Publikuar Ne: 25 Prill 2014
134 shikime
AKTUALITET / OPINION | By albaniaplus

Bloger apo gazetar?

blogerAurora Allushaj

A mund të quhet një bloger gazetar? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje duhet kuptuar se si po ndryshon bota e informacionit dhe si pasojë, si duhet të sillet një i ri i cili ka për qëllim të ndërmarrë këtë profesion.. Blogerët kanë etikë profesionale njësoj si gazetarët. Në 12 faqet e Kodit të etikës së gazetarit në thelb qëndrojnë pesë gjëra: një gazetar duhet të kontrollojë gjithmonë burimet e lajmeve që boton, të respektojë dinjitetin e njerëzve, të shmangë informacionet pa prova konkrete, të mos pranojë dhurata për të përdorur informacionin në favor të personave të interesuar. Në rast gabimi gazetari është i obliguar të sigurojë të drejtën e replikës palës së dëmtuar për të thënë fjalën e tyre mbi artikullin e botuar. Për blogerët nuk ekziston një kod i tillë. Nuk ka rregulla, nuk ka kod etike përveç atyre të parashikuara me ligj. Shpifja për shembull, është vepër penale dhe vlen për të gjithë, duke përfshirë këtu gazetarët dhe blogerët . Komuniteti i gazetarëve nuk ka një opinion pozitiv për blogerët. Pjesa më e madhe e tij ende ka tendencë t’i shohin si individë që shprehin mendimin e tyre duke përdorur internetin si megafon. Ky është një pozicion jo vetëm reaksionar, por edhe i mbushur me paqartësi të rrezikshme. Jo për blogerët, por për të ardhmen e gazetarisë.

Duke qenë një gazetar nuk do të thotë se je duke bërë gazetari. Dhe e kundërta Jemi përballë një paradoksi. Gazetarët zyrtarë lodhen për të gjetur punë dhe për ketë kanë gjithnjë e më pak hapësirë për të manovruar. Duhet t’i përmbahen kodit të etikës, por shpesh, shumë shpesh, nuk e bëjnë. Edhe në gazetat më të mëdha,verifikimi i burimeve është bërë praktikisht i pamundur për shumë arsye. Disa vite më parë 80 % e lajmeve prodhohej nga gazetarët, por sot situata ka ndryshuar. Lajmi prodhohet në zyrat e shtypit dhe më pas përdoret nga gazetarët. Edhe agjencitë e lajmeve, të cilat teorikisht duhet të jenë burimet më neutrale, kanë shpesh presion nga qeveritë dhe firmat e mëdha. Gazetarët nuk mund të udhëtojnë në kërkim të lajmit pasi nuk paguhen nga redaksitë. Ndërkohë që blogerët, gjithmonë e më shumë kanë tendencën të zëvendësojnë gazetarët. Çfarë bëjnë ata? Ata kanë zgjedhur të mësojnë dy gjuhë: atë të gazetarisë dhe atë të Internetit. Kujdes: Unë nuk flas për të gjithë blogerët, por për ata që e kanë marrë seriozisht këtë aktivitet.

Por le ti kthehemi pyetjes: A janë blogerët gazetarë? Në Shtetet e Bashkuara po, por jo në Shqipëri. Edhe pse ka disa faqe shumë të preferuara nga lexuesit shqiptarë, sërish nëse flet për blogje, nuk je duke folur për gazetari. Por, ka një lajm shumë të rëndësishëm, edhe vetë gazetarët i lexojnë dhe informohen nga blogjet e ndryshme. Madje në shumë raste opinione apo lajme të botuara në blogje përdoren nga gazetat. Koncepti i redaksisë që ka qenë gjithmonë zemra e gazetave është duke vdekur. Kjo për shkak se burimet e informacionit gjithnjë e më pak i ngjajnë një gazete dhe gjithmonë e më shumë një blogu. Sot ka gjithmonë e më pak mbledhje redaksie, gjithmonë e më pak shkëmbimin informacioni ndërmjet atyre që shkruajnë. Nëse disa vite më parë mbledhja e mëngjesit ishte një terapi kolektive informacioni, sot nuk ndodh më ashtu. Ky nuk është lajm i mirë, por procesi është i pakthyeshëm: gazetat më të lexuara i ngjajnë gjithmonë e më pak gazetës tradicionale dhe gjithmonë e më shumë një grupi blogjesh të pavarura.

Pra, nëse dëshironi të bëhet gazetarë mos prisni që të shkruani në një gazetë për tu quajtur të tillë. Përqendrohuni në përmbajtje: hapni një blog, shkruani gjëra interesante, origjinale dhe të thella. Kontrolloni burimet, dilni nga shtëpia dhe mos lundroni vetëm në internet, kini respekt për të tjerët dhe evitoni të shkruani çfarë mendoni për shkak se ju e mendoni ashtu. Kur të keni bërë kështu, do të shihni se dita-ditës do të lexoheni më shumë dhe do të kuptoni, se për të qenë gazetar nuk është e domosdoshme të jeni pjesë e një redaksie.

135 shikime 1 sote

About the Author

albaniaplus -

Komentoni

XHTML: Mund te perdorni keto html tags: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

We use cookies to ensure that we give you the best experience on our website.
Ok