21 janari përballë ferrit të drejtësisë

61

21 janariNga Edi Rama*

Kanë ndryshuar shumë gjëra nga 21 janari i përgjakur i 2011-ës.

Këto shkallë, nuk janë më shkallët që ndanin popullin poshtë, matanë gardhit të hekurave, me qeverinë lart, pas hekurave të gardhit.

Kjo godinë, nuk është më fasada e frëngjive ku dilnin tytat e armëve, për të qëlluar mbi njerëzit në emër të pushtetit të vjedhur, po vendi ku qeveria e zgjedhur nga njerëzit, punon me njerëzit dhe për njerëzit.

Ky bulevard, nuk është më rruga e ndarjes me kufirin e frikës, mes pushtetit që të merr gojën, bukën dhe edhe shpirtin, dhe qytetarëve që ecin, mendojnë, flasin, tubohen, protestojnë.

Kanë ndryshuar shumë gjëra nga 21 janari tragjik i 2011-ës që tjetër nuk ishte, përveçse vënia në skenë e rrënimit të një rruge ku liria për të zgjedhur me votë, i’a la vendin zgjedhës mbi votën e lirë; barazia e të drejtave mes të gjithë njerëzve, i’a la vendin pabarazisë së mjeteve mes turmës së njerëzve të zakonshëm dhe dhunuesve të gjithëpushtetshëm të çdo të drejte; vëllazërimi në një gjak, një komb, një kushtetutë, i’a la vendin vëllavrasjes gjakftohtë të ardhur si urdhër nga lart, për një pushkatim pa gjyq, pa ligj, pa mëshirë, në sytë e një populli të tërë, të marrë peng.

Ky popull s’është më peng i votës së vjedhur. S’është më peng i një qeverie të pazgjedhur. S’është më peng i kujt në emër të tij thotë një gjë, e në hespat të vet bën një tjetër.

Ky vend s’është më peng i një pushteti që e shqyen ku të mundet, që e grabit sa ta mundet, që e tradhëton si të mundet.

Ky popull dhe ky vend s’janë ende sot sigurisht çfarë mund të jenë, çfarë duhet të jenë, çfarë meritojnë të bëhen.

Shqipëria sot vuan ende thellë varfërinë, papunësinë, borxhet e korrupsionin e një të shkuare ku për shumë kohë u la vetëm në fatin e vet, u braktis në mundimet e veta, u tradhëtua në ëndrrat e në shpresat e veta.

Po sot, po padyshim, Shqipëria as rrezikon më të kthehet aty ku ishte në 21 janarin e tre vjetëve më parë, as rrezikon të mbetet në vend në rrugën e rigjetur të përpjekjes sonë të përbashkët kundër varfërisë, papunësisë, borxheve e korrupsionit të kudondodhur.

Sot pushteti është kthyer në duart e popullit dhe Qeveria e Shqipërisë nuk është më përballë me popullin, po në krye të përpjekjeve të popullit për atdheun e dëshiruar, Shqipërinë Europiane.

Shumë gjëra kanë ndryshuar nga 21 janari i paharrueshëm i 2011-ës, kur shqiptarët e mbushur me dëshpërim dolën në këtë bulevard për të refuzuar një fat që nuk e kishin zgjedhur, një lëngatë që nuk e kishin merituar, një rrënim që nuk e kishin dëshiruar.

Atë ditë katër shqiptarë, katër burra, katër baballarë të varfër, i mbetën këtij bulevardi të kujtesës historike të shtetit shqiptar, si shenja të pashlyeshme në trup; shenja për të gjithë ata që e jetuan atë ditë nga të dyja anët e perdes së hekurt që, në 21 janarin e 2011-ës, mbante ndarë pushtetin nga populli, shtetin nga qytetarët, pushkatarët e verbër të një qeverie të kthyer në regjim, nga protestuesit e paarmatosur të një vendi të marrë zvarrë; shenja për të gjithë të tjerët, shqiptarët e gjeneratave të tjera që do të kalojnë mbi këtë rrugë dhe do t’i prekin me sy ato shenja, si plagët e një të shkuare për të mos u përsëritur e as harruar më kurrë; po padyshim edhe shenja në radhën më të parë për mua e për ne, të zgjedhurit nga 1 milionë njerëz të zakonshëm, sepse harresa në radhën më të parë nuk duhet dhe nuk mund të jetë në asnjë rast dhe për asnjë arsye, alternativa jonë përballë padrejtësisë.

