Publikuar Ne: 15 Prill 2014
65 shikime
AKTUALITET / Lajmet e fundit | By albaniaplus

Vlorë: Në 20 vjet, 15 mijë apartamente të reja për qytetarët

vlore2Në 20 vitet e fundit, në qytetin e Vlorës janë ndërtuar gjithsej rreth 15 mijë apartamente të reja banimi, çka përbën një hop shumë të madh zhvillimi për ridimensionimin e mjedisit urban dhe perspektivën e tij.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë për Qarkun e Vlorës, Arben Breshani, thotë për ATSH-në se, shinat e zhvillimit të qytetit në vitet pas 1990-tës dhe në vazhdimësi, kanë në bazë disa elemente, të cilat karakterizohen nga dinamizmi. Breshani argumenton grafikun e ndryshimeve në Vlorë, duke u fokusuar tek sektori i ndërtimit në përgjithësi dhe ai i banesave në veçanti, ku janë përqëndruar më shumë investimet. “Periudha më intensive e ndërtimeve në qytetin e Vlorës është 10- vjeçari mes viteve 2000-2010, çka është reflektuar konkretisht edhe në numrin e ndërtimeve të realizuara gjatë tij”, shprehet ai.

Sipas tij, aktualisht ky sektor po kalon në periudhën e stanjacionit, ose e emërtuar ndryshe, “periudha e stanjacionit të ciklit”, i cili teorikisht dhe praktikisht llogaritet të jetë 15-20 vjeçar. Nën këtë arsyetim, kreu   i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Vlorës argumenton se sektori i ndërtimit do të rikthehet në parametrat e veta më të mira pas vitit 2015, që përkon me përfundimin e ciklit 2000-2015 dhe fillimin e ciklit të ri. Megjithatë, nën këndvështrimin e tij, periudha e procesit intensiv të ndërtimeve në qytetin e Vlorës ka përfunduar, çka reflektohet edhe në tablonë e shifrave karakteristike urbane e sociale. Aktualisht, qyteti i Vlorës së bashku me rrethinat, numëron një popullsi prej rreth 200 mijë banorësh, krahasuar me rreth 80 mijë që ishte ajo në fillim vitet 1990-të. Ndërkohë, në një analizë të thjeshtë, duke u nisur edhe nga dinamika e ndryshimit të treguesve socialë etj, parashikohët që në vitin 2020-të, qyteti të numërojë rreth 300 mijë banorë.
Padyshim, ky grafik ndryshimesh gjen pasqyrim edhe tek elementë të tjerë që i përkasin kryesisht rrafshit social dhe atij ekonomik, ku spikat edhe prurja demografike me kahje nga zonat rurale dhe destinacion qytetin. Konkretisht, deri para 3 vjetësh kur edhe numri i shitjeve të apartamenteve të banimit ishte i lartë, konstatohet një strukturë komplekse e blerjeve. 10 për qind e apartamenteve janë blerë nga qytetarët vlonjatë, 10 për qind nga banorë të qyteteve të tjera dhe 80 për qind nga persona që kanë emigruar në periudha të ndryshme në vende të ndryshme, me shumicë Italinë dhe Greqinë. Kriza ekonomike në këto dy vende fqinjë, Breshanit, është reflektuar edhe në pakësimin e ritmit të blerjeve të objekteve të banimit në Vlorë.

Aktualisht, në qytet numërohen më shumë se 2000 apartamente të pashitura, ndërkohë që 1500 të tjera janë në proces ndërtimi. Çmimi aktual i apartamenteve të banimit në Vlorë llogaritet në 400-800 euro/metri katror, në varësi të zonave ku janë objektet e banimit dhe të elementëve të tjerë, siç janë ato të largësisë dhe të pozicionit ndaj detit. Kështu, zonat më të preferuara janë nga Skela në Ujë të Ftohtë, në brezin e parë të ndërtimit me pamje nga deti. Ndërsa zona më pak e preferuar dhe që reflekton edhe në çmimin më të ulët të apartamenteve të banimit, është ajo në të dy krahët e rrugës “Transballkanike”.

*ATSH

66 shikime 1 sote

About the Author

albaniaplus -

Komentoni

XHTML: Mund te perdorni keto html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

We use cookies to ensure that we give you the best experience on our website.
Ok