Business New Europe
Ndërkohë që qeveria e re shqiptare mori detyrën duke premtuar se do të luftojë korrupsionin dhe presidenti i Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso deklaroi se vendi ka mundësi që të marrë statusin e kandidatit në vjeshtën e këtij viti, e ardhmja e kësaj pjese të varfër të Europës duket e shndritshme si kurrë më parë këto vite.
Por ngjarjet e fundit që lidhen me pronësinë e të vetmes rafineri nafte në vend tregojnë se rruga është akoma e gjatë.
Më 19 shtator, Presidenti i Shqipërisë dekretoi Edi Ramën si Kryeministër të ri të vendit dhe më pas qeveria e tij paraqiti programin për katër vite në detyrë, me synim forcimin e progresit të vendit drejt anëtarësimit në BE.
Mes prioriteteve kryesore janë reforma në sistemin gjyqësor dhe ngritja e një Byroje Kombëtare të Hetimit për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe trafikun. Politika anti- korrupsion e qeverisë do fokusohet në parandalimin, rritjen e transparencës në institucionet shtetërore dhe ndëshkimin e individëve të korruptuar. Sa për ndëshkim, ka plot të tillë për të zgjedhur: pas tetë vitesh nën gishtin e madh të ish- kryeministrit Sali Berisha, Shqipëria e gjen veten në vendin e 133-të nga 174 vende në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International. Ekonomia është dominuar nga oligarkët dhe interesat kriminale.
Një nga këto raste është edhe ai i ish- rafinerisë shtetërore, ARMO, që në gusht krejt papritur ndërroi duar pas një marrëveshje të bekuar nga qeveria në largim. Sipas dokumenteve të depozituara në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit më 8 gusht, biznesmeni kontrovers dhe miku i Berishës, Rezart Taçi, duket se ka shitur aksionet e tij tek një kompani misterioze, e quajtur Heaney Assets Corporation, që është e lidhur me interesa azere. Heaney Assets, pronarët e së cilës nuk i përcaktojmë dot, ka paguar 35 milion euro për aksionet e Taçit në AMRA Oil, që kontrollon 85 përqind të ARMO-s. Pjesa tjetër e aksioneve mbetet në duart e qeverisë shqiptare. Dokumentet e QKR tregojnë se Heaney Assets ka paguar edhe rreth 15 milion euro për disa nga firmat e tjera të Taçit si Europetrol, Taçi Oil dhe Kuid.
Sipas raportimeve dhe komenteve nga zyrtarët, gjendja financiare në të cilën e la Taçi ARMO-n është arsyeja pse çmimi i shitjes ishte kaq i ulët. Taçi e bleu rafinerinë në vitin 2009, në një privatizim të dyshimtë, për 128.7 milion euro. Sipas burimeve të ndryshme, ARMO i ka borxh kompanisë shtetërore të prodhimit të naftës, Albpetrol, rreth 25 milion euro. Ndërkohë borxhet e tjera bëjnë që shuma të shkojë në total në 120 milion euro. Taçi po ashtu besohet se ka një kredi të papaguar prej 75 milion euro nga Banka e Azerbajxhanit. Banka azere e paditi atë një vit më parë, në gusht, por më pas u tërhoq nga padia.
Sipas një interviste të 25 gushtit me Eno Bozdon, në atë kohë zëvendësministër i Ekonomisë, pronarët e rinj të ARMO-s janë angazhuar për të marrë përsipër të gjitha borxhet e firmës. Bozdo pretendonte në intervistën e dhënë për Monitor se Ministria e Ekonomisë ka qenë në dijeni për bisedimet mes Taçit dhe Heaney Assets për të nënshkruar marrëveshjen për shkak të probleme financiare të ARMO-s.
Hilet e vjetra
Gjendja financiare ku është katandisur ARMO, dhe mënyra se si u shit, nuk është një surprizë, thonë vëzhguesit.
Fillimisht, dihej prej kohësh që Taçi ishte në vështirësi financiare. Në shkurt, qeveria e mëparshme u detyrua në mënyrë të turpshme që të anulonte një ofertë fituese nga një konsorcium i drejtuar nga Taçi për blerjen e kompanisë Albpetrol për shkak se nuk bënë pagesat e duhura. Më vonë u mësua se garancia prej 10 përqind, që mbështet ofertën prej 850 milion euro, ishte një fantazi, çka do të thotë se qeveria nuk mund ta marrë atë.
Por nuk mund të fajësosh Taçin që përdori këtë hile, për shkak se një gjë e tillë funksionoi shumë mirë tre vjet më parë me tenderin për ARMO-n. Atëherë Taçi përdori një kompani të panjohur zvicerane për të mbyllur marrëveshjen dhe më vonë e ri- regjistroi ARMO-n në emrin e Taçi Group.
Koha e shitjes së ARMO-s tek Heaney Assets është gjithashtu interesante, pasi ajo u krye në momentin që u hap një dritare mes largimit nga pushteti të Berishës dhe ardhjes së administratës së re në shtator. Në gjuhën shqipe nuk ka një ekuivalent të fjalës ruse krisha, që fjalë për fjalë do të thotë çati, por që i referohet mbrojtjes që një biznes gëzon nga njerëz në rangje të larta. Një gjë e tillë aplikohet edhe në këtë vend ku nuk zbatohet ligji.
Çështja është nëse qeveria e re ka oreks për të hetuar këto marrëveshja të errëta të së shkuarës, apo do i lërë qentë e përgjumur që të gënjejnë.
Mbi të gjitha, Rama e ka të mbushur plot tabakanë me ekonominë e shkatërruar dhe të pastrukturuar në krye të listës.
Kjo do të thotë se ndjekja e biznesmenëve të dyshimtë nuk është një prioritet.
Më shumë kjo do varet nga BE, që e ka refuzuar dy herë aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në BE, por që duket se do e japë statusin kandidat në fund të vitit.
Ne diskutuam më herët në Bruksel për mashtrimet në Shqipëri dhe duket se edhe BE e ka syrin tek e ardhmja dhe jo tek e shkuara.