Publikuar Ne: 7 Mars 2014
28 shikime
AKTUALITET / Lajmet e fundit / POLITIKE | By albaniaplus

Qeveria shqiptare ka bërë publike sot konkluzionet e takimit të nivelit të lartë

big_11-nentor-rama-fyleKryeministria ka publikuar ditën e sotme konkluzionet e takimit të dytë të nivelit të lartë Shqipëri-BE që u zhvillua një ditë më parë. Takimi i djeshëm u drejtua nga Kryeministri Edi Rama dhe Komisioneri Stefan Fyle. Seanca plenare përfshiu pjesëmarrjen e ministrave të qeverisë, si dhe një pjesëmarrje të zgjeruar të opozitës përmes kryetares së Komisionit Parlamentar për Integrimin Evropian, Majlinda Bregu, dhe dy anëtarëve të tjerë të Parlamentit. Gjithashtu në raport theksohet se, është thelbësore që Shqipëria të vazhdojë përpjekjet për reforma dhe të vazhdojë të paraqesë prova të rezultateve të arritura, duke u fokusuar te shteti i së drejtës, përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Konkluzionet

1.      Kryeministri Edi Rama dhe Komisioneri Stefan Fyle drejtuan takimin e dytë të Dialogut të Nivelit të Lartë (DNL) mbi përparësitë kyçe mes Shqipërisë dhe Komisionit Evropian më 6 mars 2014. Seanca plenare përfshiu pjesëmarrjen e ministrave të qeverisë, si dhe një pjesëmarrje të zgjeruar të opozitës përmes kryetares së Komisionit Parlamentar për Integrimin Evropian, znj.Majlinda Bregu, dhe dy anëtarëve të tjerë të parlamentit.

2.      Takimi përshëndeti Rezolutën e Parlamentit mbi integrimin në BE të votuar njëzëri në nëntor 2013, çka demonstroi ekzistencën e konsensusit politik. Zbatimi i angazhimeve të ndërmarra sipas nëpërmjet kësaj rezolute është thelbësor. Lidhur me këtë, Komisioneri Fyle theksoi rëndësinë e sigurimit të koherencës dhe një përqasje përfshirëse ndaj gjithë reformave të ndërmarra nga Shqipëria, duke marrë në konsideratë programin e vendit për BE-në. Konsultimi sistematik dhe përfshirja e Parlamentit, si dhe palëve të tjera të interesuara në procesin e reformave është kyç.

3.      Takimi i dytë i DNL-së zhvillohet pas Këshillit të dhjetorit 2013 që “mirëpriti miratimin me konsensus ndërpartiak nga Shqipëria të masave përkatëse kyçe për reformën e gjyqësorit, administratës publike dhe  reformën parlamentare, si dhe kryerjen me sukses të zgjedhjeve parlamentare në qershor”. Këshilli përshëndeti gjithashtu “masat e mëtejshme të marra në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe angazhimin e qeverisë së re, përgëzon intensifikimin e përpjekjeve në këto fusha dhe nxiti autoritetet ta ruanin këtë vrull të ri”. Këshilli vendosi “të shqyrtojë, në bazë të një raporti që do të paraqitet nga Komisioni, vazhdimin e zbatimit të strategjive të reformës kundër korrupsionit dhe asaj gjyqësore dhe  legjislacionin përkatës të miratuar së fundmi, si dhe prirjen e vazhdueshme për hetime dhe ndjekje penale proaktive, përfshirë fushën e krimit të organizuar”. Këshilli shtoi se “me mirëkuptimin se Shqipëria vazhdon të mbështetet në progresin inkurajues të bërë deri tani, pret me padurim vendimin lidhur me dhënien e statusit të vendit kandidat asaj në qershor 2014, në varësi të miratimit të Këshillit  Evropian”.

4.      Takimi vendosi se është thelbësore që Shqipëria të vazhdojë përpjekjet për reforma dhe të vazhdojë të paraqesë prova  të rezultateve të arritura duke u fokusuar te shteti i së drejtës, përfshirë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Komisioneri Fyle përshëndeti progresin e vazhdueshëm të Shqipërisë në reformat që lidhen me BE-në gjatë periudhës së kaluar dhe nënvizoi se puna e përbashkët konstruktive e qeverisë dhe opozitës, veçanërisht në Parlament, është kyçi për konsolidimin dhe forcimin e mëtejshëm të këtyre përpjekjeve. Lidhur me këtë Komisioneri theksoi se politikat konfrontuese nuk e ndihmojnë procesin e integrimit në BE. Komisioneri kujtoi gjithashtu rëndësinë që Shtetet Anëtare të BE-së i japin kulturës së bashkëpunimit dhe përfshirjes në Parlament, çka do të lejonte një proces të qëndrueshëm reformash. Lidhur me funksionimin e institucioneve të pavarura të vendit ai theksoi se si opozita ashtu dhe qeveria duhet të tregojnë tani përmbajtje dhe të garantojnë respektimin e plotë të legjislacionit të zbatueshëm dhe parimeve të tij. Komisioneri përshëndeti masat e marra në kuadrin e planit të veprimit të qeverisë për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si konsultimin e zgjeruar të strategjisë kundër korrupsionit të kryer në dhjetor dhe ngritjen e një rrjeti pikash kontakti kundër korrupsionit, nënshkrimin e marrëveshjes operative me Europolin dhe punën e vazhdueshme me rëndësi për reformën në polici. Ai mirëpriti gjithashtu fokusimin te miratimi i akteve nënligjore për Ligjin mbi Shërbimin Civil.

