Ai paralajmëroi në mbledhjen e fundit të qeverisë se do të qëndrojë në detyrë deri në momentin e fundit, pavarësisht dorëheqjes që pritet të miratojë kreu i shtetit. “Unë, në përputhje me detyrimet e mia, në momentin që do ta gjykoj më oportun dhe të afërt do t’i paraqes Presidentit të Republikës dorëheqjen e këtij kabineti dhe do të qëndrojmë si qeveri në detyrë deri në momentin që qeveria tjetër, në përputhje me Kushtetutën, të betohet te Presidenti i Republikës”, – u shpreh Berisha.
Nga ana e tij, kreu i shtetit ka afat 10 ditor për të dekretuar qeverinë e re “Rama”. Kreu i shtetit, Bujar Nishani, u shpreh para pak ditësh në “Opinion” se “me të ardhur propozimi brenda datës 10 shtator mund të dekretohet kryeministri i ri”.
Nga ana tjetër, ditën e hënë më 9 shtator mblidhet Kuvendi i parë i Shqipërisë, i cili pas verifikimit të mandatit të deputetëve duhet të zgjedhë drejtuesit e këtij institucioni ligjbërës. Kushtetuta bën të qartë rrugët dhe afatet ligjore brenda së cilës duhet të bëhet rotacioni politik nga PD-ja tek PS-ja, konkretisht si formohet qeveria e re. Në kapitullin e pestë të Kushtetutës është përcaktuar mënyra se si formohet Këshilli i Ministrave. Neni 95 i ligjit themeltar të shtetit shqiptar përcakton se “Këshilli i Ministrave përbëhet nga kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat. Këshilli i Ministrave ushtron çdo funksion shtetëror, i cili nuk u është dhënë organeve të pushteteve të tjera shtetërore ose të qeverisjes vendore”.
Në një nen më poshtë përcakton procedurën e formimit të qeverisë së re. “Presidenti i Republikës, në fillim të legjislaturës, si dhe kur vendi i kryeministrit mbetet vakant, emëron kryeministrin me propozim të partisë ose koalicionit të partive, që ka shumicën e vendeve në Kuvend”, – thuhet në nenin 96 të Kushtetutës. Mbi bazën e kësaj prerogative, partia ose koalicioni fitues duhet t’i propozojë kreut të shtetit emrin e kryeministrit të ri, tashmë të përcaktuar, Edi Rama. Pra, Partia Socialiste, si kryesuese e koalicionit të majtë, do t’i propozojë emrin e Ramës për kryeministër. Pas këtij veprimi, emri i kryeministrit duhet të kalojë provën në Kuvend, së bashku me programin politik dhe votimin e dekreteve të Presidentit të Republikës për emrat e ministrave, që pritet të ndodhë në seancën e ditës së enjte në 12 shtator. “Kryeministri i emëruar sipas nenit 96, nenit 104 ose 105, i paraqet për miratim Kuvendit, brenda 10 ditëve, programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij”, – thuhet në nenin 97 të Kushtetutës.