Topi: Berisha i dizenjuar në zyrën e Ramiz Alisë, vrau më 21 janar dhe shpiku grusht shteti

59

bamir-topi-sali-berishaKryetari i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi, ka komentuar dje aktualitetin politik, duke u ndalur kryesisht tek afrimi i kryeministrit Rama, 21 Janari, zhvillimet në PD, raportet më Berishën etj. Kreu i FRD është ndalur gjatë tek darka me kryeministrin Edi Rama dhe temat e bisedës. Duke u ndalur tek raportet me Berishën, Topi pohoi se Sali Berisha është dizenjuar në zyrat e Ramiz Alisë dhe se është produkt i diktaturës. Sipas Topit, Berisha u hodh në lojë nga Ramiz Alia për të kompromentuar fatin e demokracisë. Ndërkaq, kreu i FRD deklaroi se Sali Berisha vrau në 21 Janar nga dritarja e Kryeministrisë dhe më pas shpiku grushtin e shtetit, për t’i shpëtuar drejtësisë.

-Çfarë ishte kjo darkë dhe cili ishte qëllimi i saj, përpos faktit se z. Rama mund t’iu falënderonte për rolin që keni luajtur për nxjerrjen e së djathtës në opozitë, duke nisur çfarë shkaku tjetër mund të kishte një darkë e tillë?  

Nuk ka pikë dyshimi se lajmet e kësaj natyre përbëjnë më shumë skup. Ishte një ftesë e z. Rama për një darkë, normale do ta quaja.   -Personale apo politike?   Ishte një darkë qytetare. Brenda një darke normale natyrisht ka biseda nga më të ndryshmet. Që do të thotë: biseda njerëzore. Dy politikanë trajtojnë dhe tema të politikës së ditës.

-Kur kryeministri i bie telefonit dhe thotë jam kryeministri i vendit dhe dua të ha një darkë, padyshim që ka një subjekt…

Padyshim ne jemi pjesë e politikës, madje, duke mos e parë në retrospektivë pozicionin që kam pasur unë, por dhe një komunikim normal që një kryeministër bën mirë ta ketë.

-Çdo të thotë një darkë me norma qytetare?

Nuk duhet parë në sensin se nga vjen, ku ke banuar dhe ku po shkon. Ka një trend të viteve të fundit që shumë qytetarë që kanë lindur dhe janë në qytete po shkojnë të jetojnë në fshat.

-Ju po thoni që ky është një model i ri komunikimi politik?

Unë mendoj se është nga ato nivele që nuk konsiderohen të reja. Në perëndim konsumohen në Shqipëri ka ardhur koha që të vijojnë sikurse janë standardet e perëndimit.

-Ftesa ju erdhi nga kryeministri?

Unë vazhdimisht e kam thënë dhe nuk besoj se do të përbënte ndonjë lajm nëse do vazhdoja të njëjtin refren. Ishte një ftesë normale, erdhi nga kryeministri për të darkuar

-Cili ishte thelbi i bisedës gjatë kësaj darke?

Kemi bërë një bisedë shumë të natyrshme. Kemi trajtuar tema të ditës, tema të politikës,  tema që lidhen me këndvështrime të ndryshme politike.

-A mund të përmendni disa prej tyre?

Ne kemi ndenjur tre orë në darkë, sigurisht që ka pasur tema nga më të relaksuarat, duke kujtuar momentet e njohjes sonë shumë vite më parë. Tema që lidhen me kulturën, sportin, politikën. Ju jeni të interesuar për tema të natyrës politike.

-Kur daton njohja me Edi Ramën?

Nuk kam ndonjë datë fikse. Duhet të kenë qenë vitet kur besoj të dy luanim sport. Rreth viteve ‘80. Unë kam luajtur sport nga vitet 60-70. Jam më i madh se z. Rama. Por ambientet e kryeqytetit, patjetër që të ofronin mjedise të përbashkëta.

A keni ruajtur raport miqësor që prej kësaj njohje?

Kemi pasur raport miqësor, normal.

-A ka qenë intensiv gjatë kohës që ju keni qenë President i Republikës?  

Ka qenë një raport normal. Duhet të realizohej një takim dhe e realizuam.

-Flas për takim përtej atij formalit?

Është mbajtur një komunikim më shumë zyrtar.

-Çfarë konkretisht diskutuat?

