Përçahet mazhoranca, ikën Fronti i Majtë nga PS

72

Fronti-i-MajteFronti i Majtë largohet nga koalicioni me PS dhe vendos të garojë e vetme në zgjedhjet vendore të 21 qershorit.

“Largimi ynë nga koalicioni me Ramën ishte një domosdoshmëri e diktuar nga politikat antipopullore dhe antikombëtare të qeverisë Rama. Madje edhe vetë PS, kjo parti biznesmenësh, nuk përfaqëson më asgjë nga idealet e majta” thuhet në deklaratën për shtyp të kreut të kësaj partie Marko Dajti të shpërndarë për median më 14 prill 2015.

“Ne nuk mund të bëhemi pjesë e cirkut të Edi Ramës, sikurse qenushët që prisnin një kockë nga Tahir Baçova. Nuk kemi kërkuar kurrë të bëhemi pashallarë dhe nuk kemi kërkuar pushtet, por drejtësi sociale. Zgjedhjet e 21 qershorit janë një shans i madh për të majtët e vërtetë që, të grupuar rreth Frontit të Majtë, do të tregojë se ka një alternativë dhe kjo është e majta e papërlyer nga koalicionet e turpit. Edi Rama le të bëjë marrëveshje me mbeturinat politike të Sali Berishës, madje le të thërresë edhe mikun e tij, Fatmir Gërdecin, por kjo nuk do ta shpëtojë nga damka e turpit si një nga tradhtarët më të mëdhenj të vetë socialistëve. Tashmë Partia Socialiste nuk është më streha e të majtëve, por harremi i Edi Ramës,” vijon deklarata.

Sipas Dajtit socialistët e vërtetë nuk kanë fituar më 23 qershor, megjithëse e shporrën satrapin Sali Berisha dhe i bën thirrje intelekualëve që mbështesin këtë parti të sjellin propozime për kandidatë për bashki

“Në vend të kontratës me socialistët, Edi Rama ka zgjedhur kontratën me Sali Berishën dhe oborrtarët e tij. Dy njerëz që sa herë janë ulur në tavolinë, kanë bërë marrëveshjet se si t’ia futin sa më thellë miletit. Ashtu sikurse kanë bërë edhe sot në KQZ, duke ndryshuar rregullat e lojës vetëm pak ditë përpara skadimit të afateve për regjistrimin e kandidatëve.
Fronti i Majtë i bën thirrje gjithë intelektualëve të majtë që nuk e ndjejnë veten të përfaqësuar nga kjo politikë sharlatanësh, të rigjejnë idealin e tyre te partia dhe të sjellin kandidaturat e tyre për kryetarë bashkish apo këshilltarë në të gjithë vendin. E majta nuk mund të ngelet as në dorë të fundërrinave të Berishës, as të 99-shave.”