Zgjidhet maratona e 50 shqiptarëve, pas denoncimit në Ora News lejohen të kalojnë kufirin

54

Ditmir-BushatiPas vënies në lëvizje të Ministrisë së Brendshme dhe asaj të Jashtme, si dhe Ambasadorit tonë të akredituar në Slloveni, Ardian Simoni, është zgjidhur situata e 50 qytetarëve shqiptarë që u mbajtën të bllokuar në doganën sllovene. Rreth ores 05:00 te mengjesit te sotem ata jane lejuar te udhetojne drejt destinacionit ku ishin nisur, Strasburgut.

50 shtetasit shqiptarë, përfaqësues të Kishës katolike, të cilët udhëtonin drejt Strasburgut për festimin e natës së ndërrimit të viteve, u bllokuan për disa orë me radhë nga autoritetet doganore në Slloveni nën pretendimin se autobusi me të cilin udhëtonin nuk kishte vërtetim parkimi.

Nga Austria, shtetasi Ardian Ramushi, i cili bëri dhe denoncimin mbrëmjen e së premtes në emisionin Alarm në RTV Ora News, dha detajet e kësaj situate.

“Ne kishim komunikime direkte me dy Ministrat Bushati dhe Tahirin deri në orët e vona të mesnatës, kishim komunikim nga stafi i Ministrisë së Jshtme, ka ardhur gjithashtu zoti. Ardian Simoni nga Ambasada shqiptare në Lubianë në pikën doganore, në zonën neutrale ku ne ishim, i cili ka negociuar për rreth 3 orë dhe e falenderojmë shumë se bëri një goxha punë të madhe duke na mundësuar vazhdimin e rrugës. Arsyeja që paraqitën autoritetet doganore për bllokimin tonë ishte mospasja e një vërtetimi të parkimit ku autobusi ka qenë i parkuar në Tiranë, për një periudhë dyjavore, duke mos pasur kështu dhe tipografet”tha ai.

Ramushi solli edhe njëherë në vëmendje të gjithë peripecitë në pikën doganore të Sllovenisë, duke akuzuar autoritetet policore atje për diskriminim dhe terror ndaj tyre.

“Situata fillimisht ishte shumë e acaruar, na morën vulat hyrëse dhe u kontrollua domuntacioni i autobusit. Sërish më pas ata na mblodhën pasaportat dhe tek vula hyrëse që sapo kishim marrë ata vunë një kryq, nuk ishte nevoja për shënime në pasaportë. Kjo ishte ajo situata irrituese. Ne u thamë që nëse automjeti ka probleme ne do marrim një tjetër automjet dhe do ikim sepse kemi bërë pagesën. Ata na thanë ok ju mund të ikni por automjeti do të rrijë këtu. Në atë moment ne kërkuam vulat rihyrëse, në atë moment ne na rrethuan dhe nuk na lanë për ta vulosur. Kur panë që nuk lëviznim nga dogana na thanë që të hipnim në autobus me të bërtitura dhe ultimatume, duke na kërcënuar se do të merrnim gjoba me 200-300 euro. Dhe çështja më kryesorja në momentet e debatit të gjithë policët mbanin dorën mbi pistoletat që kishin në brez” theksoi Ramushi.

Në përfundim, Ardian Ramushi, falenderoi RTV Ora News, i cili e bëri të dëgjueshëm problemin e tyre, sikundër dhe autoritetet shqiptare për gadishmërinë që treguan në zgjidhjen e kësaj situate.
Ndërkaq Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati para nisjes së seancës plenare në Kuvend falenderoi RTV Ora News për transmetimin e shqetësimit të 50 shtetasve shqiptarë, si dhe shërbimin  diplomatik në Kroaci dhe Slloveni për efiçensën e treguar në zgjidhjen e kësaj situate.

“Do doja të falenderoja dhe një herë Ora News për transmetimin e këtij lajmi dhe për faktin që na mundësoi kontaktin me qytetarët shqiptarë , të cilët po kalonin kufirin nga Kroacia për në Slloveni dhe ishin bllokuar për mugesë dokumentacioni, sipas autoriteteve sllovene. Kemi vënë në lëvizje dy Ambasadat tona në Slloveni dhe Kroaci si dhe stafin e Ministrisë së Jashtme. Rreth orës 04:30 të mëngjesit të sotëm arritën ti japin zgjidhje kësaj situate”.

I pyetur nga Ora News nëse do të ketë një qëndrim zyrtar rreth kësaj ngjarje, Bushati tha kjo çështje do të zgjidhet përmes kanaleve diplomatike.

“Me rëndësi është që qytetarët janë drejt Strasburgut, lajmi tjetër i mirë është që media i shërbeu si kanal komunikimi shqetësimit të qytetarëve dhe shërbimi i jashtëm u përgjigj me efiçensë të plotë. Të gjitha çështjet e tjera janë çështje dytësore që mund të zgjidhen në kanalet diplomatike zyrtare, por që do ishin jashtë interesit të çështjes së sotme”.

“Pergezime stafit te perkushtuar te sherbimit te jashtem per ndihmesen ndaj pasagjereve shqiptare ne kufirin kroato-slloven! Flm Ora News!” shkruan ne faqen e tij zyrtare Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati.

*Ora News