Shqipëria dhe Kosova konsullata të përbashkëta në Milano dhe Kanberra

48

marreveshja 2Ministria e Jashtme e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë nënshkruan sot një marrëveshje për të pasur konsullata të përbashkëta në Milano të Italisë dhe në Kanberra të Australisë”. Marrëveshja u firmos nga ministri ynë i jashtëm Ditmir Bushati dhe ministrit të Jashtëm të Kosovës Enver Hoxhaj.

Ministri Bushati, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Kosovë, pas nënshkrimit të marrëveshjes zhvilloi edhe një konferencë për shtyp të përbashkët me homologun e tij Enver Hoxhajn.

Të dyja palët shprehën vullnetin e dyanshëm për fuqizimin e mëtejshëm të partneritetit strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa kryediplomati shqiptar veçoi bashkëpunimin bilateral, duke iu referuar mbledhjes së Prizrenit dhe nënshkrimit të dokumentit për partneritetin strategjik ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.

Ai po ashtu foli edhe për mbledhjen e ardhshme që është planifikuar të mbahet në Vlorë, duke e cilësuar si një mundësi të mirë për dy ministrat e jashtëm si koordinatorë të qeverive përkatëse, për të rishikuar progresin dhe për të shikuar mangësitë që mund të jenë hasur në praktikë, dhe hapat që mund të jenë hedhur përpara për mbledhjen e radhës.

“Është një formë bashkëpunimi në mes të Shqipërisë dhe Kosovës që është strategjike për ne, është stabilizuese për rajonin dhe orientuese për të ardhmen tonë evropiane dhe euroatlantike, dhe është në frymën e projektimit të faktorit shqiptar në gjithë pozitivitetin e tij të mundshëm, për të avancuar rajonin drejt rrjedhave euroatlantike”, -tha ministri Bushati.

Ai po ashtu theksoi se 2014-ta është vit i rëndësishëm për proceset e integrimit euroatlantik të Kosovës dhe Shqipërisë, duke përshëndetur në emër të Qeverisë së Shqipërisë hapat e matur të Qeverisë së Kosovës për transformimin e FSK-së. Bushati, po ashtu, tha se është i rëndësishëm përfundimi i MSA-së dhe për të mos lënë më, asnjë gropë të zezë për lëvizjen pa viza në hapësirën Shengen.

Ndërsa ministri Enver Hoxhaj tha se kjo vizitë është rikonfirmim i axhendës dypalëshe ndërmjet dy shteteve. “Kjo mbështetje ka të bëjë me njohjet, me anëtarësimin e Kosovës në organizatat të ndryshime rajonale, evropiane dhe globale, por ka të bëjë edhe me axhendën evropiane të Republikës së Kosovës dhe të gjitha çështjet, të cilat janë pjesë e asaj se ç’ka përcaktohet si politikë e jashtme”, -tha Hoxhaj.

Duke iu referuar deklaratës së nënshkruar në Prizren, për partneritetin strategjik ndërmjet dy vendeve, ministri Hoxhaj tha se ajo ka hapur një dritare të re të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Me këtë rast, ai bëri të ditur se qeveria e Kosovës sot do të marrë vendimin për sa i përket fondit për maternitetin  në luginën e Preshevës.