Çështje të aktualitetit, të natyrës së qeverisjes, nevojës për një bashkëpunim përtej një koalicioni të caktuar, për të vënë në jetë mjaft nga ato bashkëpunime që kërkojnë domosdoshmërisht një spektër të gjerë të politikës. Për atë që është në zemër të programit tonë, çështje të natyrës kushtetuese, çështje që kanë të bëjnë me shtetin dhe çështje që kanë të bëjnë me qytetarët në përgjithësi.

-A ju ka inkurajuar z. Rama që ju të bëni sa të keni mundësi diversion brenda së djathtës, në një moment që PD ka dalë në opozitë?  

Pse duhet të më inkurajoj dikush. Unë jam në një koshiencë të plotë politike qoftë për ndërtimin strukturor timin, qoftë dhe për atë që është pjesë substanciale e programit të partisë sonë. Fryma e Re Demokratike.

-A ndiheni ju i penduar apo nuk keni asnjë vrasje ndërgjegje që keni arritur t’i merrni një mandat në Tiranë PD?  

Votat që sot ka FRD, janë vota reziduale, ato që kanë mbetur. Në kontakt me ata që kanë qenë afër procesit, ne mendojmë që kemi dyfishin e votave që na kanë injoruar të tjerët.

-A ju kanë ardhur indirekt oferta për ju dhe FRD për t’u përfshirë në koalicionin qeverisës?

Jo, absolutisht.

-Nëse në derën e FRD do të trokiste një mesazher i së majtës për t’iu kërkuar të bëheshit pjesë e qeverisjes, do ta rishikonit qëndrimin tuaj?

Unë këtë bisedë e kam pasur drejtpërdrejt me z. Rama. Nuk ka nevojë të ketë mesazher. Nuk ka asnjë bisedë të kësaj natyre.

-Përse një darkë që duhet të ishte fare informale të dy politikanëve, të merrnin pjesë dhe përfaqësues të tjerë të partisë?

Sepse darka të kësaj natyre nuk kanë protokolle. Është një dëshirë për t’u përfshirë më shumë se një personazh. Nuk ka pasur një bisedë të natyrës konspirative. Ka qenë një bisedë dhe me prezencën e personazheve të tjerë.

-Të ndalemi tek raportet me Berishën. Ja kërkuat juve Berishës që të ishit kandidat për president?

Ka qenë një dëshirë dhe një insistim i tij, jo për të pasur Bamir Topin president, por për kushtet që kishte mazhoranca në atë kohë. Ju e dini që në atë kohë presidenti zgjidhej me 3/5 e votave. Është thënë shprehimisht se: “I vetmi njeri që mund të realizojë një komunikim me opozitën dhe mund të realizojë 84 vota, jeni ju”. I shkoj kësaj linje deri në momentin kur, me sa duket, doli një skenë tjetër për të gjetur një figurë konsensuale. Zgjidhja më e mirë për vendin është që, vendi duhet të ketë president që ka një eksperiencë politike. Madje, me këto lloj politikanësh që ka Shqipëria, duhet një eksperiencë e jashtëzakonshme në politikë për të përballuar intrigat, presionet dhe mjaft episode të tjera.

-Ju thatë që nuk ishit ju që ja kërkuat, por ishte vetë z. Berisha. Si shpjegohet që z.Berisha bleu 6 vota që i takonin Nanos për t’ju bërë juve president?

Ju i mbani mend problemet që ka pasur Nano me partinë e tij në atë kohë dhe dëshirën e tij për të qenë President i Republikës. Në pamundësi për të pasur mbështetjen, gjeti një zgjidhje që e argumentoi. E falënderoj, se jo vetëm më mbështeti në atë ndërmarrje, por bëri një zgjidhje për të evituar mjaft probleme që do të vinin më pas.

-Është e vërtetë që pas zgjedhjes tuaj si president, ju keni darkuar në shtëpinë tuaj me z.Berishën dhe z.Nano?

Ju mendoni që në këtë studio do të nxjerrim gjithçka kemi bërë?! Unë kam një parim që, gjërat që janë kofidenciale nuk i nxjerr në studio publike.

-Çfarë ndodhi në raportet mes jush dhe kryeministrit Sali Berisha?

Ka qenë një prishje unilaterale e marrëdhënieve. Gjithçka është prishur nga kryeministri. Me sa duket momenti me shpërthimin e Gërdecit duhet të jetë i pari mendoj. Megjithatë i takon atij ta thotë.

