7 Marsi, Veliaj nderon mësuesit e shkollave profesionale

58

erion-veliaj3Në Ditën e Mësuesit, Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj, nderoi me çertifikata mirënjohje disa nga mësuesit e shkollave profesionale të vendit. Ministri vizitoi sot Qendrën e Formimit Profesional Nr. 1 në Tiranë, ku falenderoi mësuesit për përkushtimin e tyre.

Ai shprehu vlerësimin për motivimin e treguar deri tani, si dhe nënvizoi se arsimi profesional është tashmë një nga prioritetet e qeverisë.

Veliaj tha se “sot u jam mirënjohës të gjithë mësuesve, sidomos atyre që në këto vite kanë mbajtur barrën e mësimdhënies në shkollat profesionale”.

“Falenderoj mësuesit që e bëjnë këtë punë me shumë dashuri”, u tha mësuesve ministri Veliaj. Ai u shpreh se frymën e arsimit profesional në Shqipëri e ka mbajtur gjallë motivimi i mësuesve që sot u nderuan për punën e tyre.

“Por, deri tani jemi krenuar me sa diploma kemi dhënë, në një kohë kur duhet të përgjigjemi me sa njerëz kemi punësuar pasi ata arsimohen në shkollat tona profesionale”, tha  Veliaj. Sipas tij, pas prezantimit të Strategjisë Kombëtare për Punësim dhe Aftësi 2014-2020, shkollat profesionale i pret një punë e madhe.

“Të gjithë bashkë duhet ta promovojmë arsimin profesional, si mënyra e vetme që garanton shumë më shumë punësim se sa arsimi i përgjithshëm”, tha ai duke shtuar se ky promovim duhet përqendruar më fort tek vajzat dhe gratë, duke qenë se vetëm 16 për qind e tyre frekuentojnë arsimin profesional.

Nga ana tjetër, ai rikujtoi se në këto muaj të parë, biznesi është treguar më i hapur ndaj arsimit profesional, sepse e ka kuptuar vlerën e njerëzve me përvojë në.

“Ju lutem, forconi marrëdhëniet me biznesin sepse ata e kanë kuptuar se mund të rriten vetëm duke rekrutuar profesionistë”, u tha ai mësuesve të shkollave profesionale. Ministri Veliaj nënvizoi rëndësinë e lidhjes midis zyrave të punës dhe arsimit profesional.  Veliaj shpërndau certifikatat e mirënjohjes për shtatë mësues të shkollave profesionale . Vetëm javën e fundit, në Qendrën e Formimit Profesional Nr. 1 në Tiranë janë regjistruar 397 kursantë të rinj, shumica prej tyre gra dhe vajza.