesa e hetimeve mbi sulmet kundër gazetarëve

Duke mos i çuar përpara drejtësisë përgjegjësit e sulmeve ndaj gazetarëve, qeveritë mendojnë, se autorizojnë neutralizimin e informacionet, që prekin çështje të ‘’ndjeshme’’.

Një nga personat e akuzuar se kishte torturuar gazetarin  Nazeeha Saeed, të ndaluar në Bahrein më 2011, është shpallur i pafajshëm, pavarësisht provave mjeko-ligjore të torturës. Nazeeha Saeed u arrestua dhe torturua pasi kishte folur për vrasje të një manifestuesi, ku ajo ishte dëshmitare, tek sheshi i Perlës.

Ne prill 2012, në Ajzerbaxhan, Idrak Abbassov dhe vëllai i tij Adalet Abbassov, janë shtruar në spital pasi u sulmuan nga rreth 25 funksionarë policie. Ato ishin përpjekur të filmonin shembjen e shtëpive ilegale, në periferi të Baku-së. Ky sulm nuk u shoqërua kurrë me ndonjë hetim.

Askush nuk është sjellë para drejtësisë në Pakistan, për rrëmbimin dhe vrasjen e Saleem Shahzad,  në maj 2011. Dy ditë përpara vdekjes së saj, ajo kishte publikuar një artikull mbi të pretenduarin infiltrim të ushtrisë nga Al Kaeda, një nga subjektet më të ndjeshme dhe tabu të vendit.

Mbyllja e medieve

Autoritete të shumë vendeve, mbyllin gazeta dhe stacionet e radiove, të cilat i gjykojnë si kritike përballë tyre.

Përgjatë muajve të parë të 2012, autoritetet e Sudanit kanë mbyllur tre gazeta, duke përdorur ligje të cilat i lejojnë të ndalojnë çfarëdolloj publikimi, që përmban informacione të konsideruara si një kërcënim për sigurinë kombëtare.

Në shtatorin e kaluar, njerëz të veshur civil, të dyshuar se i përkisnin NIA ( agjencisë së informacionit) hynë në zyrat e The Standard dhe të Daily News, dhe i urdhëruan dy gazetave të pezullonin aktivitetin e tyre.

Në Somali, në prill 2013, autoritetet e Puntland-it, bllokuan tre stacione radio përpara zgjedhjeve lokale.

Denigrimi

Në shumë vende, qeveritë favorizojnë sulme shpifëse kundër gazetarëve, që janë kritikë përballë qeverive.

Në Sri Lanka, një sulm i këtij tipi e detyroi Gnanasiri Kottegoda,  të arratiset nga banesa e tij dhe të shkojë në ekzil, pasi siguria e tij ishte kompromentuar.

Në Venezuelë, Rayma Suprani, ka marrë kërcënime dhe fyerje me sms dhe nëpërmjet rrjeteve sociale. Ajo mendon, se është viktimë e një sulmi të koordinuar, për arsye të punës së saj si karikaturiste politike dhe gazetare.

 

Përgatiti: Alban Blushi