5.      Komisioneri Fyle përshëndeti projektin e Udhërrëfyesit për 5 Përparësitë Kyçe si një dokument të strukturuar mirë me afate realiste. Ai theksoi rëndësinë e vëmendjes së veçantë gjatë muajve të ardhshëm për të garantuar zbatimin e tij të qëndrueshëm dhe në kohë, veçanërisht lidhur me masat afatshkurtra në fushën e shtetit ligjor, përfshirë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

6.      Komisioneri Fyle theksoi se Komisioni është i gatshëm ta mbështesë Shqipërinë me ekspertizë dhe mbështetje financiare.

7.      Kryeministri Rama konfirmoi angazhimin e qeverisë së tij për forcimin e mëtejshëm të progresit të madh të arritur në reformat që lidhen me BE-në, veçanërisht për vazhdimin e zbatimit të reformave në fushën e shtetit të së drejtës, përfshirë politikën kundër korrupsionit, reformën gjyqësore dhe luftën kundër krimit të organizuar. Kryeministri Rama shprehu besimin se zbatimi në vazhdimësi i reformave kyçe përbën një bazë të shëndoshë për vendimin lidhur me dhënien e statusit të vendit kandidat Shqipërisë në qershor 2014. Ai konfirmoi gjithashtu angazhimin e qeverisë së tij për krijimin e një lidhjeje të fortë mes qeverisjes ekonomike dhe shtetit të së drejtës, çka do të çojë në një mjedis më transparent biznes. Lidhur me këtë ai përshëndeti shtimin e fokusit nga ana e BE-së ndaj çështjeve të qeverisjes ekonomike.

8.      Qeveria shqiptare konfirmoi angazhimin e saj për një dialog politik konstruktiv dhe të qëndrueshëm me opozitën, çka është jetike për qëndrueshmërinë e  procesit të reformave. Në këtë kontekst, qeveria shqiptare e sheh DNL si një instrument të dobishëm përmes së cilit Shqipëria dhe BE-ja vlerësojnë dhe rishqyrtojnë progresin e bërë nga vendi në kuadrin e diskutimeve gjithëpërfshirëse.

9.      Komisioneri Fyle përshëndeti angazhimet e qeverisë shqiptare për të garantuar zbatimin e qetë të Ligjit për Shërbimin Civil me po atë frymë dialogu dhe bashkëpunimi që çoi në miratimin e tij në maj 2013; për finalizimin e strategjisë kundër korrupsionit dhe hedhjen e hapave për zbatimin e saj lidhur me përmirësimin e efikasitetit të veprimit në këtë fushë; për angazhimin me Komisionin e Venecias lidhur me procesin e reformimit të sistemit gjyqësor dhe për garantimin e zbatimit të qetë të legjislacionit në këtë fushë; si dhe për intensifikimin e luftës kundër krimit të organizuar përmes veprimtarive specifike dhe bashkëpunimit të përforcuar mes organizmave të zbatimit të ligjit.

10.      Qeveria mbetet e angazhuar ndaj përfshirjes së organizatave dhe grupeve të shoqërisë civile në procesin e reformave.  Për këtë qëllim, Udhërrëfyesi për 5 Përparësitë Kyçe është ndarë me aktorët dhe organizatat e shoqërisë civile për komente dhe sugjerime. Duhet ngritur mekanizmi i konsultimeve me palët e interesuara, siç u vendos në takimin e parë të Dialogut të Nivelit të Lartë, bazuar mbi hapat fillestarë të ndërmarrë. Ky proces i zgjeruar konsultimi do të kontribuojë për konsolidimin e konsensusit mbarëkombëtar mbi integrimin në BE dhe do të sigurojë një kuadër për kanalizimin e ekspertizës dhe energjisë brenda shoqërisë shqiptare në politikëbërje dhe zbatim.

11.      Për t’u përgatitur për takimin tjetër të DNL-së të parashikuar në qershor 2014, u vendos që kontaktet në nivel pune të intensifikohen dhe të sigurohen raporte të rregullta mbi zbatimin e udhërrëfyesit nga pala shqiptare. Shqipëria do të japë kontribut lidhur me raportin tjetër të Komisionit. Komisioneri Fyle nënvizoi se në këtë periudhë Shqipëria duhet të vazhdojë të japë rezultate konkrete lidhur me të gjitha pesë përparësitë kyçe, me fokus të veçantë mbi reformën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe asaj gjyqësore.

 

29 shikime 1 sote

About the Author

albaniaplus -

Komentoni

XHTML: Mund te perdorni keto html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

We use cookies to ensure that we give you the best experience on our website.
Ok