Publikuar Ne: 26 Nëntor 2014
180 shikime
Lajmet e fundit / RAJONI | By albaniaplus

PDK e LDK në hapa të mëtejshëm të finalizimit të marrëveshjes

kosova_flag_1Në Kosovë paralajmërohen hapa të mëtejshëm të finalizimit të marrëveshjes nga PDK dhe LDK, pas pajtimit në parim për ndërtimin e koalicionit ndërpartiak në mbrëmjen e 19 nëntorit, pikërisht para një jave, në takimin e parë të liderëve Hashim Thaçi e Isa Mustafa, i cili u zhvillua te Presidentja e Republikës, Atifete Jahjaga.
“Grupi parlamentar i PDK-së e mbështet fuqishëm këtë marrëveshje, kështu që tashmë do të vazhdojmë me hapat e mëtejshëm të finalizimit të marrëveshjes”, ka deklaruar Thaçi pas takimit të djeshëm me deputetët nga partia që drejton.
Thaçi dhe Mustafa në takimin e dytë në 23 nëntor, paralajmëronin se “brenda javës do të saktësohet edhe data e vazhdimit të seancës për zgjedhjen e organeve udhëheqëse të Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë”.
Ndërsa, në 25 nëntor liderët e PDK-së dhe LDK-së, në takimin e tretë – të dytin te Presidenta e Republikës, e cila “i inkurajoi që përbrenda këtij muaji të krijojnë institucionet”, e njoftun se “subjektet e tyre politike dhe grupet punuese për harmonizimin e koalicionit bashkëqeverisës do të jenë të gatshme të ftojnë seancën e Kuvendit të Kosovës për t’i zgjedhur organet e këtij institucioni dhe votuar Qeverinë dhe programin e saj qeveritar në 8 dhjetor 2014″.
Në 8 dhjetor mbushen plot gjashtë muaj nga dita e zgjedhjeve parlamentare të parakohëshme të 8 qershorit në Kosovë.
Pas finalizimit të marrëveshjes PDK-LDK, me dakordimin e subjekteve parlamentare, deputetja më e vjetër, Flora Brovina, si kryesuese, do të njoftojë zyrtarisht datën e rivazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, që ka nisur në 17 korrik e ka pasur dy ndërprerje e një shtyrje.
Ndërkohë, liderët e PDK-së e LDK-së, Thaçi e Mustafa, kanë takuar përfaqësuesit e subjekteve politike parlamentare të komuniteteve pakicë, me të cilët kanë biseduar për marrëveshjen e arritur për ndërtimin e institucioneve dhe sipas deklaratave nuk kanë biseduar ende për ndarjen e posteve për përfaqësimin e pakicave në qeveri, që e kanë të garantuar me Kushtetutë me të drejta të plota dhe afirmative.
Edhe pse nuk ka asnjë njoftim zyrtar të përbashkët nga dy partitë e mëdha të koalicionit më të ri qeverisës se kush do jetë kryeministri e cilët ministrat në qeverinë e re të Kosovës, media në Prishtinë jep emra të ndryshëm e versione të ndryshme, të pakonfirmuara.
Sipas shtypit të sotëm kosovar, “figura të reja pritet ta përbëjnë kabinetin e ardhshëm qeverisës të udhëhequr nga Isa Mustafa”.
“Përflitet se nga Lidhja Demokratike e Kosovës ministër i Financave dotë jetë Avdullah Hoti, ndërkaq Teuta Sahatçiu si ministre e Shëndetësisë, Kujtim Shala ministër i Arsimit, ndërkaq Valon Murtezai ministër i Punëve të Jashtme. Edhe brenda PDK-së tashmë kanë filluar të lakohen emrat e atyre që do të vihen në krye të dikastereve qeveritare, edhe pse Hashim Thaçi është duke e filtruar listën. Përflitet se nga ministrat e ardhshëm të kabinetit të Mustafës do të jenë sërish Agim Çeku, Edita Tahiri, Memli Krasniqi e Enver Hoxhaj…etj.”, sipas një gazete në Prishtinë. Një tjetër gazetë po sot shkruan se, “emrat që përmenden nga burime për ministra janë: Teuta Sahatqija, Avdullah Hoti, Arben Gashi, Bajram Gecaj, Skender Hyseni, Ismet Beqiri, Sali Morina”. Të tjera meda kanë përmendur edhe emra tjerë.
“Betaja për ministritë shtyn seancën e Kuvendit për dy javë”, është një nga titujt në ballinat e gazetave të sotme të Kosovës.
Edhe media në Serbi raporton rreth zhvillimeve në krijimin e insititucioneve të zgjedhjeve në Kosovë. Mbrëmë një media serbe raportonte nga Prishtina se, “siç merrte vesh, mes deputetëve të Kuvendit kosovar, nga gjithësej 30 deputetë të partisë së Mustafës, deri sonte janë 12 që kanë shfaqur pakënaqësi për formimin e koalicionit me partinë e Thaçit”.
Ndërsa duke iu referuar “medias së Prishtinës”, raportonte se, “deputetët e LDK-së Vjosa Osmani, Alma Lama, Kujtim Shala, Adem Salihaj e Doruntina Maloku publikisht kanë deklaruar se në Kuvend nuk do të votojnë për koalicionin PDK-LDK”.

181 shikime 1 sote

About the Author

albaniaplus -

Komentoni

XHTML: Mund te perdorni keto html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

We use cookies to ensure that we give you the best experience on our website.
Ok