Cocciante merr titullin ‘Naim Frashëri’,nga Presidenti Nishani

64

pres-nishani-takim-cocciante-2Presidenti i Republikës, Bujar Nishani priti sot kantautorin e njohur italian Riccardo Cocciante dhe fituesen e talent-show-t “The Voice of Italy”, Elhaida Dani.

Duke shprehur mirënjohjen  për mbështetjen e pakufishme që i dha këngëtares së re shqiptare si mentor i saj, Presidenti Nishani theksoi se inkurajimi për Elhaidën është tregues i mbështetjes ndaj kulturës dhe artit shqiptar në botë. Kreu i Shtetit u shpreh se shqiptarët janë shumë krenarë për suksesin e Elhaida Danit dhe nënvizoi faktin se kultura dhe arti janë shumë të rëndësishme në komunikimin mes popujve.

“Është vështirësisht e besueshme, por është fakt, se në një kohë tjetër tashmë të perënduar jo fort të largët, që nuk zgjati pak por dhjetra vite, ishin këngëtarët italianë që me muzikën e tyre, meloditë dhe tekstet e atyre këngëve, u bënë shqiptarëve një shërbim tepër të madh; I bënë të ëndërronin! Ata këngëtarë italianë, njëri prej të cilëve jeni sigurisht Ju Zoti Cocciante, kanë luajtur një rol absolutisht të rëndësishëm për ruajtjen e drejtpeshimit shpirtëror të shqiptarëve”, theksoi Presidenti në fjalën e tij.

Nga ana e tij, Riccardo Cocciante duke e falenderuar Presidentin Nishani për mikpritjen e ngrohtë u shpreh se kultura dhe arti e kanë mundësinë të kapërcejnë kufijtë që qëndrojnë mes popujve. Kantautori italian theksoi se është shumë e rëndësishme për një artist që të mos harrojë identitetin e tij, të njohë folklorin e popullit të vet dhe ta shprehë atë përmes artit, një porosi të cilën ai ia ka përcjellë personalisht edhe Elhaidës.

Elhaida Dani gjatë bisedës u shpreh se ndihet krenare që ka përfaqësuar popullin e saj duke shprehur gjithashtu mirënjohjen për mbështetjen që i dha kantautori italian, Riccardo Cocciante.

Presidenti i Republikës duke vlerësuar lart kontributin e kantautorit Riccardo Cocciante e nderoi atë me Titullin “Naim Frashëri”me motivacionin: “Si një artist mbarëbotëror, mik i shquar i Shqipërisë, i cili ka kontribuar në promovimin dhe lartësimin e talenteve dhe vlerave të tyre shpirtërore”.