Për ministrin gjerman të financave Volfgang Shojble, referendumi i së djelës do t’i shkaktojë Zvicrës, një mal me vështirësi, siç u shpreh ai. Shojble tha se Zvicra po ecën në drejtim të kundër me parimet e botës së globalizuar për një lëvizje pa kufij.
Kryeparlamentari europian Martin Shulc u shpreh i shtangur nga rezultati i këtij referendumi, të cilin e konsideroi një shenjë aspak të mirë për marrëdhëniet mes Zvicrës dhe Unionit.
Ndërsa Elmar Brok, kreu i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Europian tha se kjo ishte një goditje për vetveten nga ana e Zvicrës. Sipas tij, ky është një vend jo plotësisht i integruar në Bashkimin Europian. Ndaj dhe ka nevojë të madhe për krah pune të kualifikuar, që tashmë do t’a ketë tepër të vështirë për ta siguruar.
Komisioni Europian njoftoi se do të nisë rishikimin e marrëveshjes për tregëtinë e lirë me Zvicrën. Lëvizja e lirë ishte një prej kushteve të kësaj marrëveshje gjatë përpilimit të saj në vitin 1999. Ndaj dhe për Komisionin Europian, nuk është e arsyeshme që një vend, të heqë dorë nga njëra pikë e kësaj marrëveshjeje, në mënyrë të njëanëshme, pa pasoja.
Nisma ishte e nacionalistëve të Partisë së Popullit zvicerian në opozitë, nën moton “Ndal imigracionit masiv”. Por tashmë është qeveria e kristian demokratëve që duhet të japë shpjegime përpara Bashkimit Europian.