-Si kanë qenë marrëdhëniet tuaja me z. Berisha deri në momentin kur u zgjodhët President i Republikës?

Marrëdhëniet kanë qenë normale, bashkëpunuese.

-Ju jeni shprehur në një gazetë se keni qenë i detyruar të bashkëpunoni me Berishën, që keni pasur rezerva me të që më herët…

Pyetja ka qenë kjo: Keni bërë ndonjëherë kompromis që nuk do të donit ta bënit? Përgjigjja ime ka qenë po. Kam vazhduar të punoj me njerëz të cilët nuk kam dashur t’i kem pranë.

-Në PD a u ftuat ju nga Presidenti Berisha në atë kohë?

Kam qenë i pranishëm që në momentet e para. Madje në atë intervistë që ju thoni, unë kam bërë një koment që nuk e kam bërë ndonjëherë. Ne kujtojmë se ngjarjet e mëdha që memorizohen janë ato që përcaktojnë gjithçka. Disidentët në Shqipëri dhe sidomos në Tiranë kanë ardhur nga grupe të të rinjve shumë kohë përpara se të vinte viti 1990.

-Ju e fusni veten në këto grupe disidentësh z. Topi?

Çdo njeri i ri në Tiranë bënte biseda të natyrës kofidenciale.

– Mendoni se keni qenë disident?

Mendoni ju se disidenca erdhi nga “Pardesytë e Bardha” që u dizenjuan në zyrën e Ramiz Alisë? Unë e di që një sekretar partie mund të vinte tek studentët pa kaluar nga zyrat e Ramiz Alisë.

-Pse nuk i a keni thënë këtë Berishës?

Ka një lloj elegance dhe simbioze në komunikim.

-Po bëni një akuzë të rëndë duke thënë se PD u krijua në zyrat e Ramiz Alisë…..

Nuk po them se Ramiz Alia ka qenë reformator, por Ramiz Alia ka qenë shumë i kujdesshëm për të zgjedhur pikërisht ata njerëz që komprometuan fatin e demokracisë. Kush i la të përndjekurit të digjeshin në grevën e urisë? Kush e shkatërroi çështjen e pronave. Këto dy çështje mbajnë vulën e këtij njeriu. Unë duhet të kisha lindur në Viçidol të Tropojës dhe ai duhet të kishte lindur në Tiranë. Ky është shpjegimi për akuzën e tij. Këto janë akuza të një njeriu që janë bërë gaz i botës. Akuzat kanë ardhur nga ky televizion. Nga kjo studio. Kanë ardhur për interesa të njerëzve që janë të lidhura me pushtetin.

-Çfarë ka ndodhur në 21 Janar?

Protestuesit u vranë nga ajo dritare. Më e rëndë është kur u inskenua grushti i shtetit, ku u përfshi kryetari i shtetit, SHISH, kryeprokurori, disa gazetarë etj. Por grushti i shtetit nuk mund të organizohet nga kreu i shtetit. Grushti i shtetit është organizuar nga ky njeri që sot është i ekspozuar kaq shumë. Kryeministri duhet ta dije se ka pasur informacion SHISH. Po si ka mundësi që të dali një kryeministër që të bëjë rolin e cubit dhe të mos lejojë zbatimin e urdhërit e prokurorisë për të arrestuar zinxhirin e Gardës?

-A keni kërkuar të nesërmen zgjedhje të parakohshme? 

Absolutisht jo.

-A i keni thënë ju Lulzim Bashës “rregulloni letrat”? 

Jo, nuk i kam thënë.

-A është Basha kandidatura më e mirë që kishte PD për kryetar?

Nuk mund ta them këtë. Ishte një i preferuar i Berishës. Raportet i kam pasur mëse korrekte.

  -A keni votuar kundër Bashës në Tiranë? 

Unë jam gëzuar kur e kam marrë vesh se Basha do të kandidonte. Unë kam votuar bardhë, duke respektuar pozicionin e kryetarit të shtetit.

-Sot duhet të flisni, nuk duhet të keni frikë se nuk është më kryeministër.   

Unë nuk kam pasur frikë nga asnjë kryeministër…..  Gjithmonë keni pasur mjeshtërinë për të qenë afër kryeministrave.