Yee dhe Fajon apel politikës: Punoni për integrimin

57

ue“I bëjmë thirrje qeverisë dhe opozitës në Shqipëri që të punojnë së bashku dhe të arrijnë rezultate për t’i fuqizuar argumentat për një vendim pozitiv në qershor”.

Apeli  vjen nga zyrtari i lartë amerikan Zëvendës-ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Eurazinë, Hoyt Yee gjatyë seancës së mbajtur një ditë më parë në komisionin amerikan të Helsinkit, ku është diskutuar për Ballkanin Perëndimor, por është sjellë disa herë në vëmendje kriza në Ukrainë dhe rreziku që vjen prej saj.

“Përparimi arrihet më shpejt kur udhëheqësit politikë dhe aktorë të tjerë lënë pas mënyrën e vjetër të të vepruarit”, tha ai duke përmendur si shembull Kroacinë” ka theksuar zyrtari amerikan.

Sipas tij, me shtyrjen e dhënies së statusit kandidat, Shqipërisë iu dha kohë që të dëshmojë përparim të mëtejshëm nën qeverinë e re në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Ndërkaq europdeputetja Tanja Fajon, përcolli mesazhin e bashkëpunimit mes forcave politike.

Ajo ka deklaruar se shtyrja përsëri e hapjes së dritës së gjelbërt për Shqipërinë, do të ishte një mesazh shumë i gabuar, sepse do të rrezikoheshin reformat.

“Tani duhet të sigurohemi që qeveria e re po bën të gjitha përpjekjet për të plotësuar të gjitha detyrimet evropiane jo vetëm në letër por edhe t’i zbatojë, çka do të thotë luftë kundër korrupsionit, krimit të organizuar, reformat në drejtësi, në administratën publike dhe këto janë të gjitha shumë të rëndësishme” ka theksuar ajo.

Të gjithë zyrtarët amerikanë dhe europianë që morën fjalën në këtë seancë deklaruan se duhet një angazhim më i madh i SHBA dhe BE për një Europë të lirë dhe në paqe.

Zëvendës-ndihmës Sekretari Amerikan i Shtetit për Evropën dhe Eurazinë, Hoyt Yee tha se situata e krijuar në Ukrainë nxjerr në pah rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara, Evropës dhe NATO-s për të forcuar paqen, stabilitetin dhe sigurinë në Evropë, mes së tjerash përmes integrimit të Ballkanit Perëndimor”.

Ndërsa ish-ambasadori amerikan në NATO, Drejtori Ekzekutiv i Institutit McCain, Kurt Volker u shpreh se çdo diskutim për Ballkanin  sot “nuk fillon me Sarajevën apo Prishtinën, por me Krimenë”, duke kërkuar një politikë më aktive të SHBA dhe BE.

“Druhem se e njëjta gjë ka ndodhur edhe me Ballkanin: një farë vetëkënaqjeje, një farë angazhimi i pamjaftueshëm nga udhëheqësit e Bashkimit Evropian, nga NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara” tha Volker.

Pjesëmarrësit në seancë thanë se duhet inkurajim për reformat drejt integrimit Euro-Atlantik, duke vlerësuar se ky mision është ende i papërfunduar.

Në lidhje me Kosovën Kongresmeni Eliot Engel, dhe eurodeputetja Tanja Fajon shprehën shqetësimin që është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor që nuk është anëtare e NATO-s dhe që nuk gëzon liberalizimin e vizave.