Unë nuk e kam harruar për asnjë çast, qysh nga dita që kam ngjitur këto shkallë me mandatin e 1 milionë shqiptarëve, se ne nuk u votuam për të zëvendësuar një qeveri me një tjetër, po për të ndryshuar rrënjësisht Shqipërinë, duke ndryshuar rrënjësisht për së pari sjelljen e Qeverisë së Shqipërisë me vendin, me njerëzit e këtij vendi, me interesat kombëtare, publike e private në këtë vend.

E po ashtu, ne s’mund ta harrojmë dhe s’do ta harrojmë asnjë ditë se ky i yni, është një mandat për t’i dhënë kuptimin e humbur fjalës drejtësi, në çdo hap që hedhim e në çdo vendim që marrim, po edhe padyshim për të luftuar, me çdo mjet kushtetues e ligjor, që drejtësia të bëjë drejtësi; që e drejta të mos jetë mall që blihet e shitet në dyert e prokurorisë e të gjykatave; që përballë drejtësisë njerëzit të jenë të barabartë, pavarësisht pushtetit që kanë apo s’kanë, parave që kanë apo s’kanë, lidhjeve të çfarëdoshme që kanë apo s’kanë.

Shumë gjëra kanë ndryshuar nga 21 janari i padrejtësisë së përgjakshme, po një nga shumë gjërat që nuk kanë ndryshuar, më e rënda dhe më fyesja për Shqipërinë në mes të Europës, për Shqipërinë në rrugën e Bashkimit Europian, për Shqipërinë e dalë para thuajse çerek shekulli nga ferri i padrejtësisë së komunizmit, është ferri i sistemit të sotëm të drejtësisë; është ferri ku përvëlohen të varfërit, të dobëtit, të pambrojturit; është ferri ku përpëliten nënat që kërkojnë hakun e djemve të vrarë, gratë që kërkojnë drejtësi për vrasësit e burrave të tyre, fëmijët që shohin të lirohen kriminelët që u çuan baballarët nën dhe; është ferri ku digjen të drejtat e atyre që kërkojnë shpagim për jetë familjarësh të marra me dhunë apo prona të grabitura me përdhunë e shumëçka tjetër, që ligji u’a njeh, po gjykatësi s’ua jep; është ferri ku treten shpresat e shqiptarëve për barazi para ligjit dhe ku përqeshet një Shqipëri e tërë para çdo sprove mes të drejtës e padrejtësisë, mes organeve të drejtësisë e të kapurve me presh në duar, mes ligjeve të shkuara e ligjësive të imponuara nga një sistem drejtësie që jo vetëm Shqipëria, po gjithë bota e sheh si kërcënim antidemokratik.

Koha nuk pret, po më shumë akoma, Shqipëria dhe shqiptarët nuk kanë më durim, me plot të drejtë, përballë shfaqjes së përditshme të këtij ferri përqeshës.

Reforma e thellë e drejtësisë është imperativi i kësaj kohe dhe vendosja e drejtësisë mbi binarët e Kushtetutës e të ligjit, është ultimatumi i Popullit Sovran në 23 qershorin e vitit që sapo lamë pas.

Shqiptarët e kërkojnë këtë me ngulm, bota e kërkon më ngulm këtë nga Shqipëria, parlamenti i Shqipërisë ka detyrën ta bëjë dhe Aleanca për Shqipërinë Europiane ka detyrimin të ngulmojë fort për këtë e të mos e zhgënjejë popullin që e votoi edhe për këtë, në mos në radhë të parë për këtë.

Shumë gjëra kanë ndryshuar nga 21 janari i tre viteve më parë. Shumë të tjera do të ndryshojnë deri në 21 janarin e vitit tjetër.

Por sado gjëra të kenë ndryshuar sot një vit, asgjë nuk do të ketë ndryshuar për vetë 21 janarin (dhe unë e di se, sado më e lehtë të bëhet jeta ekonomike e Shqipërisë, asgjë nuk do ta bëjë dot më të lehtë 21 janarin), pa drejtësinë që bën drejtësi.

Jo vetëm për Aleksin, Ziverin, Hekuranin dhe Faikun, po për çdo shqiptar e familje të zakonshme që sot sheh e pafuqishme shfaqjen e ferrit, ku rrezikon të digjet jo veç e drejta e kujt drejtësi kërkon, po vetë ëndrra e rilindur e Shqipërisë Europiane.

*(Fjala e mbajtur nga kreu i qeverisë Rama, gjatë ceremonisë përkujtimore të 21 janarit)