Zbardhet takimi Eshton- Nishani

73

PresidencaPresidenti i Republikës, Bujar Nishani priti në një takim Zëvendëspresidenten e Komisionit Europian dhe Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë në Bashkimin Europian, Baroneshën Catherine Ashton, e cila vizitoi për herë të parë Shqipërinë, në kuadër të një turi në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Pasi shprehu angazhimin e Shqipërisë për të përmbushur standardet e integrimit dhe përgjegjësinë për të qenë anëtare e denjë e Bashkimit Europian, Presidenti Nishani falenderoi Bashkimin Europian dhe personalisht Baroneshën Ashton për mbështetjen dhe inkurajimin e vendeve të rajonit dhe veçanërisht të Shqipërisë në proceset demokratike dhe të integrimit.

Në vijim, Kreu i Shtetit garantoi se Shqipëria ka kapacitetet institucionale dhe infrastrukturën e nevojshme për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme në përputhje me standardet europiane. Sfida e vetme për t’u kapërcyer mbetet sjellja e partive politike gjatë procesit zgjedhor dhe pas zgjedhjeve.

Një vëmendje e veçantë gjatë bisedës iu kushtua situatës në rajon, ku bashkëbiseduesit vunë në dukje se bashkëpunimi dhe e ardhmja europiane janë e vetmja alternativë për vendet e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti Nishani, në këtë kuadër, vlerësoi kontributin e Baroneshës Ashton për paqen dhe stabilitetin në rajon, dhe veçanërisht nëpërmjet ndërmjetësimit të bisedimeve Kosovë-Serbi dhe e garantoi se politika e Shqipërisë në mbështetje të paqes dhe sigurisë në rajon mbetet e pandryshuar.

Zëvendëspresidentja e Komisionit Europian, Catherine Ashton theksoi se ndjehet e inkurajuar nga vendosmëria e Shqipërisë në realizimin e reformave dhe nënvizoi se ndonëse rrugëtimi europian është i vështirë, eksperienca e vendeve paraardhëse ka treguar se ai ia vlen.

Baronesha Ashton shprehu interesimin e saj për procesin zgjedhor në Shqipëri duke kërkuar që të kryhet një proces zgjedhor i besueshëm, veçanërisht për votuesit.

Kryediplomatja e Bashkimit Europian u shpreh se pret që politikanët shqiptarë të tregohen të përgjegjshëm për të paraqitur alternativa dhe prioritete zgjedhore dhe të respektojnë etikën duke shmangur retorikën e ashpër.

Të dy bashkëbiseduesit ishin në një mendje se, Presidenti i Republikës mund të luajë një rol moderues dhe të përcjellë mesazhe të nevojshme gjatë dhe pas procesit elektoral në përputhje me statusin e tij institucional- theksohet në njoftimin për shtyp të Presidentit të Republikës.