Topi: Helikopterët e shtetit shqiptar, përdoren për të shkuar me pushime dhe me femra

52

TOPI-08_7Bamir Topi Kryetar i FRD-së, në një takim me banorët e Njësisë Bashkiake nr.3, në Tiranë ka hedhur akuza mbi Ministrinë e Mbrojtjes dhe mbi Kryeministrin aktual Berisha. Ai akuzoi institucionet e shtetit shqiptar për abuzime me detyrën dhe me taksat e taksapaguesve shqiptarë duke përdorur helikopterë të ushtrisë për të shkuar me pushime dhe me femra.

“Unë nuk kam folur asnjëherë për këtë temë. As për pushimin nga puna të gjeneralëve. Shkarkimi i 3 gjeneralëve, i padrejtë, ata e kanë bërë punën e tyre. Po marr shkas, që pas kaq kohësh doli një gjeneral, i cili u shkarkua para ca ditësh, që sipas informacioneve të mia e ka bërë detyrën e vet, për një ngjarje që konsiderohet si “një helikopter mbi shtëpinë time”. Kjo nuk është çështje personale, se e dija dhe do ta kisha bërë me dije prej kohësh. Çështjet personale të miat janë të miat dhe ju siguroj, që i përballoj dhe zgjidh vetë. Por Shqipëria sot është një ndër 28 vendet anëtarë të NATO-s. Por me helikopterët e ushtrisë e NATO-s sot bëhen pushime. Përdoren nga biznesmenë për pushime dhe femra. Turp për atë që ka rrënuar në këtë mënyrë institucionet shqiptare”, -deklaroi ish Presidenti Topi.

Topi reagoi edhe për titullin që Sali Berisha mori sot me rastin e 85-vjetorit të krijimit të Mjekësisë Publik, “Fisnikëria Tiranase”.

“Për titullin e Berishës, turp për ata që ia kanë dhënë. Edhe në fushën e mjekësisë ka shumë figura që duhet të nderohen të respektohen sepse një mjek përpara se të jetë profesionist duhet të jetë njeri human, është bazë e profesionizmit, humanizmi. Por çfarë mund të themi për tiparet humane të këtij njeriu që vetëm 2 vite më parë gjakosi Tiranën. Kur nën hundën e tij në mes të kryeqytetit lejoi vrasjen e njerëzve të pafajshëm dhe sot na meritoka titullin fisnikëria tironse”,- tha Topi.