Ahmetaj foli edhe për situatën ekonomike në të cilën qeverisja e majtë e gjeti vendin. “Në momentin e parë, kur erdhëm në zyrat e qeverisë e dinim që situata ekonomike ishte jashtëzakonisht shumë e rëndë, me shumë gropa, me shumë pengesa, por ajo që gjetëm ishte shumë më e rëndë se sa ajo që mendonim”, tha ai. Sipas tij, shifra e 726 milionë dollarë borxhe të papaguara ndaj sipërmarrjes, madje diku edhe të padeklaruara, ishte surpizë në shifër, por jo në filozofi. “Është filozofi e vjetër, e akumuluar në vite, që papërgjegjshmëria e qeverisë ndaj sipërmarrjes të arrinte në ato nivele ku sipërmarrja ishte në prag të falimentimit edhe për shkak të mospagimit të borxheve nga ana e qeverisë. Ne morëm parasysh domosdoshmërinë e dokumentimit të të gjithë këtyre borxheve dhe morëm përsipër pagesën e borxheve, e cila sot, referuar të gjitha raporteve ndërkombëtare të institucioneve ndërkombëtare, po dhe të ndjesisë së drejtpërdrejtë të bankave të nivelit të dytë, pra pagesa e borxheve ka sjellë një pozitivitet, ka sjellë likujditet te ndërmarrjet dhe ka sjellë një disiplinim të marrëdhënies mes qeverisë dhe sipërmarrjes”, u shpreh ministri.
Lidhur me reformën e pensioneve, Ahmetaj tha se asnjë nga qeveritë e mëparshme nuk ka guxuar ta prekë reformën e pensioneve, për arsye sepse secili ka menduar për katër vjeçarin. “Bashkë me Bankën Botërore vendosëm të bënim këtë reformë të vështirë, e cila kërkonte konsensus politik, që ne e kërkuam por nuk arritëm ta merrnim, dhe sot krenohemi me reformën e pensioneve, e cila në vite do garantojë shëndetshmërinë e sistemit pa prekur menjëherë qytetarët shqiptarë”, theksoi ministri Ahmetaj. Në të njëjtën kohë, tha ai, reforma e energjisë, ajo që sot është e shumëpërfolur, ishte dhe ngelet një nga sfidat më të mëdha të buxhetit të shtetit dhe të ekonomisë shqiptare. “Imagjinoni që ne jemi vendi i dytë në Evropë përsa i përket pasurisë së ujit për frymë, dhe kemi një bilanc negativ vjetor në energji, 150 milionë euro”, informoi Ahmetaj.
Para nesh, tha ai, qëndronte sfida që të ndërmerrnim reformën e vështirë që kemi ndërmarrë ose ta linim sistemin të degradonte dhe ju garantoj se shumë shpejt, në krye të dy viteve, sistemi do rrëzohej dhe unë besoj që në vitin 2016 nuk do të kishim drita. Ai u ndal edhe te operacioni për vjedhjen e energjisë, për të cilin tha se sot kjo reformë është e përshëndetur nga të gjithë institucionet ndërkombëtare. Duke folur për modelin e ri ekonomik, Ahmetaj shprehu bindjen se përpjekja jonë për të zëvendësuar importet që është në themel të modelit të ri ekonomik, është e qenësishme, sjell vlerë të shtuar në vend, sjell punësim dhe sjell përfitime materiale të drejtëpërdrejta për qytetarët, për konsumatorët dhe për të gjithë ata që përfitojnë nga zinxhiri i vlerave dhe zinxhiri në ekonomi.
Sa i përket sektorit të bujqësisë, ministri u shpreh se paketa e bujqësisë nuk fokusohet te lehtësitë fiskale, por fokusohet tek mbështetja e fermerit jo si individ, por si entitet ekonomik.
Kreu i METE-s komentoi edhe marrëveshje me FMN-në. “Unë ndaj me ju, studentë të Ekonomikut, pedagogë e profesorë të nderuar, se po, edhe ne kemi pasur debat brenda vetes, por sot personalisht, si pjesë e atij ekipi të gjerë që negocioi me FMN, jam i kënaqur dhe jam krenar që kemi bërë gjënë e duhur. Nëpërmjet marrëveshjes, me vullnetin tonë politik, jo vetëm që nuk patëm një marrëveshje shtërnguese, por arritëm në krye të gjashtë muajve të frenonim rënien ekonomike dhe ta kthenim ekonominë shqiptare, në një rritje fraxhile por të sigurt”, tha ai.