“Partia Socialiste e Edi Ramës damkosi dhe shkatërroi me paratë e pista zgjedhjet e mbajtura ditën e dielë në qytetin e Korçës. Emisoni investigativ “ Fiks Fare” i televizionit “Top Channel”, kapi me presh në duar një prej bandave të rrjetit kriminal, organizuar me regjistra, me kompjutera dhe para të thata për të blerë votën e qytetarëve korçarë në bazë të një plani të detajuar, të përgatitur me kujdes në zyrat e PS. Banda e kapur nga kamerat e “Fiksit” dhe simotrat e saj të vendosura në pika të ndryshme të qytetit për të blerë vota, për të blerë abstenimin e zgjedhësve, e ushtruan veprimtarinë e tyre kriminale nën hundën dhe me bekimin e Edi Ramës.
Në Korçë Rama dhe të tijtë bënë të dielën një provë të përqendruar të kësaj metode të përdorur edhe në zgjedhjet politike të 23 qershorit, me planin për ta përdorur gjerësisht në zgjedhjet e ardhshme. Ky është shpjegimi i arbitraritet dhe paligjshmërisë që po ngrenë me shpejtësi në sistem në qeverisjen e tyre: eliminimi i zgjedhjeve të lira, eliminimi nëpërmjet blerjes së votës i gjykimit të drejtë popullor. Partia Demokratike denoncon fuqishëm këtë krim të rëndë jo vetëm ndaj qytetarisë së Korçës, por ndaj gjithë shqiptarëve pa dallime politike. Blerja e votës është vrasja e demokracisë. I kërkojmë prokurorisë që në mënyrë urgjente të kryejë sekuestrimin e të gjitha materialeve në të gjitha zyrat e Partisë Socialiste në Korçë. Te kryejë një hetim të shpejtë, të plotë dhe të gjithanshëm të ekzekutorëve që blenë votat në shkëmbim të parave por mbi të gjitha te organizatorëve që përdoren para te mafias për të blerë pushtetin e bashkisë së Korçës”, u shpreh Basha.