Afron mbyllja e pjesshme e qeverisë amerikane

56

mbyllja e pjesshme e SHBAVOA/Michael Bowman

Qeverinë amerikane e ndajnë pak orë nga një mbyllje e pjesshme, ndërkohë që nuk ka shenja kompromisi në radhët e ligjvënësve për një rrugëdalje për t’i dhënë qeverisë federale autoritetin për shpenzime. Në mungesë të një marrëveshjeje të minutës së fundit, shërbimet jo-esenciale qeveritare do të pezullohen dhe qindra mijëra punonjës qeveritarë do të ndalin punën sonte në mesnatë.

Dhoma e Përfaqësuesve e kontrolluar nga republikanët dhe Senati i kontrolluar nga demokratët janë larg marrëveshjes për autoritetin qeveritar për shpenzimet.

Javën e kaluar, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një projekt-ligj për shpenzimet që anulonte fondet për programin e kujdesit shëndetësor. Të premten, Senati miratoi variantin e tij, me fondet e nevojshme për programin e kujdesit shëndetësor dhe ia dërgoi projekt-ligjin Dhomës së Përfaqësuesve.

Pak pas mesnatës së të shtunës, Dhoma e Përfaqësuesve miratoi një tjetër projekt-ligj që kërkon të shtyhet një vit vënia në zbatim e programit të kujdesit shëndetësor. Tani projekt-ligji i është dërguar Senatit. Senatori demokrat Richard Durbin parashikoi si do të zhvillohen ngjarjet në komentet që bëri dje për emisionin Face the Nation të rrjetit CBS.

“Senati mblidhet të hënën. Qëndrimi i Dhomës së Përfaqësuesve do të kundërshtohet përsëri dhe ne do të ballafaqohemi me mbylljen e qeverisë”. 

Në komentet në emisionin Fox News Sunday, ligjvënësi republikan Kevin McCarthy parashikoi një tjetër lojë ping-pongu, pas vendimit të Senatit:

“Mendoj se Dhoma e Përfaqësuesve do të mblidhet përsëri dhe do të dërgojë një variant tjetër për të mos lejuar mbylljen e qeverisë, i cili do t’i ofrojë Senatit një numër opsionesh të reja për të analizuar”. 

Por demokratët e Senatit dhe Presidenti Obama janë zotuar të kundërshtojnë të gjitha përpjekjet e republikanëve për të kushtëzuar miratimin e ligjit me axhendën e tyre legjislative. Senatori Durbin tha se demokratët mirëpresin diskutime me republikanët mbi programin e kujdesit shëndetësor, apo çdo operacion tjetër qeveritar, pasi të jetë shmangur kërcënimi i mbylljes së qeverisë.

“Duhet të ulemi në mënyrë të qetë me frymë dypartiake. Jo me mendjen për të mbyllur qeverinë apo për të pezulluar ekonominë”. 

Por republikanët fajësojnë Presidentin Obama dhe aleatët e tij demokratë në Kongres për qëndrim të paarsyeshëm. Senatori republikan Rand Paul foli në emisionin Face the Nation.

“Presidenti është ai që po thotë se do të mbyllë qeverinë nëse nuk merr miratimin për të gjitha dispozitat e programit të kujdesit shëndetësor. Mendoj se presidenti po tregohet i paarsyeshëm”.

Demokratët shprehen se programi i kujdesit shëndetësor është miratuar si ligj dhe se zoti Obama u rizgjodh vjet, ndërkohë që e kishte parashtruar me kohë këtë reformë. Demokratët shtojnë gjithashtu se nuk kërkojnë miratimin e ligjeve të tjera, si për shembull në imigracion, apo kontrollin e armëve, por thjesht fondet për funksionimin e qeverisë, dhe u bëjnë thirrje republikanëve të tregojnë të njëjtën maturi.

Anketat tregojnë se amerikanët janë të shqetësuar nga programi për kujdesin shëndetësor, por gjithashtu nuk duan mbylljen e qeverisë. Pezullimi i operacioneve jo-esenciale do të fillojë sonte në mesnatë nëse dy Dhomat e Kongresit nuk miratojnë një variant identik për shpenzimet, i cili të marrë firmën e Presidentit Obama.