Ukrainë, BE thirrje për zgjedhje të reja

53

Katerine AshtonBashkimi Evropian ka bërë thirrje për formimin e një qeverie të re në Ukrainë, që duhet të pasohet nga organizimi i zgjedhjeve presidenciale të lira dhe të drejta. Por BE nuk bëri thirrje për vendosjen e sanksioneve ndaj Ukrainës. Protestat anti-qeveritare shpërthyen në nëntor pasi Presidenti Viktor Janukoviç hoqi dorë nga nënshkrimi i një marrëveshjeje tregtare me Bashkimin Evropian në favor të lidhjeve më të ngushta me Rusinë.

Barrikadat vazhdojnë të bllokojnë qendrën e Kievit ndërkohë që mosmarrëveshjet mes protestuesve dhe qeverisë hyn në javën e tyre të tretë.

Kërkesa e opozitës për dorëheqjen e presidentit Viktor Janukoviç mori mbështetje nga Bashkimi Evropian.

Në takimin e djeshëm në Bruksel, ministrat e jashtëm të BE-së lëshuan një deklaratë të përbashkët në të cilën kërkohet formimin e një qeverie të re dhe miratimin e reformës kushtetuese që duhet t’i hapin rrugën organizimit të zgjedhjeve të lira dhe të drejta presidenciale. Catherine Ashton është shefe e Politikës së Jashtme të BE-së.

“Ne jemi duke punuar ngushtë me udhëheqësit e shoqërisë civile me të cilat unë kam zhvilluar takime mbi çështjet dhe shqetësimet e tyre. Është e rëndësishme që të ndalohet çdo formë e dhunës, të sillen para drejtësisë ata që kanë kryer veprime të dhunshme, të përfundohet puna e  parlamentit mbi reformën kushtetuese e cila është një pjesë e rëndësishme në përpjekjet për të zgjidhur këtë krizë, dhe pastaj të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të drejta”.

Ndërkohë që BE-ja i ka ofruar lidhje më të ngushta tregtare, ajo nuk mori vendim për vendosjen e sanksioneve ndaj Ukrainës.

Por Orysia Lutsevych e Institutit të Politikave Chatham House me qendër në Londër thotë se BE duhet t’i vendos në shënjestër mbështetësit e pasur të udhëheqjes së Ukrainës.

“Oligarkët, njerëzit e biznesit. Nuk kemi nevojë vetëm për vendosjen e sanksioneve. Por duke shfrytëzuar bazën ekzistuese ligjore duhet të shqyrtohet mundësia e mbikëqyrjes së llogarive financiare në bankat evropiane të njerëzve që janë të lidhur me udhëheqjen politike. Dhe ne e dimë se zyrtarë të lartë të qeverisë në Ukrainë kanë depozituar pasuri financiare në bankat e Evropës, burimet e të cilave janë të dyshimta”.

Në nëntor të vitit të kaluar, Presidenti Janukoviç hoqi dorë nga nënshkrimi i një marrëveshje tregtare me Evropën, duke favorizuar një marrëveshje kredie me Moskën.

Vëmendja tani është kthyer nga Rusia, e cila është mikëpritëse e Lojërave Olimpike Dimërore. Pas mbarimit të tyre, shumë protestues në Ukrainë frikësohen nga një tjetër goditje nga autoritetet, që mbështeten nga Rusia.

Ndërkohë që shfaqja e rivaliteti gjeopolitik vazhdon, protestuesit thonë se nuk do të largohen nga barrikadat deri në plotësimin e kërkesave të tyre.