Zamir Dule, gazetari i masakruar, po verbohet

213

zamirTë udhëtosh në një stinë pranvere, në një fshat kufitar, nuk është më një stërmundim i madh. Infrastruktura deri diku e përmirësuar dhe një rrugë shumë e ngushtë sapo lë kryeqendrën e Devollit, Bilishtin, të çon në pjesën e epërme siç e quajnë devollinjtë, Devollin e Sipërm, pikërisht në fshatin Miras, ndër më të mëdhenjtë e kësaj krahine. Aty në një shtëpi gati të rrëzuar, në fund të fshatit dhe i harruar në një dhomë përherë të errët, ndodhet një gazetar që bëri epokë me kronikat e zeza  dhe gazetarinë investigative në vitet 1194-1997. Quhet Zamir Dule. Me një fytyrë tejet të bardhë sa të ngjall dhe frikë, por edhe keqardhje njëherësh për atë se çfarë i ofroi profesioni i gazetarit të guximshëm, ai të pret i frikësuar gjithsesi në shtëpizën, të cilën e ndan varfërisht me nënën plakë të veshur me të zeza. Ai të jep dorën dhe më pas struket në shtratin e tij, i frikësuar nga ndonjë e keqe, që duket se i ka lënë hidhërimin më të madh përherë. Ndonëse vështrimi i tij humbet, ndonëse ai me dëshpërim të thotë se tashmë nuk mund të lexojë që prej një muaji, ndërsa mjegulla ka kohë që i është bërë si shok i pandarë. Ai është në prag të verbimit. E rrahën në vitin e mbrapshtë ’97, duke e shokuar me goditje të levave të hekurit në kokë dhe në trup, punonjësit e SHIK-ut. Dhe këtë ia bënë mu në mes dhomave të komisariatit të Policisë numër tre në Tiranë, fakt i cili është në dosjen e Prokurorisë së Tiranës, e cila fillon, pezullon, rifillon, e mbyll dhe rihap këtë dosje tragjike të djegies së redaksisë së gazetës së parë të pavarur e më të madhe në Shqipëri, “KOHA JONË”. Zamiri ka  një pension të posaçëm të lidhur nga ish-kryeministri Nano në vitin 2004, porse gjendja fizike dhe sidomos syri deri në verbim, duket se nuk ia rregullojnë shikimin ato pak lekë që merr nga shteti. Por në këtë gjendje, ai ka nevojë për të gjithë, për kolegët e tij të dikurshëm, por edhe të sotëm; ka nevojë edhe për Edi Ramën, kryeministrin e Shqipërisë, i cili edhe vetë u godit nga bandat qeveritare të vitit ’97. Kryeministri ka nevojë të përdorë një fond të vogël që ta shërojë, duke përdorur gjithë mekanizmat shtetërorë.

Dëshpërimi ka kohë që e ka mbuluar Zamir Dulen, gazetarin që provoi gati vdekjen dhe që mundi të mbijetojë falë rastësisë, natën e djegies së gazetës “Koha Jonë” në vitin 1997. Ai pret atje në shtëpinë e tij, një dhomë krejt e vogël, ndonjë lajmës nga Tirana që të mund ta shërojë, që të paktën të shikojë, të lexojë.

