Zyrtari i DASH takohet me Ramën

16

Rama-MooreKryetari i Partisë Socialiste Edi Rama priti sot në takim Drejtorin për Europën Qendrore dhe Jugore në Departamentin e Shtetit të SHBA, Jonathan Moore.Rama falenderoi të dërguarin e Departamentit të Shtetit për vizitën e tij në Tiranë brenda një kohe të shkurtër duke e vlerësuar atë si një shenjë konkrete të interesimit të SHBA dhe mbështetjes që ata i japin Shqipërisë dhe popullit shqiptar në këtë moment vendimtar për demokracinë dhe shtetin ligjor në Shqipëri. Ai falenderoi SHBA për kontributin e tyre të vazhdueshëm dhe konkret që japin për zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri duke vënë në dukje rolin e pazëvendësueshëm që SHBA luajnë në forcimin e demokracisë në vendin tonë.

Gjatë takimit u shkëmbyen mendime lidhur me rolin, gjendjen dhe funksionimin e institucioneve të pavarura të administrimit të zgjedhjeve përfshi Komisionin Qendror të zgjedhjeve dhe problematikën më të cilën ndeshet ai.

Zoti Rama ndër të tjera vuri në dukje se Partia Socialiste si promotore e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian është e gatshme të votojë për kuadrin ligjor të nevojshëm për këtë qëllim.

Moore rikonfirmoi angazhimin e vazhdueshëm të SHBA si përmes ambasadës në Tiranë ashtu edhe kontributit konkret njerëzor dhe financiar për zhvillimin e zgjedhjeve në përputhje më standardet ndërkombëtare dhe në respekt të ligjit. Ai vuri në dukje se SHBA do të ndjekin nga afër të gjithë procesin si para ashtu edhe pas zgjedhjeve duke bërë thirrje dhe shprehur besimin se të gjithë palët do të mbajnë parasysh interesat më të mira të popullit shqiptar, të respektojnë ligjin dhe të njohin rezultatin e zgjedhjeve duke theksuar se procesi zgjedhor është i një rëndësie të veçantë.