Zamiri po humb edhe shikimin

Mbijetesa e tij është gati fatale për të, teksa ai ndihet mirë vetëm brenda një hapësire të vogël të një dhome të ulët me disa orendi të viteve ’70-të, ku i qëndron pranë si gjithmonë nëna e tij, Qerimeja. Ai ka lënë leximin dhe librat e tij të shtrenjtë, me të cilët ndante ditë-netët e gjata, i vetëm me një nënë të moshuar dhe pa miq, të cilët e kanë harruar në kujtesën e tyre të së shkuarës. “S’mund të lexoj dot më, kam probleme me sytë”, – kaq mund të të thotë Dule, i cili hyn sërish në atë botëzën e tij plot mister dhe enigma, ndërsa prej shumë kohësh shtëpia e tij nuk ka më as televizor. Varfëria duket se për ironi i ka gllabëruar dhe të vetmin mjet që mund të argëtonte disi gazetarin, i cili dëgjonte me kujdes lajmet. Por, fati edhe këtë herë nuk është me të. Madje, në këtë shtëpi të fundosur nga shumë fatkeqësi të njëpasnjëshme pas vitit ogurzi të ’97-ës, kur Zamiri do linte njëherë e përgjithmonë Tiranën dhe jetën e tij prej gazetari kronikash të zeza, kjo s’është asgjë. Zamiri rrëfen me shumë lakonizëm se televizori u është prishur dhe se nuk mund të shohë më; por për fat të keq, nuk ka as edhe një radio për të jetuar jetën e të gjallëve, për të patur informacionin, burimin e jetës së tij të dikurshme. Sa për internet, rrjete sociale, Facebook etj., këto janë fjalë të panjohura për ish-gazetarin, sepse nuk ka patur shansin t’i shohë dhe provojë si gjithkush, qoftë dhe si bashkëfshatarët e vet. Ai mezi gjen shtratin e tij, që qëndron i pandryshuar prej vitesh me disa nënkresa të vjetra e të dala boje, ndërsa në një dritare mban fletore dhe shënime të shumta. Por dhe ky “privilegj”, si një tjetër zakon i të shkuarës, po i privohet. Zamir Dule nuk mund të shkruajë asgjë, as ditarin e tij të thjeshtë pa ngjarje reale dhe personazhe jetësorë. Ai tani nuk mund të shkruajë dhe as të lexojë. Të afërmit e tij bëjnë apel për ndihmë, ndërsa ata shprehen se Zamirin e kanë harruar të gjithë dhe në këto momente, ai ka nevojë për ndihmën e shtetit. Traumat në familjen Dule kanë qenë të njëpasnjëshme. Pas asaj që pësoi gazetari, iu vra vëllai, teksa nga gjithë ky lumë hallesh, u nda nga jeta edhe babai i tij. Ajo që mund të thuhet tashmë për të është se Zamir Dule ka nevojë për ndihmë, për kurim, për vëmendje. “Të paktën të ketë sy të shkruajë dhe të lexojë. Ju lutem ndihmojeni”, – thonë të afërmit e tij. Dëshira që e mban në jetë këtë njeri të ndëshkuar dhimbshëm, është ajo e botimit të librave të tij. Në një raft të një bufeje të vjetër dhe të pluhurosur, ai ka radhitur në ca fletore të trasha veprat e tij. Njëra e ka titullin “Apologjia”, “Busti” quhet një tjetër, por natyrisht ai nuk të lë t’u afrohesh për të parë se ç’thonë këto vepra të mbetura thjesht në ca rreshta, të shkruara në ditët e vetmisë së gjatë të tij. Nëse tenton ta pyesësh për ditën kur u dogj gazeta “Koha Jonë”, ai nis e shqetësohet së tepërmi dhe më pas, do ose të largohet nga shtëpia, ose të jetë i vetëm në atë dhomën e tij të errët, ku edhe dielli i ka kursyer rrezet e veta. Sa shumë i dhembin ato ngjarje Zamirit, saqë tanimë jeton me dyshimin e njerëzve të SHIK-ut që do i behin në derë papritur dhe do nisin nga torturat çnjerëzore, të cilat e lanë në një botë të frikshme dhe pa kthim.

Ai ka humbur shumë në jetë, profesionin, karrierën, jetën e tij të gjallë, shokët, miqtë, ka humbur shpresat, familjarët e vdekur, ndërsa i kapërcen ditët në një fshat të largët kufitar, me ca kujtime të vrara të një kohe kur e masakruan punonjësit e SHIK-ut, për të mbetur si një trup i ekzekutuar qyshkur. Ai është dhe nuk është.  Shpreson se librat e tij ku ka dhe kujtime do të botohen një ditë, por nuk beson se do ketë buzëqeshjen dhe hovin për të ecur rrugëve të kryeqytetit, për të raportuar lajmet në redaksi. Ajo ishte kohë tjetër dhe mbeti në zjarrin e asaj nate marsi, kur u dogj redaksia e “Koha Jonë”, bashkë me jetën e tij…

Apel i fundit për ndihmë Kryeministrit Rama

Zamiri po pret që dikush t’i vijë në ndihmë. Pret dhe nuk flet. Nuk shikon dot mirë, por vështron me lotët e shpirtit. Ai nuk do shumë gjëra, bile më saktë, ai shpreson vetëm t’i kthejnë shikimin e syve, që të lexojë apo të shikojë lajme. Aq do për momentin, heroi i gazetarisë investigative dhe emblema e medias së vitit 1997. Zamir Dule është atje, në fshatin Miras, në Korçë. I vetëm, me nënën, pa shikim dhe larg botës së Tiranës.

Nga Albana Çakshiri “Koha Jone”